Gjykata e Arbitrazhit Sportiv (KAS) në Lozanë ka bërë të ditur se kur do të mbahet seanca dëgjimore e çështjes që sheh si kundërshtarë Skënderbeun dhe UEFA-n.
Klubi korçar ka apeluar dënimin e dhënë nga UEFA për pezullimin njëvjeçar nga pjesëmarrja në Ligën e Kampioneve. Klubi ka pajtuar tre avokatë të njohur italianë: Antonio Konte, Kamilo Mineo dhe Gabriele Zukereti, pasi ka bindjen se mund ta ndryshojë në KAS masën e marrë nga UEFA kundër korçarëve.
Avokatët dhe drejtuesit e klubit korçar do të jenë të hënën para panelit dëgjimor të KAS, pasi ky organ ka publikuar në kalendarin e saj mujor se kjo seancë do të mbahet më 4 korrik.
Aty palët do të shpalosin argumentimet e tyre, ndërsa një vendim do të jepet me datë 5 apo 6 qershor, pasi si UEFA, ashtu edhe Skënderbeu kanë kërkuar një gjykim të përshpejtuar.
Nëse vendimi i UEFA-s do të mbetet në fuqi, atëherë Skënderbeu nuk do të mund të luajë kundër Ferencvarosh në turin e dytë eliminator të Ligës së Kampioneve, ndërsa nuk do të zëvendësohet nga asnjë ekip shqiptar në këtë turne.