Për t‘u ardhur në ndihmë përdoruesve, në mënyrë që ta kenë më të qartë se çfarë janë duke parë, "Google" ka bërë bashkë një grup prej mbi 80 organizatash, përfshi shoqërinë "National Geographic", BBC, apo Shoqërinë e Ruajtjes së Deteve. Informacionet e marra prej tyre konsistojnë në fotografi, video dhe analiza të ndryshme, që përditësohen vazhdimisht dhe që janë në dispozicion të plotë të eksploruesve të botës nënujore. Ata, madje, kanë mundësi që të gjurmojnë lëvizjen e peshqve të detit, të shohin zonat e mbrojtura detare e madje edhe të informohen se cilat janë llojet më të shijshme të peshqve në zona të ndryshme të globit. "Me versionin e fundit të ‘Google‘, ju jo vetëm mund të fokusoheni në çdo lloj cepi të sipërfaqes së planetit tonë, por tani mund të zhyteni edhe thellë në detet e oqeanet, që mbulojnë thuajse tre të katërtat e Tokës dhe kështu të zbuloni mrekullitë e panjohura, të cilat nuk keni mundur t‘i shihni në versionet e deritanishme.
Kjo do të jetë për të gjithë një përvojë e jashtëzakonshme, një përvojë magjike", ka deklaruar ishzëvendëspresidenti amerikan, Al Gore, në përurimin e versionit të ri të "Google Earth". Ndërsa Erik Shmid, shefi ekzekutiv i "Google", tha: "Në debatet për ndryshimet klimatike, oqeanet dhe detet shpesh anashkalohen, edhe pse janë pjesë përbërëse dhe shumë e rëndësishme e planetit. Rreth një e treta e dioksidit të karbonit që emetojmë në atmosferë përfundon në oqeane. Për më tepër, pakësimi i vazhdueshëm i biodiversitetit në ujërat e planetit do të bëjë që gjatë 20-30 viteve të ardhshme dëmet të jenë shumë të mëdha, por këtë pakkush e di, sepse informacioni për hapësirat e mëdha ujore të planetit ka qenë i cunguar deri më tani. Ja përse pikërisht sot, lançimi i ‘Google Earth‘ 5.0 është kaq i rëndësishëm, sepse na jep një mundësi më shumë të ndryshojmë dijet tona për botën nënujore".
Në perfeksionimin e versionit të fundit kanë kontribuar edhe shumë shkencëtarë, sidomos për sa u përket të dhënave biometrike, të temperaturave të shtresave të ndryshme nënujore etj. Për herë të parë, të gjithë, që nga shkencëtarët e deri te fëmijët e vegjël, mund ta shohin të plotë planetin e tyre dhe në një këndvështrim tërësisht të ri. Për vetë "Google", kjo është një arritje shumë e madhe. Motori i famshëm i kërkimit e nisi veprimtarinë e tij me kërkimet në internet, më pas me "Google Earth" në vitin 2006, që u dha mundësinë njerëzve të eksploronin çdo cep të Tokës dhe më së fundi edhe ujërat e planetit. Peizazhet nënujore janë modeluar përmes përdorimit të teknologjive shumë të përparuara, si ajo sonare, ose tingullore, vendosur në nëndetëse. Në sajtin ekzistues në internet kanë akses rreth 400 milionë njerëz dhe me futjen e hapësirave nënujore ai pritet që të frekuentohet nga një numër më i madh personash.
Gazeta: Shqip