Zoti Twitter Jack Dorsey Ja si e krijova rrjetin social dhe si do ta ndryshoj

'Zoti Twitter', Jack Dorsey: Ja si e krijova rrjetin social dhe si do ta ndryshoj
Sfida e re e themeluesit të një prej faqeve më të vizituara të internetit. Të gjithë do të gjejnë atë që kërkojnë

“Gjithmonë kam qenë i interesuar të di sesi taksitë, ambulancat dhe makinat e policisë komunikojnë mes tyre. Në fund, mendova të krijoj një projekt për ata persona që ndajnë me të tjerët mesazhe të shkurtra, të thjeshta, përmes telefonave celularë”. Kështu mendoi të krijonte rrjetin e tij social, Jack Dorsey, babai i “Twitter”-it.

“Sot, më shumë se 100 milionë persona në botë përdorin ‘Twitter’-in për të qenë në kontakt me atë që është më e rëndësishme për ta”, thotë Dorsey. “Në këtë rast mund të jetë një person, organizatë, qeveri, ndërmarrje, apo njeri i famshëm. Njerëzit e përdorin ‘Twitter’-in për të ndjekur lajmet ose për të marrë vesh se çfarë bën bukëpjekësi poshtë shtëpisë. E gjithë kjo tregon se po ndryshon mënyra e komunikimit mes njerëzve. Pengesat artificiale, vendet, statuset dhe kultura nuk do t’i ndajnë më: janë si muret e një qyteti që bien në mënyrë që ti të mund t’i shohësh të gjithë”. Ky është një revolucion që lind nga pasionet, ëndrrat e një djaloshi të dashuruar me qytetet, hartat dhe veturat, çdo gjë që e rrethon. Ishte viti 2006. Pak kohë më parë, Dorsey kishte “braktisur” botën e programeve, pasi e kishin shkarkuar nga posti i punës, prandaj iu kthye sërish studimeve: botanikës dhe artit të masazhit. Nuk i kishte mbushur ende të tridhjetat dhe ishte i paqartë se çfarë do të bënte në jetë, të mbillte orkide apo të ndiqte pasionin për modën. Por mesa duket nuk preferoi asnjërën.

Ai zgjodhi të ndryshonte botën e komunikimit dhe sot, në moshën 35-vjeçare, figuron mes njëqind mendimtarëve më intelektualë të botës sipas “Foreign Policy”. Dorsey renditet në vendin e 17 të këtij klasifikimi, njësoj me “kolegun-rival” Mark Zuckerberg, “zotin Facebook” dhe një vend më poshtë se Christine Lagarde, drejtuesen e Fondit Monetar Ndërkombëtar. Pak më sipër qëndron Bill Gates, me të cilin është krahasuar shpesh Zuckerberg, ndërkohë që Dorsey (për më shumë se gjysmën e amerikanëve) është Steve Jobs-i i ri. Në fakt Dorsey-t nuk i pëlqejnë krahasimet. “Marrim shumë komente për punën që po bëjmë, sepse ‘Twitter’ është një pjesë e rëndësishme e jetës së shumë personave, por përpiqemi t’i injorojmë dhe të përqendrohemi për të bërë mirë punën tonë”, replikon Dorsey. Ai, njësoj si Jobs, ishte administrator i deleguar i shoqërisë së tij, pastaj u detyrua të linte postin (sot është president ekzekutiv).

Por cili është qëllimi i tij? Të themelojë një kompani që do të revolucionojë botën e kontakteve, e ndoshta edhe atë të bankave.

Quhet “Square”, është një shërbim që mund ta shndërrojë celularin në një lloj terminali për kartat e kreditit. Lexuesi kushton 10 dollarë (paratë të kthehen në momentin e regjistrimit në faqe) dhe “Square” merr një përqindje (2,75%) për transaksionet. Zyra elektorale e Barack Obama-s sapo e ka blerë dhe ka shpërndarë mijëra pajisje “Square” në të gjithë Shtetet e Bashkuara për të mbledhur fonde për fushatën elektorale. Pas suksesit në Amerikë, tani “Square” po pushton edhe Europën. Ndërkaq, rrjeti social “Twitter”, në gjashtë vite jetë, është bërë një shoqëri që vlen 10 miliardë dollarë, me 140 milionë dollarë të ardhura në 2011-n dhe qëllimin e mirë që të kalojë 500 milionë përdorues deri në fund të muajit. Plani më i afërt është zbarkimi në Pekin: “Për momentin, në Kinë jemi të bllokuar, megjithatë ka persona të cilët e kanë gjetur mënyrën për të përdorur ‘Twitter’-in, madje edhe shumë folës të gjuhës kineze në botë e bëjnë. E keqja është se për momentin e kemi të ndaluar të hyjmë në treg”, shpjegon Dorsey. Por cila do të jetë e ardhmja e “Twitter”-it? “Sfida e radhës do të jetë vlerësimi i informacioneve më të rëndësishme për përdoruesit tanë, në mënyrë që ata të zbulojnë në çdo kohë se çfarë po ndodh me botën”.

Ç’mendoni për të drejtën e autorit në epokën dixhitale? Është tejkaluar? Si mund të mbrohet talenti në këtë rast?

Është e rëndësishme të gjesh një ekuilibër mes pronësisë intelektuale të pronarëve të medias, lirisë së fjalës dhe aftësisë së çdo personi për t’i ndarë lehtësisht informacionet me pjesën të botës përmes internetit. Nuk mendoj se ky ekuilibër është vendosur, por po punojmë me të gjithë të interesuarit për të gjetur një zgjidhje.

“Twitter” e ka bërë më të lehtë komunikimin, por tani është më e vështirë të verifikosh një lajm. A nuk është pengesë kjo gjë?

“Twitter”-i, si platformë, po zhvillohet në një mënyrë jo shumë ndryshe nga interneti – ka fluks fillestar informacionesh që me kalimin e kohës do të rritet – por njerëzit mësojnë të identifikojnë se cilat janë burimet e besueshme dhe komunitetet e mëdha mund ta dallojnë shumë shpejt atë që është ose jo e vërtetë.

“Twitter”-i mund të përdoret për skupe të ndryshme. A është e drejtë një censurë?

Një nga vlerat më të rëndësishme të “Twitter”-it është të mbrojë të drejtat e përdoruesve, gjë që përfshin edhe të drejtën për t’u shprehur lirshëm. Duke i dhënë zë çdo njeriu në botë, jemi të bindur se do të kemi ndikim pozitiv mbi shoqërinë.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama