PERULESISHT, FALEMINDERIT AMBROZIA QE NA BERE TE KRENOHEMI. –
Ende ka shpresë për të ëndërruar dhe besuar tek liria e fjalës. –

Nga Albert Vataj

Përballja e gazetares Ambrozia Meta me Kryeministrin, Edi Rama i ngjet asaj shkreptime të beftë që në një çast të vetëm shpërfaq në dritë gjithçka që hetuam papritmas se paska qenë e kyçur në terr. Kjo rishtare e doktrinës të së drejtës për të besuar në atë që mijëra të tjerë sakrifikojnë çdo ditë jetën atje ku vdekja hap varre, shkoi përtej çdo caku që shtyn kurajoja.
Ajo që po vdiste së bashku me dashurinë tonë për profesionin e gazetarit, sot kaloi një bay-pass të suksesshëm. Pulsi uturitës i një qëndrese guxoi të godasë fuqishëm mbi ndërgjegjen tonë të topitur. Apatia dhe frika që zgjatuar agoninë e vullneteve tona të ndrydhura, marrin saora një goditje shkundëse. Orët e pafundme të llomotitjes televizive dhe narcizmit bajat, shterojnë në asgjënë asgjesuese të kësaj përvoje që vjen të bëjë më shumë se ç’u përpoq të thotë Ambrozia Meta në ato minuta apokaliptike të betejës me kreun e ekzekutivit.
Një ëndërrtare guxoi të besojë se ideali kërkon ngadhënjyes dhe se ajo, gazetarja Ambrozia Meta mori mbi vete meritën e sakrificës në emër të dinjitetit, një çmim që fisnikëron ëndrrën e saj dhe lartëson profesionin që ajo ka zgjedhur.


Zbulesa e kësaj shërbese të legjitimitetit për të besuar te liria e shprehjes dhe integriteti i gazetarit është se shembulli i kësaj kolegeje na ngazëlleu. Por mbi të gjitha, ajo që na mbush me besim, ose e rafinon më shumë hipokrizinë tonë, është solidariteti i dishepujve të këtij besimi, të cilin fatmirësisht sot kanë kurajën ta vlerësojmë rolin dinjitoz të gazetares në përballjen me Kryeministrin.
Kjo edhe nëse nga përvoja personale, shumë prej atyre kanë shkelur mbi përbetimin e shenjtë të këtij profesioni; në shumësinë e herëve për hir të ruajtjes së marrëdhënieve të punës, diku për të garantuar përfitime dhe privilegje dhe jo pak herë nga ajo paburrëri e neveritshme. Kjo qasje e ububushme e promovimit të dinjitetit të një gazetareje, është një lajm i mirë dhe një premisë për të shpresuar ende se ky profesion ka ende tharm për të mbrujtur ëndrrat e atyre që dashurojnë gazetarinë dhe atyre që janë të afeksionuar nga ata që përpiqen gjithnjë të jenë dinjitozë në kryerjen e misionit të tyre.