Ndërsa të gjithë mendonin se do të ishte shumë e vështirë që Golden Steit Uorriors të përmirësohej më shumë, skuadra që vendosi rekordin e fitoreve në sezonin e rregullt në NBA, ka arritur të afrojë një nga pikëshënuesit më të mirë në qarkullim, Kevin Durant.
Katër herë fituesi i titullit të pikëshënuesit më të mirë në sezonin e rregullt dhe pjesëmarrës në 7 All Star Game, deklaroi se do t'i bashkohej Golden Steit Uorriors, duke braktisur Oklahoma Siti Thandër, për të cilët kishte luajtur në 9 vitet e tij si profesionist.
Durant ka nënshkruar një kontratë dyvjeçare, nga e cila do të përfitojë 54,3 milionë dollarë. "Qëllimi im kryesor ka qenë të merrja vendime në bazë të potencialit të rritjes si lojtar dhe kjo më ka shtyrë gjithmonë në drejtimin e duhur", ishin fjalët e Durant.
"Por unë jam gjithashtu në një pikë të jetës ku është njëlloj e rëndësishme të gjej mundësinë që të inkurajoj evoluimin tim si njeri. Tani po dal nga zona e 'sigurisë', drejt një qyteti të ri dhe një komuniteti i cili më ofron potencialin më të madh për kontributin dhe rritjen personale. Duke pasur këtë parasysh, unë vendosa t'u bashkohem Giolden Steit Uorriors".
Durant do të përforcojë një skuadër e cila në sezonin e kaluar fitoi 73 nga 82 ndeshjet e sezonit të rregullt, por u mund në mënyrë të papritur në finalen e NBA nga Kliveland Kavaliers me rezultatin 4-3.