Zëvendësministri i Jashtëm, nga radhët e LSI, Selim Belortaja, ka rezervat e tij për mënyrën se si e ka mbuluar media inaugurimin e Erion Veliajt si kryetar të ri të Bashkisë.
“Ka marrë sërish vrull panairi ynë i … kotësive. Ajo që duhet të ishte thjesht një ulje në karrige e kryetarit të ri të Bashkisë, po i ngjan gjithnjë e më shumë një Inaugurimi Papal. Po ai bombardim mediatik, po ajo gjuhë solemne pontifikimi, po ai pompozitet imazhesh, hyri këtu, doli atje! Kaq apo aq nënkryetarë. Kjo shpurë, ajo eskortë. Transmetohet live, si do lyhet zyra, si do mobilohet… ç’ngjyrë do ketë tapeti, apo nuk do ketë fare tapet. Asnjë fjalë se ç’do bëjë kryetari për ujin e pijshëm, për sigurinë, zhurmat e ndotjen, Parkun e Tiranës që po tkurret çdo ditë… për tufat e qenve që janë shtuar e ndihen zot shtëpie, pse katandisemi kështu? Ka dy shpjegime: ose te funksionarët ka plasur një modë vaniteti ose … përfundimisht media jonë ka rrjedhur,” shkruan Belortaja në FB.