1 shtator 1928, Shqipëria monarki për herë të tretë
2 Shtator 2024
Herën e parë u shpall me 22 shkurt 1272; Papa Gregori X shpalli “Regnum Albania” dhe njohu si mbret Karlin I Anzhu i Dinastisë Kapetiane, mbret francez i Siçilisë e princ i Akeas, vëlla i mbretit të Francës Luis IX, i njohur si “Shën Luisi”.
Herën e dytë u shpall në korrik 1913: Konferenca e Ambasadorëve shpall Shqipërinë monarki e më pas u thirr në fron gjermani Princ Vidi, Wilhemi i Vidit. E rrëzoi rebelimi i Shqipërisë së Mesme i financuar kryesisht nga Italia.
Herën e tretë: Me 1 shtator 1928, Asambleja Kushtetuese shpalli Shqipërinë monarki dhe u thirr në fron Ahmet Zogu nën titullin Zogu I, Mbret i Shqiptarëve.
Zogu I ishte bej ushtarak prej familjeje bejlerësh e pashallarësh. Ai ishte shkolluar në shkollën e oficerëve në Stamboll dhe në Liceun Francez të Gallatasarajit. Në moshën 17 vjeç qe ftuar si delegat në shpalljen e Pavarësisë në Vlorë. Më pas në moshën 18 vjeçare, bashkë me Mazar bej Toptanin udhëhoqi aksionin ushtarak në Lezhë, kundër serbëve që kishin rrethuar Shkodrën.
Ushtria perandorake e Austro-Hungarisë i ofroi granden kolonel i ushtrisë perandorake. Pas problemeve me ta Zogu I shkoi në Vjenë si tip “internim i butë”, mori pjesë në kurorëzimin e perandorit Karli I dhe ndejti në Vjene deri në vitin 1919. Aty mësoi gjermanisht dhe bëri “trajnim politik”. Në 1920 u kthye në Shqipëri dhe ishte garanti i Kongresit të Lushnjes, prej ku doli ministër i brendshëm, pastaj kryeministër.
Luftoi të gjitha rebelimet anti-shtet, mbajti shtetin në këmbë, prandaj Fan Noli i thuri himnin “Rroftë Ahmet Zogu, Shpëtimtari i Atdheut”. Pas rebelimit të qershorit 1924 ku u rrëzua qeveria e Iljaz bej Vrionit, Zogu u arratis në Jugosllavi dhe pas 6 muajsh u kthye në Tiranë. Fill pas kthimit lidhi “Paktin Tiranës” me Italinë, kundër Jugosllavisë.
Zogu I realizoi në terren shtetin, atë që deri në 1925 ishte thjesht shtet në letër, ai e bëri realitet. Ndërtoi të gjitha institucionet, prej tek Banka Kombëtare deri tek komuna më e largët. Themeloi shkollat e kolegjet, ftoi në qeverisje zyrtarë tepër të aftë të ish Perandorisë Osmane por edhe të shkollave europiane; themeloi sistemin e bursave me të cilin rreth 500 shqiptarë çdo vit shkolloheshin në universitetet e Europës.
Me shërbimin e tij sekret drejtuar nga talente si Shefqet Dibra e Spiridon Kacarosi, fitoi të gjitha betejat kundër Jugosllavisë e cila financoi kryengritjen e Dukagjinit, Organizatën e Fshehtë të Vlorës, kundër Greqisë për shkollat (Greqia vuri veto në Londër kundër tij), pastaj kryengritjen e Fierit etj. Përballoi disa atentate financuar nga Jugosllavia, më i famshmi ai i Vjenës ku iu vra adjutanti Llesh Topalli.
Në vitin 1939, pasi refuzoi ultimatumin e marsit për tu bërë vasal i Italisë, Italia e sulmoi Shqipërinë me 50 mijë ushtarë e teknologji ushtarake. Fuqitë europiane as e dënuan pushtimin italian të Shqipërisë. U detyrua të largohet i sakrifikuar nga ata që garatonin paqen. Jetoi në Londër, shumë kohë në Egjypt ku shtëpisë së tij mbreti i Egjyptit i njohu ekstraterritorialitet si tokë shqiptare.
Pas revolucionit në Egjypt ku u përmbys mbreti, Zogu I u transferua në Francë ku ndërroi jetë në vitin 1961.
Nga Indrit Voksh