“Eposi i Kreshnikëve”
Zymer Neziri, nismëtar në Kosovë i projektit “Eposi i Kreshnikëve”, ka pranuar për gazetën “Zëri”, se ai ka kërkuar nga Qeveria e Republikës së Shqipërisë që të ndalë projektin, pasi sipas tij, njëri nga anëtarët e komisionit nga pala e Shqipërisë ka dalë nga konturet e projektit. Neziri i është drejtuar edhe ambasadorit të Shqipërisë në Kosovë, që të kontribuojë në ndaljen e projektit që duhej dorëzuar në UNESCO në mars të këtij viti.
Neziri, pa u ndjerë fajtor, ka thënë se ishte nisma e tij ajo që nisi në vitin 2008, në Institutin Albanologjik të Prishtinës, për të zgjeruar më pas ekipin edhe me ata të Shqipërisë, duke futur në komision: Shaban Sinanin e Vasil Tolen. “Ky projekt në vitin 2008 ka nisur me qëllim që të realizohet në bashkëpunim mes Prishtinës dhe Tiranës dhe pas hartimit të tij si projekt i përbashkët të dorëzohet në UNESCO. Për një zyrtarizimi të këtij komisioni, unë kam kërkuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës që të vërtetohet se është komision qeveritar i Republikës së Kosovës për përpilimin e projektit ‘Eposi i Kreshnikëve’, gjë që edhe është pranuar në vitin 2011”, ka thënë Neziri. Sipas tij, Qeverisë së Republikës së Kosovës edhe në vitin 2009 edhe në vitin 2010 i është dorëzuar materiali me nga 100 faqe, që ka përfshirë punën e këtij komisioni. Mirëpo, projekti që kërkonte 140 mijë euro dhe të cilat i premtoi MKRS-ja, nuk u dhanë asnjëherë. “Është specifikuar në MKRS që projekti do të kushtojë 140 mijë euro, por ato para kurrë nuk janë ndarë për projektin ‘Eposi i Kreshnikëve’, dhe deri më tani nëse është dashur të jepen para, ato janë dhënë nga xhepi im”, ka thënë Neziri.
Zymer Neziri thotë se përkushtimi dhe energjia e tij ka marrë fund në vitin 2011, si pasojë e neglizhencës së institucioneve të Kosovës, e në këtë rast ka njoftuar edhe kryeministrin.
“Por pikërisht në pranverën e vitit 2011, kur ne si komision qeveritar i Kosovës për projektin ‘Eposi i Kreshnikëve’, kemi ndalur punën si pasojë e buxhetit, sherri ka plasur në Tiranë. Vasil Tole, anëtar i komisionit tonë, kishte nisur atje projektin tjetër paralel të quajtur ‘Eposi i Kreshnikëve’ në kategorinë ‘në rrezik’, ndërsa në atë paraprak që e patëm hartuar ne, ishte në kategorinë ‘vlerë’. Kjo iniciativë e Toles më ka shqetësuar shumë, pasi ne kishim marrëveshje që fillimisht të kalojmë kategorinë vlerë, për të kaluar më pas me atë në rrezik”, ka thënë Neziri. Sipas tij, ky veprim i Toles e ka detyruar atë që të kërkojë ndihmën e Qeverisë së Republikës së Shqipërisë për ta ndaluar projektin, pasi nisma e tij ka një adresë tjetër.
“Unë nuk jam njoftuar zyrtarisht nga Tirana se pse është ndalur projekti, por di që një kërkesë të tillë e kam adresuar”, ka thënë Neziri. Mirëpo, se sa ka humbur kombi shqiptar për këto ngatërresa Kosovë-Shqipëri, duke pasur parasysh vonesën për aplikimin e radhës në UNESCO, Neziri ka thënë se kjo është më shumë luftë mediatike, se sa e vërtetë. “Ne mund të konkurrojmë atëherë kur të jemi gati”, ka thënë ai. Edhe përkundër fakteve se ky projekt edhe më tutje nuk ka buxhet të ndarë, Neziri ka thënë se nuk do të heqë dorë dhe se shpreson që projekti të realizohet po me atë përbërjen e vjetër.
“Tirana është treguar e papërgjegjshme për gjendjen atje”, thekson Neziri duke mos hezituar të kritikojë edhe Prishtinën. “Edhe Prishtina nuk ka qenë kaq fukara që të më trajtojë në këtë mënyrë prej kaq vitesh”, ka përfunduar ai. Por Vjollca Aliu, drejtoreshë e Departamentit për Trashëgimi Kulturore në kuadër të MKRS-së, ka thënë për gazetën se nuk qëndron deklarata e Zymer Nezirit se projekti nuk është ndihmuar asnjëherë nga Qeveria e Republikës së Kosovës, pa dhënë detaje të tjera.