Zhvillohet ne Vlore Takimi Kombetar i Monodrames

Zhvillohet në Vlorë Takimi Kombëtar i Monodramës
Takimi Kombëtar i Monodramës, që po zhvillohet në qytetin e Vlorës, është vlerësuar si një aktivitet me vlerë në drejtim të promovimit të arritjeve të artit skenik në Shqipëri, ndërkohë që u shtrua nevoja e institucionalizimit të tij në funksion të vazhdimësisë në të ardhmen. Në një diskutim që u zhvillua sot lidhur me këtë aktivitet, studiues dhe kritikë të artit, aktorë e intelektualë, sollën në auditor elementët pozitivë të artit skenik, duke u fokusuar në atë të monologut, që u reflektuan pozitivisht në shfaqjet e realizuara gjatë dy netëve të para. Për kritikun Adriatik Kallulli, monodrama është si një vitrinë, ku mund të shfaqen vlerat e mëdha të aktorëve. Sipas tij, monologu përfaqëson në vetvete një akumulim të madh ndjenjash, mendimesh, idesh, që vijnë e shpërthejnë. Kallulli shtroi nevojën e vazhdimësisë edhe në të ardhmen, duke e vlerësuar Takimin Kombëtar të Monodramës si një aktivitet që mund të përmbledhë e të reflektojë vlera krijuese. Ndërkaq studiuesi i artit, Josif Papagjoni, u ndal në një sërë problemesh me të cilat përballet sot arti skenik në Shqipëri, duke mos lënë mënjanë mangësitë në këtë gjini. Sipas tij, në monodramë duhet të krijohet e të ruhet një raport më i drejtë mes meditimit, rrëfimit aktoresk e interpretimit. "Janë këto dy momente që kanë në bazë tekstin, i cili spikat, ose bën të kundërtën me vlerat e aktorit", tha Papagjoni.

Pjesëmarrësit veçuan vlerat e përcjella përmes interpretimit nga aktorët Ilirjan Aliu, Sheqerie Buçaj, Hajrie Rondo e Andrea Pepi, në pjesët "Ditari i një të çmenduri", "Shumë urime për ty", "Klithma e një nëne të marrë" e "Siriusi", me regji respektivisht nga Luftar Veshi, Burbuqe Berisha, Mehmet Xhelili e Llazi Serbo. Pas shfaqjes së "Ditari i një të çmenduri", interpretuar nga Ilirjan Ali dhe "Siriusi", nga Andrea Pepi, Takimi Kombëtar i Monodramës vazhdoi dje me natën e fundit. Në Takimin Kombëtar të Monodramës, i pari i këtij lloji që zhvillohet në Vlorë, përfaqësohen gjashtë trupa teatrore, nga Vlora, Fieri, Korça, Greqia, Kosova. Në këtë aktivitet përfshihen vepra të njohura të autorëve të huaj, si Gogol ("Ditari i një të çmenduri"), Dostojevski ("Siriusi"), Shnajder ("Ndyrësira"), Cvajg ("Amoku"), apo të tjerë nga Shqipëria e Kosova, Odise Plaku e Seadet Beqiri, të interpretuara nga Dhimitër Orgocka, Hajrie Rondo, Lefter Simoni, Shyqyrie Buçaj, Ilirjan Ali, Andrea Pepi.

Aktiviteti ndiqet nga një juri e përbërë nga emra të njohur të skenës dhe ekranit, si Margarita Xhepa, Birçe Hasko e Miho Gjini

Nga : Gazeta Shqip


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama