Federata Gjermane e Futbollit ka vendosur që të mbyllë shumë shpejt diskutimet rreth të ardhmes së Joakim Lëv. Pas bisedimeve të zhvilluara sot mes drejtuesve dhe trajnerit 56-vjeçar, është njoftuar zyrtarisht se ai do të qëndrojë në drejtimin e përfaqësueses deri në vitin 2018, siç parashikohej në kontratë.
"Padyshim që të gjithë ishim të zhgënjyer pas gjysmëfinales, pasi kishim punuar shumë në javët para dhe gjatë turneut. Ishte e nevojshme që të shkëputeshim pak ditë dhe të pushonim. Por për mua gjërat janë të qarta: Pavarësisht zhgënjimit, skuadra nuk zhgënjeu.
Ajo ishte skuadra më e re e turneut, unë shoh ende shumë potencial në ekip. Jam i sigurt se ata do të na japin përsëri shumë gëzim, ndaj gëzimi im është po aq i fortë sa gjithmonë për të punuar me këta lojtarë dhe që ata të zhvillohen me sytë nga Kupa e Botës 2018", ishin fjalët e trajnerit për faqen e internetit të Federatës Gjermane të Futbollit.