Zyra e Punesimit mundesi per mbi dy mije te papune

Zyra e Punesimit, mundesi per mbi dy mije te papune

Përurohet Zyra e parë e Punës në Tiranë. Në internet, por edhe në formë zyrtare, të gjithë të papunët do të kenë mundësi të informohen për mundësitë e punësimit në vend, ndërsa pritet që të ketë edhe marrëveshje specifike me kompani apo subjekte, të cilët do të kërkojnë të rekrutojnë punëtorë apo punonjës në sektorë të caktuar. Deri tani janë evidentuar mbi dy mijë vende pune në të gjithë vendin, dhe zyra e përuruar dje do të ndihmojë të gjithë ata që janë nevojtarë. Në rast se zyra nuk do të ketë mundësi ndërmjetësimi, atëherë do të jepet një kupon, me të cilin qytetari të mund të ndjekë një kurs falas në qendrat e formimit profesional.

Dje në ditën e parë të përurimit të Zyrës së Punës, faqja zyrtare e internetit www.puna.gov.al, ku do të aplikojnë të papunët, në pjesën më të madhe të rasteve nuk punonte.

Dje portali elektronik nuk ka punuar me kapacitet të plotë dhe nuk ka ofruar informacion të bollshëm. Informacionet dhe programet nuk ishin të përditësuara dhe mungonte sqarimi i detajuar për punëkërkuesit. Ndërkohë që për të marrë informacionin e hollësishëm, klikim pas klikimi faqja nuk hapej, materialet e vendosura në dispozicion për punëkërkuesin nuk shfaqeshin apo në shumicën e rasteve faqja nuk ishte e aksesueshme, me informacion të bollshëm.

Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, në bashkëpunim me Delegacionin e Bashkimit Europian dhe me mbështetjen e Agjencisë gjermane të Punësimit dhe bizneseve vendase, përuroi sot Zyrën e re të Punës në Tiranë. Zyra e Punës vjen si projekt i financuar nga Bashkimi Europian, i zbatuar nga ILO, dhe është një nga prioritetet kryesore të Ministrisë së Mirëqenies në lidhje me fushën e punësimit. Në inaugurimin e Zyrës së Punës në Tiranë mori pjesë edhe Kryeministri Edi Rama. Kjo zyrë ka për qëllim të ofrojë një qasje më të fokusuar ndaj klientit, duke përfshirë standardet e përmirësuara të ofrimit të shërbimeve. Për të lehtësuar këtë qasje është ristrukturuar procesi i shpërndarjes së shërbimeve, shërbimi në këtë zyrë ofrohet në tri nivele, në përputhje me modelin e ri të ofrimit të shërbimeve:

Ofrohet informacion mbi çështje të lidhura me tregun e punës, të cilat mund të aksesohen në mënyrë të drejtpërdrejtë nga klienti dhe publiku, shërbime bazë duke përfshirë regjistrimin, këshillimin dhe ndërmjetësimin; ofrohet orientim i specializuar dhe këshillim i thelluar, që kërkojnë input të konsiderueshëm nga stafi i zyrës. Zyra moderne e Punës do të ofrojë regjistrimin dixhital të punëkërkuesve dhe punëdhënësve, përmirësimin e efikasitetit të procesit të ndërmjetësimit, përshkrimin dhe përditësimin e vendeve të lira të punës, ndjekjen efektive të të gjitha aplikimeve, aksesin në linjë të shërbimeve për qëllime të regjistrimit dhe të kërkimit të vendeve të lira të punës.

Në fjalën e tij, ministri Veliaj vuri theksin në domosdoshmërinë e pasjes së një zyre funksionale pune, pikërisht pse punësimi është një nga prioritetet e qeverisë shqiptare, sidomos i të rinjve shqiptarë. “Për një kohë të gjatë, njerëzit as nuk e dinin se ku ishte Zyra e Punës. Ajo ndodhej në një cep të humbur të Tiranës, ku askush nuk e gjente. Ky realitet është edhe në qytete të tjera të Shqipërisë. Qeveria e ka trefishuar fondin e punësimit dhe shumë shpejt do të hapim një konkurs për kompanitë, të cilat duan ta aksesojnë këtë fond dhe të shpërblehen në bazë të punonjësve që do të punësojnë dhe në bazë të vendeve të punës që do të hapin”. Ministri Veliaj theksoi se me Zyrën e re të Punës fillon një marrëdhënie e re të qytetarëve me shtetin. “Është shumë e rëndësishme që të ofrojmë një shërbim dinjitoz për punëdhënësit dhe punëkërkuesit në të gjithë Shqipërinë, ku njerëzit marrin një përgjigje. Në mungesë të një vendi pune, qytetarët do të marrin një kupon, i cili u mundëson një kurs falas në qendrat e formimit profesional, çka do t’i bëjë të aftë për nevojat e tregut të punës”, tha ai.

“S’kam dyshim se si për çdo gjë do të ketë mohues për të cilët hapja e një zyre shërbimi për punësimin fare thjesht si gjithmonë do të konsiderohet asgjë. Ashtu si mund të ketë të tjerë, që këtë zyrë apo gjithë zinxhirin e këtyre zyrave në vazhdim mund ta konsiderojnë gabimisht si zgjidhje të menjëhershme dhe përfundimtare të problemit të punëkërkimit. Realiteti nuk qëndron as në një krah dhe as në krahun tjetër, por qëndron te një mundësi e shtuar, të cilës punëkërkuesit duhet t’i kushtojnë vëmendjen e duhur dhe punëdhënësit duhet t’i japin besimin e duhur,” tha Edi Rama, Kryeministri i Shqipërisë.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama