Tentativa ose dëshira për ta përsëritur këtë veprim, do të thoshte babai i psikologjisë, Frojdi, është "çapkëne": një individ çdo 7 vjet punë dëshiron të ketë një partner të ri seksual mes personave që i përkasin ambientit të tij profesional. Sondazhet e fundit dhe "ligjin e Kupidit" i ofron psikoanalisti Loïch Roche, në kërkimin e tij "Kupidi në punë. Dashuria në kohën e pushimit të drekës" (një libër mjaft ngacmues që në Francë ka ndezur shumë debate). "Ligji i engjëllit të pacipë" është i vlefshëm për realitetin dhe përfshin nga 200 deri në 1500 punonjës me një vjetërsi pune nga 2 deri në 12 vjet: për shembull në një kompani me 200 punonjës, ku të paktën gjysma prej tyre kanë të paktën 5 vite punë, vërehen 75 lidhje dhe janë të përfshirë plot 150 kolegë. Është një shifër pak e ekzagjeruar, apo jo? Gjithsesi kontrolloni për të besuar ashtu siç bëri edhe psikoanalisti. Roche monitoroi nga afër tri kompani franceze: Qendrën Kombëtare të Kërkimit Shkencor, Telekomin e Francës dhe Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë. Si është e mundur që zgjidhen gjithmonë ambientet e punës për t‘iu dorëzuar totalisht impulseve më sekrete?
Natyrisht që puna të ofron zgjedhje erotike shumë më të mira se ato të zakonshmet. Gjithashtu puna të jep mundësinë që të tregosh se cili je në të vërtetë, të kujdesesh për veten, të vishesh mirë, të trukohesh. Megjithatë gjithçka ndodh për një arsye të vetme: për të flirtuar. Zyrat janë zonat pa limit për të flirtuar apo për të pasur marrëdhënie, "vendet e ndaluara" që nxisin lidhjet dhe pasionet, pra janë këto agjencitë e vërteta të dashurisë. Cilët janë joshësit e mëdhenj? Ekziston një lidhje e ngushtë midis pasionit hierarkik dhe suksesit në historitë e dashurisë. Tashmë koha e Romeos dhe Zhuljetës, e dashurisë së pamundur, ka perënduar. Por për psikoanalistin, historitë e gjata të dashurisë, ato që janë paksa të ngatërruara, ndotin ambientin dhe "kanë një çmim që jeta profesionale nuk është në gjendje t‘i paguajë".
Takimet e rëndësishme
Personat e dashuruar mund të takohen gjatë pushimit të drekës, ose gjatë orarit të punës, me justifikimin klasik se duhet të zhvillohet një mbledhje e rëndësishme që doli papritur. Kështu, nga pamundësia e një lidhjeje intime në zyrë, gjithçka mund të transferohet në makinë, apo ndonjë hotel pas pune. Një dashuri e vjedhur dhe e shpejtë, por shumë intensive dhe eksituese. Pastaj rrugë e lirë SMS-ve, e-mail-eve, puthjeve dhe bisedave në makinë, si në kohët e bukura të adoleshencës. Kjo është një mënyrë për t‘iu rikthyer edhe një herë rinisë, duke menduar se koha nuk ka kaluar kurrë. Por në zyrë, ashtu si në restorant, është e rëndësishme të ndjekësh disa rregulla për sjelljet që duhet të adaptosh ose jo me kolegët superiorë, pa i dhënë shumë rëndësi asaj që ndjen për të mos rënë në sy. Pjesa më e madhe e rregullave bazë në fakt i përmbahet sensit të mirë dhe edukatës.
Kur prezantohen dy persona njëri me tjetrin, duhet t‘i drejtohemi gjithmonë dhe t‘i japim më shumë rëndësi dikujt që ka një pozicion më të lartë pune, për shembull: "Doktor Bianki, ju prezantoj zotin Rosi, asistentin tonë të ri"
- T‘i japësh dorën çdo personi që e takon për herë të parë.
- Nëse dëgjon muzikë në zyrë, duhet të zgjedhësh muzikë të lehtë dhe ta mbash volumin e ulur.
- Të trokasësh gjithmonë para se të hysh në zyrë nëse porta është e mbyllur dhe të presësh deri sa të të ftojnë të hysh para se ta hapësh.
- Të flasësh me edukatë dhe në mënyrë të sinqertë. Të shmangësh përkëdheljet, kërcënimet dhe sarkazmin.
- Ankimet dhe kritikat duhet të bëhen gjithmonë në mënyrë private.
- Bisedat e gjata mund të bëjnë të humbasësh shumë kohë në punë. - Bisedat e padëshiruara mund të ndërpriten me mirësjellje pa shkaktuar ofendime me fraza të tipit "Më vjen keq, por tani më duhet vërtet t‘i rikthehem punës".
- Gjatë një bisede me një eprorin tënd, duhet të presësh gjithmonë të të japin leje për t‘u larguar dhe të mos humbasësh iniciativën për ta përfunduar takimin.
Gazeta: Shqip