7 Prill 2025

Nga: Gazeta Sot

Kryeministri Edi Rama ishte dje në Izrael, në Qendrën Mjekësore Sheba në Tel-Aviv, rankuar e 8-ta në botë, me të cilën po jetësohet marrëveshje partneriteti me QSUT, duke nisur nga Onkologjiku ku tanimë ekipi i Sheba dhe ekipi shqiptar kujdesen bashkërisht, për të vazhduar me ngritjen në QSUT të qendrës së Sheba-s për inovacionin dhe inteligjencën artificiale. Kryeministri Rama u prit në këtë vizitë zyrtare nga prof. Yitshak Kreiss, njëherësh edhe drejtor i përgjithshëm i Qendrës Mjekësore Sheba në Tel-Aviv.  Por kjo vizitë e zotit Rama në Izrael duket se ka më shumë sesa ajo që u komunikua zyrtarisht. Në sfondin e një marrëveshjeje për bashkëpunim mjekësor me Qendrën Sheba në Tel-Aviv, e renditur ndër më të mirat në botë, kanë nisur të qarkullojnë sinjale për negociata të pazakonta në prapaskenë. Burime jozyrtare diplomatike flasin për një plan që po hartohet larg vëmendjes së publikut, ku Shqipëria si një nga opsionet për strehimin e një numri të madh palestinezësh nga Gaza, konkretisht deri në 100 mijë persona.

Në skenën ndërkombëtare, ndërkohë që Egjipti dhe Jordania raportohen se kanë refuzuar të pranojnë refugjatë nga Gaza, syri i disa aktorëve të fuqishëm duket se është kthyer nga vende si Shqipëria dhe Indonezia. Një postim i gazetarit izraelit Amit Segal në rrjetin “X” pak ditë më parë ngre pikëpyetje të mëdha. Ai përmend se “administrata Trump është në diskutime me Tiranën” për zhvendosjen e popullsisë palestineze.

Por si lidhet kjo me vizitën e Ramës? Ndonëse zyrtarisht Rama vizitoi Qendrën Sheba dhe u prit nga prof. Yitshak Kreiss, analistë që ndjekin nga afër zhvillimet ndërkombëtare dyshojnë se gjatë vizitës janë zhvilluar kontakte joformale me ndërmjetës të lidhur me rrethin e Donald Trump. Një përkthyes diplomatik, që ka qenë pjesë e një delegacioni të ngjashëm më herët, shprehet se në situata të tilla, marrëveshjet e vërteta nuk ndodhin në sallat zyrtare, por “në darka të vogla, mes buzëqeshjesh dhe fjalësh të nënkuptuara”. Por a po përpiqet Rama të forcojë marrëdhëniet me administratën Trump? A është Shqipëria duke hyrë në një plan të gjerë strategjik pa dijeninë e qytetarëve të saj? Mbetet e paqartë nëse qeveria shqiptare ka dhënë sinjale pozitive apo jo për këtë plan, por fakti që burime izraelite përmendin Shqipërinë si “opsion të realizueshëm” ka ngritur alarmin në qarqe të caktuara. Ndërkohë, për opinionin publik u servir vetëm pjesa e dukshme e vizitës: teknologjia mjekësore dhe qendrat për inovacion në QSUT. Por ajo që nuk u tha është se këto partneritete shpeshherë shërbejnë si urë për qëllime më të mëdha gjeopolitike. A po bëhet Shqipëria pjesë e një plani global që askush nuk ka guximin ta shpallë hapur? A po shfrytëzohet pozicioni i saj gjeografik dhe qeveria e gatshme për të bërë “kompromise” në këmbim të simpatisë ndërkombëtare? Përgjigjet mungojnë. Por hapat janë hedhur heshtur dhe madje me shumë finesë. Pra e gjithw kjo lëvizje tregon se 100 mijë palestinezë mund tw vijnë në Shqipëri për të mbyllur hallet e Edi Ramës.

Rama flet nga Izraeli

Ndërkohë kujtojmë se kryeministri Edi Rama ka vizituar Qendrën Mjekësore Sheba në Tel Aviv të Izraelit e cilat renditet në vendin e 8-të në botë, me të cilën qeveria shqiptare po jetëson marrëveshjen e partneritetit me QSUT, duke nisur nga Onkologjiku. Sipas njoftimit të Kryeministrisë, tanimë ekipi i Sheba dhe ekipi shqiptar kujdesen bashkarisht, për të vazhduar me ngritjen në QSUT, të qendrës së Sheba-s për inovacionin dhe inteligjencën artificiale. Rama u prit nga drejtues dhe mjekë të Qendrës, të cilët i shpjeguan kreut të qeverisë mënyrën e funksionimit të saj. “Nëse doni të bëni një revolucion, besojini të rinjve, sepse ata janë të bindur dhe e dinë se çfarë bëjnë dhe janë ata, të cilët po drejtojnë pikërisht një pavion të ri urgjence sot me pacientë të vërtetë”, u shpreh një nga përfaqësuesit e Qendrës, – i cili ftoi Kryeministrin Rama të ndiqte një demonstrim të mënyrës sesi pacientët orientohen përmes Inteligjencës Artificiale.

Çfarë ka ndodhur?

Nga ana tjetër, kujtojmë se Shqipëria mund të jetë streha e rreth 100 mijë banorëve të Gazës, sikundër paralajmëroi gazetari izraelit Amit Segal, i cili përmes një postimi në rrjetin X, referuar burimeve, shprehet se Shqipëria është një nga opsionet ku mund të strehohen këto refugjatë. “Stacioni i radhës – Shqipëria? Administrata Trump është në bisedime me qeverinë në Tiranë për zhvendosjen e deri në 100,000 banorëve të Gazës në vend.

Burime izraelite besojnë se Egjipti dhe Jordania do të refuzojnë të strehojnë refugjatë dhe pretendojnë se opsione si Shqipëria dhe Indonezia janë më të realizueshme”, shkruan gazetari Amit Segal. Njoftimi nga gazetari izraelit vjen në një kohë kur Donald Trump paralajmëroi banorët e Gazës se mund të largohen drejt Egjiptit ose vendeve të tjera. Nuk dihet se sa gjasa ka të implementohet një plan i tillë, por nëse ndodh, atëherë palestinezët e zhvendosur nga Gaza do i shtohen atyre të opozitës iraniane që janë akomoduar në Shqipëri, apo sirianëve dhe afganëve që u zhvendosën në Shqipëri në pritje të proçedurave për të udhëtuar drejt SHBA.

Më herët në Shqipëri u akomoduan edhe ujgurët. Së fundmi në Shqipëri po strehohen edhe emigrantët që kapen në ujrat territoriale të Italisë dhe që presin procedurat e azilit. Për këtë në Shqipëri është ndërtuar një kamp në Gjadër, në kuadër të marrëveshjes mes Edi Ramës dhe Giorgia Melonit. Papk ditë më parë, presidenti i Shteteve të Bashkuara Donald Trump tha se Jordania dhe Egjipti duhet të pranojnë palestinezët nga Gaza e shkatërruar nga lufta, një sugjerim që u hodh poshtë nga Hamasi, grupi militant palestinez që drejton rajonin dhe u duk se u kundërshtua nga ministri i Jashtëm jordanez. I pyetur nëse kjo ishte një zgjidhje e përkohshme apo afatgjatë për Gazën, ku sulmi ushtarak i Izraelit ka shkaktuar një situatë të rëndë humanitare dhe vdekjen e dhjetëra mijëra personave, zoti Trump tha e: “mund të jetë secila prej këtyre mundësive”. Jordania është tashmë ‘shtëpia’ e disa milionë palestinezëve, ndërsa dhjetëra mijëra të tjerë jetojnë në Egjipt. Të dyja vendet dhe kombet e tjera arabe e kundërshtojnë idenë që palestinezët në Gazë të zhvendosen në shtetet e tyre. Gaza është territor që palestinezët do ta dëshironin si pjesë të një shteti të ardhshëm palestinez. Ministri izraelit i Financave Bezalel Smotrich, i cili ka bërë thirrje në mënyrë të përsëritur për kthimin e kolonëve hebrenj në Gazë, e përshëndeti thirrjen e zotit Trump duke e cilësuar “një ide të shkëlqyer” dhe tha se ai do të punojë për të hartuar një plan për zbatimin e saj.