1 vit pas tërmetit – Kemi ministër për Rindërtimin, por shumë pak shtëpi të reja
1 vit pas tërmetit – Kemi ministër për Rindërtimin, por shumë pak shtëpi të reja
– 26/11/20
Sot bëhet 1 vit nga zgjimi më dramatik i shqiptarëve në orën 4 të mëngjesit të 26 nëntorit, ku nga tërmeti tronditës, 51 vetë humbën jetën.
Mijëra të pastrehë, janë edhe sot pa shtëpi, dhe pa shpresë se kur do të sistemohen.
Ditët e para pas tërmetit, Rama premtoi se deri në fund të 2020-ës, të gjithë do të ishin në banesa më të mira. Më pas, afati u shty me 2 vite.
Dhe në fund, Edi Rama kërkon një mandat të tretë për të realizuar rindërtimin.
Ora 4 e mëngjesit e 26 nëntorit 2019 ishte një nga zgjimet më dramatike për shqiptarët në vitet e fundit. Pas një tërmeti të fuqishëm me magnitudë 6.4 i shkallës Rihter, mbetën 51 viktima, 913 të plagosur dhe 17 mijë vetë të pastrehë.
Tre ditë më pas në mbledhjen e këshillit të ministrave të datës 29 nëntor 2019, kryeministri Edi Rama premtoi se deri në fund të vitit 2020 nuk do të kishte asnjë njeri pa shtëpi.
“Ne duhet t’u zgjasim dorën këtyre njerëzve. Brenda vitit 2020 nuk duhet të ketë asnjë diskutim më, për asnjë person që ka humbur shtëpinë nga tërmeti, duhet të jenë të gjithë në kushte më të mira se çfarë ishin para tërmetit”- tha ai para ministrave, në atë mbledhje në kushtet e fatkeqësisë natyrore.
Edhe më tej, në takimet me familjet e prekura nga tërmeti, i siguroi ata se afati fundor i sistemimit të tyre do të ishte fundi i vitit 2020. Por, për fat të keq, premtimet dhe urdhrat e Ramës i ka marrë era.
Një vit më pas numërohen me gishtat e dorës ato familje që kanë arritur të strehohen në shtëpi të re, qeveria nuk jep një shifër të saktë, po ajo është disa dhjetëra.
Mijëra të tjerë, vijojnë të jenë pa shtëpi me plaçkat në krahë në kërkim të një shtëpie me qira ose nëpër çadra. Zyrtarisht pranohet se janë afro 1500 persona që jetojnë akoma në qiell të hapur duke pritur dimrin e dytë, dhe shteti, jo vetëm nuk i ka kthyer në shtëpi më të bukura, por janë lënë në mëshirë të fatit të tyre, dhe për më tepër, ata ende nuk e dinë se kur do të kenë një banesë.
I besuari i Ramës për të çuar përpara procesin e rindërtimit ministri i Rindërtimit Arben Ahmetaj e ka harruar tashmë premtimin e shefit të tij. Një vit më pas, ai ka një afat të ri; dhjetori i 2020 është bërë pranvera e 2022-it.
“Diku në pranverën e 2022 nuk do të kemi më asnjë shenjë të tërmetit, vetëm shtëpi të reja. Të gjitha familjet të rikthyera në shtëpitë e tyre”- shprehet Ahmetajn në intervistë për “Veting” në Abcnews.
Ndërsa ministri në bilancin e punës së bërë për rindërtimin përmend vetëm disa dhjetëra shtëpi të ndërtuara dhe disa shkolla, ndërkohë që pjesa tjetër e rindërtimit ka kaluar fazën e tenderimit dhe ndonjë hedhje e ndonjë themeli tek-tuk, kryeministri Edi Rama e ka nisur fushatën parazgjedhore bazuar pikërisht te rindërtimi.
Ai ishte dje në Laç ku ka inspektuar kantierin e ndërtimit në zonën 1 ku do të ndërtohen qendra të reja banimi me pallate, për familjet e prekura nga tërmeti i 26 nëntorit në këtë zonë.
Këto investime do të kryhen falë një donacioni të dhënë nga qeveria turke, por dhe nga buxheti i shtetit shqiptar.
Çfarë po ndodh me rindërtimin?!
Vetëm 3 muaj pas tërmetit, më 17 shkurt 2020, në Bruksel u mblodh konferenca e donatorëve me sloganin “Bashkë për Shqipërinë”, ku u angazhuan vendet e BE-së dhe vende të tjera duke ofruar ndihmë financiare dhe grante në ndihmë të Shqipërisë.
Shifra rekord e arritur në atë konferencë ku u mblodhën 1.15 miliard euro (grante, projekte dhe hua) për rindërtimin e Shqipërisë ngjalli shumë shpresë se premtimi i bërë nga Rama mund të bëhej realitet shpejt.
Aq më tepër që shuma e donacioneve e kapërceu edhe faturën financiare të dëmeve nga tërmeti, e cila ishte përllogaritur 980 milionë euro.
Rindërtimi u përllogarit me një kosto prej 1.08 miliard Euro.
Por 9 muaj pas kësaj konference jemi akoma në fazën e parë të rindërtimit, kur po përfundojnë tenderimet dhe po hidhen themelet e para të pallateve të reja, ndërsa banorët e prekur nuk kanë marrë asnjë afat zyrtar se kur do të hyjnë në shtëpitë e reja.
“Po e nis nga Shijaku, do të kemi 400 banesa deri në 31 dhjetor, në Tiranë 300 dhe në Durrës 200. Të gjitha lotet janë prokuruar, përveç Kamzës. Deri në 31 dhjetor do të kemi gati 12 shkolla deri në datë 26 dhe 26 të tjera deri në 31 dhjetor”- thotë Ahmetaj.
“Është alokuar nga 34 mld, 32 mld dhe sot janë disbursuar mbi 120 mln dollarë dhe ndërkohë duke kombinuar edhe grantin dhe ndryshimet me cash-in, besoj do të ezaurohet i gjithë fondi” – sqaron më tej ai për fondin e caktuar për rindërtimin.
Po ndryshe nga premtimet situata në terren është akoma e paqartë për banorët e dëmtuar nga tërmeti.
Në Thumanë, ku u shembën 2 pallate duke lënë nën rrënoja 25 viktima, ka nisur ndërtimi i një pallati, por ai nuk ka lidhje me fondin e rindërtimit që menaxhohet nga shteti.
“Fondacioni i zotit Behgjet Pacolli do të ndërtojë një pallat, një milion euro është kontributi i fondacionit. Aty do të ndërtojë edhe fondacioni i Elvis Naçit, ndërsa në Fushë-Krujë është totalisht kontributi i shtetit, në Laç po ndërton qeveria turke, 524 apartamente. Nesër fillon infrastruktura për “Laç-2”- sqaron ministri për Abcnews.
Ai bën të ditur se i gjithë fondi po zbatohet nga dy njësi zbatuese; fondi shqiptar i zhvillimit dhe Bashkia Tiranë.
Eksperti i ekonomisë Pano Soko duke folur gjithashtu për emisionin Veting, akuzon se procesi i rindërtimit qysh te tenderimi u krye në mungesë të plotë transparence duke lënë vend për dyshime për abuzime me fondet dhe mungesë të garës mes kompanive.
“Procesi i rindërtimit ka pikëpyetje të mëdha për procedurat që janë ndjekur. I gjithë procesi me shumat e jashtëzakonshme është përqendruar në duart e 3-4 kompanive, që kanë marrë oligopolin e rindërtimit.
Ne tenderat i kemi bërë emergjent, por ndërtimi i shtëpive nuk qenka emergjent. Sot pas rreth 200 mln eurove të shpenzuara dhe miliona të tjera mungon gara dhe abuzivizimi ka gjetur terrenin e duhur për t’u rritur dhe kultivuar”, tha ai.
Gazeta Mapo