Për sa i përket dorëshkrimit të romanit (“Koncert në fund të dimrit”), atij dorëshkrimi që tani Is ia kishte shumë frikën, shqyrtimi i tij po bëhej në mënyrë të ngadaltë dhe të rrezikshme në dy plane: njëri i hapët, me mënyrat e njohura: recensione, mendim i redaksisë, vendimi i drejtorisë etj. Plani tjetër, ai që do të ishte dhe vendimtari, ishte krejtësisht i fshehtë: Një raport i gjatë, shkruar në korrik të vitit 1983 dhe nxjerrë në dritë mbi njëzet vjet më vonë, prej drejtorit të Arkivave të Shqipërisë, profesor Sh. Sinani, mbas rënies së komunizmit. Në atë raport thuheshin gjithë të këqijat e mundshme për një vepër: roman reaksionar, antikomunist, etj, etj. Nuk thuhej veç ajo që Is, e bashkë me të dhe unë, kishim pasur aq tmerr: analogjia midis vrasjes së pasardhësit kinez dhe atij shqiptar. Kjo ishte e njohur tanimë: Gjërat më të llahtarshme, ato që quheshin veçanërisht të rrezikshme, qoftë edhe si pëshpërima, shmangeshin nga çdo raport. Kështu, për shembull, Is më kishte shpjeguar se pëshpërima e vjetër (e fantazuar apo reale) për deviacionet intime të diktatorit, zhdukej pa gjurmë, madje, edhe në procesverbalet e hetuesisë. Çështja nëse vdekja e kryeministrit i takonte vrasjes, apo vetëvrasjes, hynte gjithashtu në këto lloj përfoljesh.
Njerëzit për të cilët fola më lart, përbënin atë që mund të quhej tabloja e dukshme e së keqes. Por kishte tjetër tablo, që ishte shumë më e frikshme, ndonëse e padukshme. Këtë tablo, as Is dhe as unë, nuk e dënim dhe as që e përfytyronim shkallën e së keqes së saj. Shumë herë kemi menduar se kishte qenë më mirë, madje, shumë më mirë, që nuk e kishim ditur deri në fund këtë gjë.
Një dokument tjetër sekret, që na ra në dorë shumë vite pas rënies së komunizmit, e jep të qartë anën e zymtë të kësaj tabloje. Është një procesverbal i hetuesisë së Sigurimit të Shtetit, që po e sjell në këtë libër dhe që botohet për herë të parë. Dokumenti është i vitit 1982. Është pikërisht koha, që, siç ka dalë më vonë në shtyp, po përgatiteshin me ngut dosje të tilla, në bazë të të cilave do të përcaktoheshin gjithë pjesëtarët e “Komplotit të madh”. Is ishte njëri nga ata.
Ja teksti i plotë i dokumentit:
PROCESVERBAL I PYETJES SË TË PANDEHURIT
Tiranë, më 4.9.1982
Unë, Ferit Sula, hetues në Ministrinë e Punëve të Brendshme, rimora në pyetje të pandehurin Llambi Ziçishti.
Pyetje: Vazhdo i pandehur të shpjegohesh se cilët janë personat e tjerë që tradhtari Mehmet Shehu i ka marrë në shërbim të punës tuaj armiqësore.
Përgjigje: Mehmet Shehu që drejtonte grupin tonë armiqësor kishte parashikuar që përveç sektorëve të tjerë, që unë kam shpjeguar më parë, të godiste vijën e Partisë edhe në art e letërsi, kështu në një nga bisedat e shumta armiqësore që kam bërë me Mehmet Shehun, kam mësuar se në këtë drejtim kishte përpunuar me detyra edhe Ismail Kadarenë. Konkretisht, për këtë person unë do të shpjegoj ato gjëra që më ka treguar Fiqret Shehu.
Po bisedonim në një rast me Fiqret Shehun në shtëpinë e saj, për filmin shqiptar “Skëterrë ‘43″, ku skenarist ishte djali i saj, Bashkim Shehu. Fiqreti më tregoi se edhe Ismail Kadareja ishte prej kohësh në pozicionin armiqësor. Përpunimin e tij, më tha ajo, e ka bërë Todi Lubonja me të cilin Ismaili kishte shoqëri të ngushtë dhe pasi Todi Lubonja me Fadil Paçramin u zbuluan nga Partia për veprimtarinë e tyre kundër saj, Ismail Kadareja ishte marrë në mbrojtje nga Mehmet Shehu, duke e paraqitur Ismailin si viktimë të tyre. Ky është momenti, më ka thënë Fiqret Shehu, që u shfrytëzua për ta vënë Ismail Kadarenë në shërbim të punës tonë. Pastaj, Fiqreti më ka treguar se Ismail Kadareja ishte porositur që të godiste vijën e Partisë në letërsi dhe në art, duke shkruar tregime dhe romane me dy kuptime, nga njëra anë të dukej se mbronte e zbatonte vijën e Partisë, ndërsa nga ana tjetër, pa dalë hapur, të godiste atë.
Gjithashtu, Ismail Kadareja ishte ngarkuar që të punonte sa më shumë me shkrimtarët dhe artistët e rinj, e gradualisht t’i përpunonte ata, duke u bërë sa më shumë të tillë, të formonte një rrymë liberale disidentësh, që do të përdoreshin kur të vinte koha. Për ta pasur më afër Ismail Kadarenë, më ka thënë Fiqret Shehu, është porositur djali i tyre, Bashkim Shehu, që të krijonte shoqëri të ngushtë me të dhe të justifikoheshin plotësisht hyrjet dhe daljet e tij të shpeshta në shtëpinë tonë. Në një rast, më ka treguar se ajo kishte qenë edhe vetë e pranishme, kur Mehmet Shehu kishte biseduar me Ismail Kadarenë. Në këtë rast, Mehmeti e porositi Ismailin që të punonte me kujdes dhe të mos dilte hapur kundër vijës së Partisë, sepse kështu rrezikonte veten. Realizmit socialist, i tha Mehmeti, po i kalon koha dhe së shpejti do të vijë dita që shkrimtarët dhe artistët t’i shprehin gjërat hapur dhe pa ndrojtje, atëherë dhe letërsia dhe arti te ne do të përparojnë dhe do të pëlqehen edhe nga bota e jashtme. Kjo, i tha Ismailit Mehmet Shehu, do të bëhet kur të ndryshojë sistemi politik në Shqipëri.
Këto janë disa nga momentet e veprimtarisë armiqësore, që më kujtohen se ka kryer Ismail Kadareja, të cilat, siç shpjegova më sipër, m’i ka thënë Fiqreti Shehu.
Procesverbalin e shkrova vetë dhe thëniet i vërtetoj më firmën time”.
Në pamje të parë ky dokument, që gjoja vërtetonte se Is bënte pjesë në grupin komplotist të ish-kryeminstrit të shtetit, për të rrëzuar regjimin, dukej qesharak. Por nga ana tjetër, po të mendoje se me dokumente të tilla, të hartuara me një stil e me të njëjtën mënyrë (tortura, premtime, e kushedi çfarë lemerish të tjera), me dhjetëra njerëz të pafajshëm kishin shkuar në pushkatim, të zinte tmerri. E dinin qysh më parë, sidomos nga fjalët e Bashkim Shehut, në shtator të vitit 1981, mendimi që qarkullonte se Is ishte agjent i Perëndimit, por ky dokument tregonte se dosja për arrestimin e tij ishte përgatitur ndërkaq dhe nuk pritej një urdhër i fundit, për t’i hedhur prangat shkrimtarit.
Më kujtohet pamja e Llambi Ziçishtit, një mjek i njohur, me sjellje tepër të kulturuar, që vinte shpesh në klubin e shkrimtarëve. Ai kishte miqësi me shkrimtarin e “borgjezisë” së viteve tridhjetë, Vedat Kokonën, me të cilin e lidhnin, siç dukej, kujtimet e liceut francez të Korçës.
Ende sot e kam të vështirë të përfytyroj se si, i detyruar nga torturat, kishte shkruar me dorë të vet, atë tmerr për Is. Kur e lëshoi procesverbalin, për asnjë çast, as Is, as unë, nuk e patëm as më të voglen ndjesi ndaj tij. Përkundrazi, provuam një keqardhje të tillë për fatin e tij të zi.
Llambi Ziçishti, mjeku i sjellshëm, adhurues i kulturës franceze, u pushkatua në një nga ditët e errëta të fundit të vitit 1982, me sa jam në dijeni, pa gjyq. Flitej se shkaku i dënimit të tij ishte çasti fatal, kur ishte thirrur si mjek që ishte, në shtëpinë e ish-kryeministrit atë mëngjes, kur ky i fundit u gjend i vrarë në dhomën e tij të gjumit. Flitej në atë kohë se sapo kishte parë kufomën, kishte thënë: Po kjo nuk është vetëvrasje! Ishin ato fjalë që kishin vulosur fatin e tij.
Sa për hetuesin që e kishte marrë në pyetje viktimën, ai banon aktualisht në Gjermani. Për fat të keq, në Shqipëri ende nuk tregohet ndonjë vullnet për zbulimin e krimeve të diktaturës, as të mjeteve e mënyrave monstruoze që përdorte ajo. Pjesë e dosjeve sekrete, që zyrtarisht ende qëndrojnë të mbyllura, qarkullojnë andej këndej, por vetëm me përjashtime të rralla tërheqin kureshtjen e studiuesve, në vend të këtyre dosjeve, qarkullojnë gjithfarë historish të pasakta, duke e bërë gjithmonë e më të vështirë zbulimin e së vërtetës për gjithçka.