Për shumë mund të jetë një emër i panjohur, por në Brazil jo.
Organet mediatike të shtetit amerikanojugor kanë nënvizuar në kor se Juventusi po përgatit një ofertë madhështore për një prej talenteve më të mëdhenj të futbollit brazilian dhe atij botëror.
Bëhet fjalë për Gabriel Zhezus, i cili aktivizohet në radhët e klubit të Palmeirasit. Madje, e përditshmja "Os Donos da Bola" nënvizon se sulmuesi i datëlindjes 1997 ka mahnitur të gjithë njerëzit e merkatos së "Zonjës së Vjetër", përfshirë këtu edhe vetë presidentin Andrea Anjeli, përveçse trajnerin Masimiliano Alegri. Prandaj, duke parë cilësitë teknike fantastike të Gabriel Zhezusit, në Torino po përshpejtojnë bisedimet për të mbyllur gjithçka dhe do tentojnë ta mbyllin këtë marrëveshje për një shifër prej 25 milionë eurosh.
Më shumë sesa me Palmeirasin, Juventusi po bind menaxherët e sulmuesit, të cilët kanë në pronësi 70 përqind të kartonit, ndërsa 30 për qind e shumës do t'i shkojë skuadrës braziliane. Drejtori sportiv i torinezëve, Fabio Paratiçi, pritet të udhëtojë personalisht në Amerikën e Jugut në fund të muajit, për t'i dhënë ndoshta drejtimin definitiv kësaj tratative për Gabriel Zhezusin.