Bylisi luan një nga 7 "finalet" e mbetura këtë sezon në Superiore, teksa ditën e sotme në "Adush Muça" ballshiotët do të presin skuadrën e Tiranës. Objektivi i vetëm në këtë përballje për të besuarit e Zildzoviç do të jetë marrja e tri pikëve. Për këtë edicion ata nuk ia kanë dalë kundër bardhebluve, ndaj duan që dita e sotme të përkojë me fitoren e parë ndaj këtij kundërshtari.
Drejtuesit kanë kërkuar nga trajneri dhe skuadra që të hyjnë në fushë vetëm për të fituar dhe presioni në këtë kamp është rritur ndjeshëm, pasi pak e nga pak kampionatit po i vjen fundi dhe janë të ndaluara rezultatet negative në shtëpinë e tyre.
Gjatë gjithë javës, Adnan Zildzoviç, që qëndron në krye të pankinës mallakastriote qysh nga janari i këtij viti, ka punuar si fizikisht dhe teknikisht me lojtarët, duke u dhënë dozën e duhur përgatitjeve për ta kaluar këtë kundërshtar. Mirëpo, nga ana tjetër, boshnjaku ka punuar edhe psikologjikisht, duke u bërë të ditur që nëse luajnë si dinë ata, i kanë të gjitha shanset për të marrë tri pikët ndaj bardhebluve.
Trajneri ua ka rritur besimin në forcat e veta futbollistëve, pasi nëse do t'ia dalin të japin maksimumin e tyre, atëherë fitorja nuk është një mision i pamundur. Mësohet se vetë tekniku e ka vëzhguar me kujdes kundërshtarin dhe kjo u pa edhe gjatë sfidës së bardhebluve me Laçin një javë më parë, ku Zildzoviç ishte në "Selman Stërmasi" dhe mbajti shënime vazhdimisht.
Besimi i lojtarëve, etja për pikë, si edhe studimi që u është bërë bardhebluve përpara kësaj ndeshjeje, shihen si armët plus të Bylisit për këtë sfidë, pa harruar edhe mbështetjen e tifozëve në shkallët e stadiumit.