Zyrtarja merr peng shoqen

Zyrtarja merr peng shoqen

Xhelozia për të dashurin ka çuar në një ngjarje të rëndë dy ditë më parë. Një femër dhe dy të rinj janë vënë në pranga pasditen e djeshme nga Komisariati Nr. 2 pasi akuzohen se kanë mbajtur peng një vajzë për disa orë.  Ngjarja ka ndodhur pasditen e së martës në Tiranë, ndërsa vajzat dyshohet se janë konfliktuar në lidhje me një djalë. Policia ka bërë me dije mbrëmë se janë ndaluar E. Bode, 25 vjeçe, Renato Masmalaj, 23-vjeç dhe Eduart Karaj, 23 vjeç.

Shkak mësohet se është mbajtja peng e A. Lazrit, një të reje, e cila menjëherë pas lirimit ka shkuar dhe denoncuar me emra rrëmbyesit e saj.  Policia mbrëmë ka qenë mjaft e kujdesshme në lidhje me publikimin e të dhënave, ndërsa bëhet me dije se vajza e vënë në pranga është një funksionare e Ministrisë së Teknologjisë dhe Inovacionit. E. Bode punon në zyrën e marrëdhënieve me publikun. Megjithatë Bode mësohet se ende është në fazën e shoqërimit dhe nuk dihet nëse ndaj saj do të merret masa e arrestit në kushtet e flagrancës.

Ngjarja

Gjithçka ka ndodhur pasi E. Bode ka dyshuar në lidhje me A.Lazrin, e cila edhe kjo mësohet se është rreth 25 vjeçe, që ka krijuar lidhje me një mikun e saj. Konflikti ka ndodhur mesditën e së martës  dhe më pas mësohet se A. Lazri ka lënë një vend që të takohet për tu sqaruar me Boden në lidhje me akuzat e ngritura ndaj saj. Mirëpo Bode mësohet se ka shkuar e shoqëruar edhe me dy miq të saj të cilët e kanë ndihmuar në realizimin e planit dhe që të tre bashkë kanë mbajtur peng në një ambient Lazrin.  Pengmarrja ka zgjatur për rreth 4 orë dhe sipas të dhënave, mësohet se mbi vajzën është ushtruar presion dhe dhunë psikologjike. Pas katër orëve, vajza është lënë e lirë dhe tre pengmarrësit kanë ikur të qetë pasi nuk kanë menduar se mund të denoncoheshin.

Lazri ka bërë kallëzim të menjëhershëm në polici duke treguar me emër vajzën dhe njërin prej djemve, ndërsa policia ka punuar për disa orë për të identifikuar edhe personin tjetër.Bode, e cila është mësuar se është pjesë e rëndësishme e një dikasteri është lënë të përfundojë edhe orarin e punës ditën e djeshme, ndërsa pasdite policia ka hyrë në operacion për t’i kapur që të tre personat që ishin denoncuar.  Deri mbrëmë vonë, saktësohet se tre të shoqëruarit dhe të akuzuarit për pengmarrje kanë dhënë deklarime përballë oficerëve të hetimit të krimit të Komisariatit nr 2 në kryeqytet.

Hetimet

E. Bode, 25-vjeçarja nga Berati mësohet se aktualisht mban  postin e zv. drejtoreshës së Organizatës “E Ardhmja Jonë” si dhe të Drejtoreshës së PR në Ministrinë e Teknologjisë dhe Inovacionit.  Ajo është personi kryesor ndaj së cilës është drejtuar edhe akuza e vajzës që është mbajtur peng, ndërsa sipas të dhënave të policisë, mësohet se asnjëri prej tre personave të shoqëruar nuk e ka pranuar të ketë kryer një akt të tillë.

Një burim policor thekson se në të vërtet vajza e mbajtur peng nuk ka dëmtime fizike, pasi tre pengmarrësit kanë patur edhe frikën e denoncimit prej saj. Mirëpo Lazri, vajza e mbajtur peng ka rrëfyer me detaje gjithçka ka ndodhur mes tyre. Burimet tregojnë se po verifikohen tabulatet telefonike si dhe roli që kanë patur dy djemtë në bashkëpunimin me zyrtaren e Ministrisë së Inovacionit.

Tre të rinjtë e prangosur kanë mohuar kategorikisht mbajtjen peng. Ata mësohet se i kanë thënë policisë se thjesht i kanë kërkuar sqarim vajzës dhe se nuk e kanë mbajtur për asnjë sekondë peng.  Policia mësohet se ka kërkuar edhe shoqërimin e disa personave të tjerë që kanë dijeni mbi konfliktin mes dy vajzave për të mësuar se çfarë ka ndodhur me të vërtetë. Vajza mësohet se është mbajtur peng në një lokal, po policia nuk bën me dije vendin dhe emrin e lokalit.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama