Zyrtaret e pastrehe te Berishes me vile tek Gjiri i Lalzit

Zyrtaret e 'pastrehe' te Berishes, me vile tek Gjiri i Lalzit

Pas nisjes së investigimit nga gazeta “Shekulli” ku shtatë deputetë kishin fituar kredi të butë si të pastrehë, të tjera fakte dalin në dritë të cilat zgjerojnë rrethin e personave që kanë përfituar nga kjo skemë. Sipas investigimit të emisionit “Fiks Fare”, dokumentohet se dy zyrtarët e lartë të ish- qeverisë, të deklaruar si të pastrehë, arrijnë të marrin kredi të butë (lehtësuese) për të blerë një shtëpi në Gjirin e Lalzit në Durrës.

Ish-këshilltari për çështjet ligjore i ish-kryeministrit Sali Berisha, Admir Drago dhe ish-zëvendësministrja e Drejtësisë në qeverinë Berisha, Brikena Kasmi (në foto), kanë përfituar të dy nga një kredi qeveritare prej pesë milionë lekësh të reja secili për të njëjtin pronë në zonën A të vilave në Vilën nr.9, ndodhur në Gjirin e Lalzit.

Edhe kontratat me bankën janë nënshkruar nga të dy ish-zyrtarët brenda së njëjtës ditë, 20 gusht 2010. Kështu, “të pastrehët”, zyrtarë të lartë të ish-qeverisë bëhen pronarë të një vile në Gjirin e Lalzit me të drejta të plota.

Investigimi

 Dy zyrtarë të lartë të ish qeverisë të deklaruar si të pastrehë, burrë e grua marrin kredi të butë për të njëjtin objekt, ndërkohë që në realitet, objekti në fjale është një shtëpi pushimi në plazhin e Gjirit të Lalzit në Durrës.

Kamerat e Fiks Fare kanë  dokumentuar gjithçka me anë të pamjeve filmike duke demaskuar haptazi manipulimin e bërë me dokumente. Tregohet me fakte sesi ish-këshilltari për çështjet ligjore i ish-kryeministrit Berisha, Admir Drago dhe ish-zëvendësministrja e drejtësisë ne qeverinë Berisha, Brikena Kasmi, kanë përfituar të dy nga një kredi lehtësuese prej pesë milionë lekësh secili për të njëjtin apartament me sipërfaqe 107.24 metra katrorë në zonën A të vilave në Vilën nr 9, i ndodhur në Gjirin e Lalzit në Durrës.

Në dokumentet që janë dorëzuar pranë bankës që ka lëshuar kredinë, vëren se të dy këta persona janë bërë dorëzanës për njëritjetrin për kredinë që ka marrë secili dhe kanë blerë të njëjtin apartament. Ish-zëvendësministrja e drejtësisë, zonja Kasmi në deklaratën e saj  noteriale që është futur në dosjen e saj të kredisë deklaron se është e martuar dhe ka dy fëmijë.

 Ndërsa në dosjen e kredisë të të dy këtyre ish-zyrtarëve përveçse se janë dorëzanës për njëri-tjetrin, dorëzanës të njëjtë në të dyja dosjet janë prindërit e ish-zëvendësministres. Marrja e kredisë nga dy bashkëjetuesit për të njëjtën shtëpi është marrë në po të njëjtën bankë pa as edhe një lloj problemi, apo hije dyshimi dhe kontratat me bankën janë nënshkruar nga të dy ish-zyrtarët brenda së njëjtës ditë, 20 gusht 2010. Kështu, nga të pastrehë çifti i zyrtarëve të lartë të ish-qeverisë u bënë pronar të një vile në Gjirin e Lalzit me të drejta të plota.

Në Vendimin e Këshillit të Ministrave nr 600 të datës 12.09.2007 është parashikuar trajtimi i zyrtarëve të shtetit me kredi me kushte lehtësuese, nga shteti për blerje banese apo sipërfaqe banimi shtesë, në vendin e ushtrimit të detyrës. Ndërsa pika 21/3 e udhëzimit të MPPT dhe MF nr 6257/2008, i ndryshuar sqaron qartë se banka akordon kredinë që subjektin që ka përfituar sipas VKM-së së mësipërme vetëm për blerje banesë në qytetin ku këta zyrtarë ushtrojnë veprimtarinë për të cilën kanë përfituar të drejtën e subvencionimit. Asnjë prej dy ish-zyrtarëve të lartë të ish-qeverisë “Berisha” nuk e ka patur qendrën e punës në Gjirin e Lalzit ku kanë përfituar shtëpinë e pushimit në bllokun e vilave.

Deputetët me kredi të buta

 Nga një hulumtim i gazetës ‘Shekulli”, rezulton se gjatë 8 viteve, 2005-2013 nga kjo mundësi kanë përfituar gjithsej shtatë deputetë, midis të cilëve edhe një deputet socialist. Nga dokumentet që disponon gazeta, rezulton se janë gjithsej 6 deputetë të Partisë Demokratike që kanë përfituar nga statusi i tyre si deputet.

Sipas dokumentit që disponohet, thuhet se deputetët janë trajtuar me kredi strehimi ‘bazuar në vendimin nr 600, datë 12.9.2010, të Këshillit të Ministrave “Për trajtimin me strehim të   nëpunësve civilë të administratës së lartë shtetërore dhe funksionarëve politikë”.

 Të shtatë kanë fituar nga 5 milionë lekë kredi. Sipas dokumentit, fituesit e kredive të buta janë: Arenca Trashani (deputete e PDsë, qarku Shkodër); Astrit Bushati (deputet i PD-së, qarku Shkodër), Edi Paloka (deputet i PD-së, qarku Lezhë), Gjergji Papa (deputet i PD-së, qarku Korçë); Ndue Paluca (deputet i PD-së, qarku Shkodër); Paulina Hoxha (deputete e PS-së, qarku Shkodër), Paulina Hoti (deputete e PD-së, qarku Lezhë).  


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama