23 Janar 2025

Dorëshkrime të Jeronim de Radës, që janë në Kozenca të Italisë do të vijnë në Shqipëri. Teksa 2/3 gjenden në Arkivin Qëndror Shtetëror, pjesa e mbetur në Bibliotekën e Kozencës pritet që të merret në dorëzim në muajt në vijim nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, por kjo arrihet falë një marrëveshjeje mes dy institucioneve. Kjo u bë me dije një ditë më parë nga vetë DPA-ja, përmes një njoftimi rreth Konferencës së IX-të Mbarëkombëtare e Arkivistikës, që do të mbahet në muajin qershor këtë vit në Shën Mitrër, në Arbërinë kalabreze. “Konferenca do të shoqërohet me një sërë aktivitetesh të tjera, si ekspozitë në Bari, me rastin e 100 -vjetorit të vdekjes së Luigj Gurakuqit, marrjen e 1/3 të dorëshkrimeve të Jeronim de Radës nga Biblioteka e Kozencës, teksa 2/3 gjenden në AQSH, aktivitet të përbashkët në Rosano, me përfaqësues të Muzeut të Rossano-s, ku strehohet simotra e “biblës tonë perandorake”, Kodiku i Beratit, si dhe vizita në disa prej katundeve arbëreshe të Kalabrisë dhe Pulias”, thuhet në njoftimin nga DPA.

Studiues dhe të interesuar mund të aplikojnë për kumtesa në Konferencën e 9-të Mbarëkombëtare të Arkivistikës, që do të organizohet më 13-17 qershor, në një epiqendër të shqiptarisë, në Shën Mitër (San Demetrio Corone), në Kalabri të Italisë. Konferenca do të bashkëorganizohet nga DPA, Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës dhe Komuna e Shën Mitrit. Abstraktet e punimeve për të dyja thirrjet do të pranohen deri më datë 5 prill 2025 në shqip, në italisht ose në anglisht, në faqen botime.arkiva.gov.al. Shpenzimet e udhëtimit dhe qëndrimit për kumtuesit e përzgjedhur do të mbulohen nga organizatorët.

Shën Mitri ndalesa e radhës e konferencës

Shën Mitri është ndalesa e radhës e kësaj konference periodike, pas Prishtinës, Shkupit, Sarandës, Tuzit, Boletinit, Manastirit dhe Elbasanit, që mbledh ekspertë, arkivistë dhe studiues të arkivave nga mbarë trevat shqiptare, për të bashkëndarë rezultatet dhe për të koordinuar veprimtarinë arkivore në rang kombëtar. Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave shprehet se qëllimi i saj është të mbledhë ekspertët dhe studiuesit e arkivave të vendeve shqipfolëse, të arkivave të rajonit dhe jo vetëm, të cilët diskutojnë çdo vit për problematikat, metodologjinë e studimit, digjitalizimin dhe përmirësimin e infrastrukturës së përmbajtjes, inovacionin, si dhe vizionit të punës së arkivave në realitetet e sotme.

“Gjithashtu një panel i veçantë në konferencë do t’i përkasë studiuesve, të cilët do të paraqiten me tema që kanë të bëjnë me gjuhën, historinë dhe kulturën e arbëreshëve”, thuhet nga DPA. Materialet e përgatitura dhe të paraqitura prej kumtuesve, do të kurorëzohen me botimin e të vetmes revistës në fushën e arkivave anëkënd trojeve, “Arkivat Shqiptare”. Në vitin 1951, Arkivi Qendror i Shtetit kaloi në varësi të Ministrisë së Punëve të Brendshme, varësi të cilën e ruajti deri në vitin 1962, kur u krijua Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Shtetit (sot Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave) , në varësi të Këshillit të Ministrave. Krahas të qenit organ qëndror, kjo drejtori kishte dhe ka edhe atributet e Arkivit Qendror Shtetëror, si arkivi më i rëndësishëm dhe më i pasur i rrjetit arkivor të vendit.

Nga Julia Vrapi