Ndonëse UEFA i dorëzoi titullin "Lojtari i Ndeshjes" Granit Xhakës, protagonisti kryesor i suksesit të Zvicrës përballë Shqipërisë ishte portieri Jan Zomer, i cili shpëtoi katërkëndorin e tij nga gola të sigurt të Sadikut e Gashit. Vetë lojtari ka pranuar se takimi kundër Shqipërisë ishte i vështirë, ndërsa ka zgjedhur dy futbollistë të veçantë mes kuqezinjve të cilët sipas tij bënë diferencën.
I pyetur se pse Seferoviç nuk arrin të shënojë, Zomer tregoi menjëherë se nuk ishte e thjeshtë të mposhtej një portier si Berisha. "Mos e kritikoni, ai u përplas me një portier të shkëlqyer. Berisha ka bërë disa ndërhyrje të klasit të lartë në këtë ndeshje", tha ai.
Më pas, portieri i Zvicrës kishte fjalë të mira edhe për Elseid Hysajn, pasimet e të cilit krijuan dy rastet më të rrezikshme për kuqezinjtë para portës helvete. "Asnjë prej mbrojtësve nuk e kishte fajin në ato raste. Ato dy pasime ishin thjesht perfekte", deklaroi Zomer.