Merr fund pritja te Luftëtari. Pas orvatjeve të shumta, gjirokastritët kanë zgjedhur trajnerin që do t'i drejtojë në Kategorinë Superiore. Bëhet fjalë për serbin Mlladen Milinkoviç, i cili dje pasdite ka zyrtarizuar marrëveshjen me drejtuesit bluzinj.
Ka qenë vetë klubi që ka konfirmuar lajmin, ndërsa me një postim në faqen zyrtare në "Facebook" shkruante: "Mlladen Milinkoviç është trajneri i ri i Luftëtarit. Tekniku serb ka arritur marrëveshjen me drejtuesit e klubit dhe do të drejtojë Luftëtarin në sezonin e ri. Drejtuesi i ri i pankinës gjirokastrite vjen me një CV të pasur në drejtim të skuadrës gjirokastrite. Forca Luftëtari".
Bashkangjitur me këtë postim ishte edhe një foto e trajnerit të sapoemëruar dhe donatorit Grigor Tavo, e cila është shkrepur fill pas mbylljes së marrëveshjes. Sakaq, gazeta zbulon se kontrata do të jetë 1-vjeçare, por nëse ekipi do të ketë ecuri pozitive, nuk përjashtohet mundësia që të ketë rinovim.
Gjatë karrierës së tij si trajner, ai ka qenë në krye të disa ekipeve, ndërsa fillesat i ka pasur te FK Guçevo, ku qëndroi për dy sezone (1996-1998). Më tej ka marrë ekipin e të rinjve të FF Jaro, për të kaluar më pas te Radniçki Stobex, Jedinstvo, Drina Zvornik, Bane Rashka, Loznica, BSK Borça, OFK Igalo dhe i fundit ekip që ka drejtuar është FK Radnik Surdulica.
Me këta të fundit ai është shpallur edhe kampion në 2014- 2015. Pas emërimit të trajnerit, tashmë pritet që të marrë zyrtarisht jetë Luftëtari i ri. E vetmja blerje e bërë në këtë periudhë merkatoje është lushnjari Zdrava, ndërsa në vazhdim pritet që Milinkoviç të zbardhë edhe kërkesat e tij. Një pjesë e mirë e grupit që mbylli sezonin është blinduar, megjithatë grupi do të pasurohet me emra të tjerë.
Tomor Shehu