Është Carmelo Bene (1937-2002) përshkruar nga prof. Piergiorgio Giacchè i cili prezantoi për Festivalin e Filmit në Tiranë një retrospektivë me tri filma të artistit filozof i artit skenik e filmik. Giacchè është autor i librit “Karmelo Bene. Antropologjia e një makine aktoriale”. Falë bashkëpunimit me Institutin Italian të Kulturës në Tiranë dhe Apulia Film Commission u bë e mundur që të projektohen për herë të parë për publikun shqiptar “Hermitage” e “Salomé”.
Sonte në mbrëmje është radha e “Nostra Signora dei Turchi” (Itali, 1968, me ngjyra, 124’). Është filmi i parë e ndoshta, sipas kritikës italiane, më i miri i Bene-s, i cili me mjete retorike e stilistike trajton në mënyrë alegorike mungesën e komunikimit me botën.
Mistika joreligjioze, iluzioni dhe mashtrimi i dëshirave janë motivet e atyre pak filmave të tij që përbëjnë “parantezën kinematike” pesëvjeçare në krijimtarinë e Bene-s, periudhën kërkimore me rezultate provokative.
“Zonja…” është një parodi dramatike për shkatërrimin e unit, e botës së brendshme, një seri skenash fragmentare përqendruar në katedralen e Otrantos ku protagonisti mundohet pa sukses të takojë Shën Margaritën.
Autori i referohet një legjende kristiane sipas së cilës turqit do të kryenin në Otranto, në mesin e shekullit të pesëmbëdhjetë masakrën ndaj 800 të krishterëve. I identifikuar me një nga viktimat, Bene, (aktor protagonist në film) e sheh Zonjën e Mirë si simbol i dëshirave trupore dhe ëndrrave shpirtërore të të gjithë burrave. Interpretojnë: Lydia Mancinelli bashkëpunëtorja e tij në vite, Ornella Ferrari, Salvatore Siniscalchi, Anita Masini. Por filmi bazohet në tekstin e Bene-s, antiromani me të njëjtin titull i viti 1965. Në festivalin e Venecias të atij viti, juria e vlerësoi me çmim special, ndërsa publiku, kritika bashkë me të, e pritën keq, siç janë pritur rregullisht dhe performancat teatrale të Bene-s. Shfaqja në kinema irritoi spektatorin për shkak të “pashikueshmërisë” gjeniale. Autori thotë: “Zonja Jonë e turqve është haptazi kundër ’68-ës, në kundërshtim jo vetëm me atë Majin italo-gal, por me të gjithë Maj-et social-botërorë të historisë, në jetë të jetëve”.
Para se të debutojë në kinema Carmelo Bene shkëlqen në teatër. I edukuar në kolegjin jezuit të vendlindjes, studimet për art dramatik në Romë i ndërpreu pas një vit, dhe Akademinë e quajti “të panevojshme”. U ngjit në skenë me “Kaligulën” e Kamysë më 1959 me regji të Alberto Ruggero-s. Merr pjesë në të parin koncert show kushtuar Majakovskit. Teatri i tij “Divino Amore” ishte e vetmja lëvizje teatrore italiane e zhvilluar underground dhe ai vetë u bë një fenomen i teatrit alternativ. Realizon: Hamleti i Shekspirit, Salomé i Uajldit, Eduardi II i Marlout.
Me këtë përvoje bëhet regjisor i vetes me një qëllim: të rinovojë gjuhën teatrale me një stil të kërkuar e barok, çka Carmelo Bene e manifeston në gjeninë e tij si aktor. Del kështu kundër teatrit të fjalës, dhe i frymëzuar nga idetë e Antonin Artaud-së për teatrin, ai është për “shkrimin në skenë”.
Në vitet 1966-‘67 vë në skenë “Fausti”, punon për një version të ri të Pinokut. Kritika nuk e kursen, kurse ai asnjëherë nuk ka pyetur për kritikën. E mbrojnë intelektualë si Moravia, e mbron Dario Fo që e konsideron provokator të madh, dikush që gjithnjë mbeti një outsider. Pasolini e vlerëson për pavarësinë dhe origjinalitetin dhe e fton Bene-n të luajë Kreontin te “Edipi mbret” (1967). Këtu hyn në kinema, për 5 vjet: Nostra Signora dei Turchi, Capricci (1969), Don Giovanni (1970), Salomé (1972) dhe Un Amleto in meno (1973). Thoshte: “Kinemaja gjithnjë ka shërbyer për të shitur historira, por kurrë askush nuk ka shitur film.”
Dhe kur hoqi dorë tha se donte të çlodhej: “Është rraskapitëse kinemaja që bëj unë.” Deklaratë që tregon për kushtet se si realizoheshin filmat e tij, jashtë sistemit komercial të prodhimit kinematografik, duke qenë ai shkrimtari, producenti, regjisori, aktori madje edhe ideatori i dekoreve.
Carmelo Bene i përshkruan filmat e tij si “muzikë për sytë”, një vështrim jo-natyralist ndaj ngjarjes, pa një fillim dhe një fund, ndaj personazheve për të cilët aktorët duhet të mishërojnë disa karakteristika të caktuara dhe loja e tyre të ngrihet në nivelet e groteskut. Edhe tingulli është një element që duhet të shkaktojë efekte të mprehta.
Bene u rikthye në teatër me një farë suksesi për vëniet në skenë të veprave “Darka e shakave” e Sem Benellit (1974), “Hamleti” (1975), “Romeo dhe Xhuljeta” e Shekspirit (1976), S.A.D.E. (1977) etj. Asnjëherë nuk ishte parë Shekspiri të interpretohej në atë mënyrë: ai e zhbënte Unin në skenë. Hamleti i Benes i recitonte pjesët më të rëndësishme duke i “flakur tej”. Për të përkufizuar këtë kërkim të vetin Bene përdor një neologjizëm: makina aktoriale. Ishte pjesë e një sistemi estetik që operon në mënyrë drastike me gjuhën dhe me komunikimin në përgjithësi.
Kinemaja është nga të paktat dëshmi konkrete që kanë mbetur për të ilustruar idetë e këtij aktori-filozof i cili kishte komunikuar dhe ishte influencuar nga bashkëkohës filozofë francezë si Deleuze, Foucault apo edhe psikanalist si Jasques Lacan.
“Nostra Signora dei Turchi” shfaqet sonte në mbrëmje, ora 21.30, në Kinema Imperial (Qendra Kristal).
Dita e pestë e TIFF-it
Është dita e fundit për disa kategori të filmit konkurrent në TIFF. Në programin e paradites shfaqen nëntë filma të shkurtër fiction, dokumentar eksperimental, animacion.
Në mesditë shfaqet “Mjeshtëria” i regjisorit spanjoll Jose Enrique March, një nga nëntë filmat në konkurrim për metrazhin e gjatë. Edhe shtatë të shkurtër në programin e pasdites, ndër të cilët dallohet një emër shqiptar: Mishel Koçiu, ish gazetar në RTSH. Koçiu merr pjesë me “Bird Poop”, fiction 29 minuta, prodhim amerikano-kanadez. Skenari është shkruar nga Koçiu dhe aktori Herion Mustafaraj i cili edhe interpreton bashkë me Nikolin Gjoklaj dhe Kristen Lucas.
Ora 19.30 shfaqet “Udhëtimi” nga Nejc Gazvoda, Slloveni, i seksionit konkurrues për metrazhin e gjatë.
E shtuna është dita e fundit për këtë edicion të nëntë të festivalit. Si gjithmonë kjo ditë i lihet seksionit të filmit shqiptar, kudo që është prodhuar në Shqipëri, Kosovë, diasporë, 27 gjithsej.
Ceremonia e çmimeve organizohet në orën 20.00 në Imperial II.