Zogu-Hoxha ngritja e nje kulti

Zogu-Hoxha, ngritja e nje kulti
Histori Artan Puto skicon një trajektore të kultit të udhëheqësit në Shqipëri përgjatë shekullit të njëzetë. Një vështrim krahasues: Ahmet Zogu dhe Enver Hoxha. Kultet bien, influenca në mentalitete vazhdon, të tjera ngrihen. Një temë mbi kultin e udhëheqësit të sugjestionon paraprakisht. Sugjestion për të dëgjuar një vlerësim ose trajtim të konceptit të kultit me ngjyresa negative, për individë që politikisht përdorën mekanizimin e shpëlarjes së trurit dhe të kontrollit total në popull. Historiani Artan Puto nuk na e jep kënaqësinë e paragjykimit. Ai e zhvesh nga ky konotacion dhe e fut në një diskurs të thatë akademik fjalën kult duke bërë një krahasim me të përbashkëtat dhe të veçantat e dy udhëheqësve shqiptarë. Ahmet Zogu dhe Enver Hoxha që drejtuan "me dorë të hekurt", njëri pas tjetrit, me një diferencë 6-vjeçare ndërmjet monarkisë dhe diktaturës së proletariatit, të dyja forma këto që, ndër të tjera, i kishin dhënë Shqipërisë statusin e një vendi ku feja është e ndarë nga shteti (fjala kult i përket së pari sistemit të fesë dhe mistikës).

Është vetëm fillimi i një studimi që dr.

Puto është duke bërë mbi kultin e udhëheqësit në Shqipëri përgjatë shekullit të njëzetë. Ai bëri një prezantim dje në konferencën shkencore mbajtur në kuadër të Tetorit Gjerman në Tiranë me temë "Një akt balance mes shkencës, politikës dhe ideologjisë: Shkencat sociale shqiptare dhe hulumtimet moderne gjermane mbi Shqipërinë".


Kulti i studiuesit të huaj sipas vendasve

Në konferencën shkencore e mbajtur në kuadër të Tetorit Gjerman në Tiranë me temë "Një akt balance mes shkencës, politikës dhe ideologjisë: Shkencat sociale shqiptare dhe hulumtimet moderne gjermane mbi Shqipërinë", organizuar nga Fondacioni Gjerman Hanns-Seidel, ishin ftuar studiues shqiptarë, gjermanë, austriakë, zviceranë. Qëllimi ishte pasqyrimi i studimeve të fundit të shkencëtarëve gjermanishtfolës mbi historinë, gjuhën dhe kulturën shqiptare. Ishin kryesisht të rinj, që paraqesnin në formë të përmbledhur rezultate të njohura tashmë të profesorëve të tyre për botën shqiptare. Në një rast u krijua përshtypja se po i vinin me "shpatulla pas muri" këta të rinj nga Universiteti i Bonit, Jenës, nga Akademia Austriake e Shkencave, të cilët po u flisnin studiuesve vendas në gjuhën e vendasve.

U nënkuptua nga këta studiues shqiptarë se kolegët e huaj nuk paskan dëshirë t'i ftojnë në tubimet e tyre jashtë Shqipërisë, nuk i përfillin, i refuzojnë. Madje u nënkuptua qartë se "qëllime ideologjike" fshihen pas tezave të albanologëve të huaj për shembull mbi etnogjenezën e shqiptarëve apo mbi mitet e tyre të botës së lashtë dhe të historisë së qëndresës. Gjynah të madh në ngritjen e kultit të studiuesit të huaj sipas vendasve ka media. Ajo nuk e lë diskutimin të piqet dhe të bjerë në kopshtin e vet që ndodhet te Akademia e Shkencave apo te Institutet jo më të Akademisë së Shkencave.

Sipas këtij kuptimi, nevoja për angazhimin e shkencëtarit edhe në shqetësimet e ditës që ka bota shqiptare, qoftë edhe atëherë kur vijnë si reaksione të historisë, është një kërkesë dashakeqëse ku ka të ngjarë të fshihen qëllime ideologjike të një rrjeti shkencëtarësh të huaj që duan ndryshojnë parimet e funksionimit të shkencës shqiptare.


Intervista me historianin Artan Puto

Kultin e Ahmet Zogut dhe Enver Hoxhës ju e merrni si një koncept me nënkuptim ideologjik, politik apo të udhëheqësve të veneruar?

Ky është vetëm hapi i parë për të bërë një studim mbi mënyrën se si është ndërtuar kulti i Zogut si mbret dhe i Enver Hoxhës si diktator i Shqipërisë.

Unë shpresoj të shpjegoj që ngritja e kultit të këtyre personazheve që kanë dominuar skenën politike shqiptare, bëhet përmes një ideologjie të caktuar - kjo është më e qartë në rastin e Enver Hoxhës - dhe nëpërmjet një procesi politik të caktuar. Me këtë dua të them që kultet e individit të këtyre dy personazheve mbartin karakteristikat e periudhës historike në të cilën ata kanë jetuar.

Çfarë veçorish dhe të përbashkëta dalloni në dy kultet?

Kulti i Zogut ka veçori të tjera nga kulti i Enver Hoxhës i cili ka pasur në dispozicion një kohë më të gjatë për ta konsoliduar kultin e tij; Hoxha ka pasur edhe avantazhin që mbrapa tij kishte një parti dhe struktura partiake që ishin të gjithëpranishme në territorin e vendit. Ai ka patur modele ideologjike të cilave u referohej. Zogu nuk i ka pasur këto modele, por është paraqitur më tepër si një burrë shteti, që hodhi themelet e shtetit shqiptar.

Të dy synojnë të paraqiten si baballarët e kombit.

Si funksionon ngritja e një kulti?

Në rastin tonë, kultet e Zogut dhe të Hoxhës i shoh në një proces të lindjes së kombit shqiptar dhe të konsolidimit të tij të mëtejshëm, domethënë në një proces të nacionalizimit të shoqërisë shqiptare. Janë pikërisht këto momentet kur kjo shoqëri fillon dhe kthehet në një komunitet të homogjenizuar, dhe gjithmonë ka nevojë për një lider i cili ta mbajë të lidhur këtë komunitet.

Kjo shihet qartë te mënyra se si ngrihet kulti i Zogut. Në tekstin biografik të Kristo Dakos, Ahmet Zogun paraqitet si një njeri që nga një grumbull fisesh krijon një komb dhe pastaj krijon një shtet. Po e tillë paraqitet panorama e komunizmit, ku Enver Hoxha trajtohet edhe ai si shtetar i cili në periudhat e fundit të jetës paraqitet edhe si mendimtar. Hoxha fillon e shkruan për tema si imperializmi dhe revolucioni, superfuqitë.

Pra mendon se ka një dimension intelektual të spikatur. Një gjë tjetër që është te Enver Hoxha dhe mungon te Zogu, është dimensioni i tij ndërkombëtar. Ai paraqitet si lideri botëror i lëvizjes marksiste-leniniste, një lider i një lëvizjeje ideologjike që kapërcen kufijtë e Shqipërisë. Pas izolimit të plotë, pas prishjes me Kinën, Shqipëria bëhet një qendër e partive marksiste-leniniste, në qoftë se i mbani mend, të cilat shikonin te Shqipëria frymëzimin e vërtetë për komunizmin e pastër.

Shqipëria pretendon se ishte vendi i vetëm komunist në botë dhe bëhet pikë referimi për këto grupe të vogla radikale majtiste marksiste që e quanin veten parti komuniste marksiste-leniniste, dhe Enver Hoxha frymëzuesi kryesor ideologjik. Pra është ky niveli ndërkombëtar i kultit të tij.

Si janë reflektuar kultet në popull, efekti te njerëzit?

Është e qartë që shteti atëkohë identifikohej kryesisht me këtë personazh, pra Ahmet Zogu bëhet edhe simbol i shtetit shqiptar. Simbolet e tij janë në të gjitha vulat shtetërore. Është e tepërt të them se sa u identifikua Shqipëria me Enver Hoxhën, sepse Shqipëria ishte Enver Hoxha dhe kjo vërehet jo vetëm te personazhi i tij, po sidomos te institucionet që mbanin emrin e tij.

Mbas vdekjes së Hoxhës kemi një bum të mëtejshëm: i ngrihen statuja madhështore dhe vepra monumentale, memoriale, marrin emrin e tij institucionet kryesore, qendra, porte, universiteti, domethënë tentohet që vendi të identifikohet me personin. Kjo është shkalla e fundit e kultit, e maksimumit të tij.

Me vdekjen e njeriut të cilit i ngrihet kulti, me rënien e sistemit të tij, çfarë ndryshimi pëson kulti pa subjektin e tij të adhurimit?

Influenca më e madhe, dhe me saktësi flas për periudhën e komunizmit, është në mentalitetin e njerëzve që kultet lënë pas. Në rast se unë do të flas për studimet historike, një influencë e qartë e kohës së Hoxhës është mënyra se si shkruhet historia: bardhë e zi.

Gjë që u vu re edhe sot në komentet e studiuesve shqiptarë përballë atyre të huaj...

Po, kjo do të thotë një mënyrë e studimit të historisë që nuk ka një kompleksitet, që të studiohen faktorët dhe ndërlidhja e faktorëve, por është gjithmonë një histori ku shikohen të mirët dhe të këqinjtë.

Kjo është një influencë e qartë e asaj kohe. Nga ana tjetër, shoqëria shqiptare, si çdo shoqëri, nuk bën përjashtim, gjithmonë do të ketë nevojë për kulte. Kulti i Enver Hoxhës nuk jeton më sepse sistemi i tij ka rënë, por ne vazhdojmë dhe fabrikojmë kulte të tjera.

Një kult i ri mund të jetë kulti i Nënë Terezës, i cili edhe ky ndjek pak a shumë të njëjtën trajektore. Emrin e Nënë Terezës e gjen kudo, në aeroporte, spitale,

Organizohen konkurse në emër të saj, shkruhen vepra me porosi për të...

...procesi i ngritjes së kulteve është një proces që nuk kufizohet as me mbretërinë, me pushtetin autoritar të Zogut dhe as me ideologjinë komuniste, por është edhe një fenomen social, psikologjik që ka për të rrugëtuar me shoqëritë.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama