Zbulim i Madh ne Berat -Nje “bazilike” ne kembet e Xhamise Mbret.

Një zbulim i rëndësishëm është bërë pranë Xhamisë Mbret në Berat. Bëhet fjalë për një mozaik që mendohet se i përket shekujve V-VI.
I pari që shkroi pak ditë më parë, ishte arkitekti Artan Shkreli, i cili përmes një postimi në profilin e tij në ‘Facebook’, shënonte se “mund të thuhet pa drojë se zbulimi i fundit në Berat është i një rëndësie vërtetë të madhe”. Ai fliste për një mozaik paleokristian në këmbë të Xhamise Mbret. “Është unaza që mungonte, në kuptimin e vazhdimësisë së jetës qytetare në Berat. Struktura ende e paqartë nga pikëpamja tipologjike (me gjasë një bazilikë) plotëson me praninë e saj pikërisht kohën kur ky qytet fillon dhe rimerr veten pas depresionit që karakterizon fundin e periudhës klasike dhe shënjon kalimin nga emërtesa e turbullt Antipatrea, në atë të re me apelativin ‘i Bardhë/i shndritshem = Pulher’, (emërtesë që do rezistonte deri në pushtimin bullgar, të cilët nga ana e tyre veç do përkthenin fjalë për fjalë Pulheriopolis në Beligrad)” shënonte Shkreli. Rëndësia e zbulimit bëhet më e qartë po të vëmë në dukje siç thotë ai se “mjerisht, përpara kësaj asnjë gjurmë nuk kishim pasur në territor nga Antikiteti i Vonë apo Mesjeta e Hershme, përpos një gjetjeje tjetër rastësore, lart në kështjellë, e cila konfirmon gjeografinë e konsoliduar të qytetit me lagje jashtë mureve edhe në këtë periudhë”.

“Mu për këtë është shumë i rëndësishëm”, thoshte Shkreli, -gërmimi i orientuar i lulishtes së Xhamise Mbret, në anët jugore e lindore të saj, duke sqaruar njëherë e përgjithmonë enigmat e shumta që shoqërojnë Beratin (emër gjithnjë autokton ky) në një hark të errët historik prej disa shekujsh”.

“E bukura e restaurimit në pasuritë kulturore janë të papriturat që dalin nga shtresëzimet e monumentit, nën tokë apo nën suva, në themele apo në çati. Berati është një nga këto sëndukë me thesare që sfidon duke befasuar. Në themelet e Teqesë Helvetive dhe të Xhamisë Mbret, të dyja në restaurim të plotë, (krahas Xhamisë së Beqarëve, gjithashtu), kanë dalë në dritë struktura të hershme, të panjohura deri tani”,-theksoi dje Kumbaro.

“Në konsultim edhe me mbështetësin e pazëvendësueshëm të Trashë-gimisë Kulturore, Profesor Aleksandër Meksin e anëtarët e Këshillit Kombëtar të Arkeolo-gjisë, do t’u paraqiten publikut dhe profesionistëve rezultate më të sakta të këtij zbulimi. Deri atëherë gjithçka thuhet e lexoj lart e poshtë, mbetet vetëm hamendësim dashamirës e padurim i justifikuar i të apasionuarve për gjërat e bukur. Por as unë, e askush, nuk e fshehim emocionin që ngjall bukuria e mozaikut që shfaqet nën dhé, të cilit nuk do të ngutesha t’i vija asnjë epitet, por pa dyshim po përgatitemi për një destinacion të ri kulturor në hartën e Beratit. Kjo është pak, por e sigurtë!”, përfundonte ministrja.

MEKSI
I pyetur nga “Gazeta Shqiptare”, Aleksandër Meksi tha se mozaiku mund të datojë nga shek. I deri në shek. V-VI. “Në Berat po bëhen punime restaurimi në Xhaminë Mbret faza më e vjetër e së cilës është fundi i shek.XV dhe lidhet me ardhjen e Sulltan e Bajazitit të II më 1492. Pranë xhamisë është teqeja e fundit të shek 18. Po bëhen restaurime me subvencion të TIKA-s dhe Ministrisë së Jashtme të Turqisë. Qëllimi është për ruajtja e vlerave, konsolidimi, forcimi dhe ruajtja e vlerave të objekteve në kuadrin e vizitueshmërisë së Beratit dhe objekteve të veçanta. Gjatë punimeve të përforcimit të themeleve të xhamisë, doli një varr dhe një mozaik, me ngjyra të kuqe e të bardhë që shtron detyrën për gjetjen e planimetrisë së ndërtesës e datimin e saj”. Meksi shton se kjo, kërkon gërmimin jashtë mureve të xhamisë, rilevimin nga gjeologët me gjeoradarë, e duke punuar mbase të përfitohen të dhëna për muret e godinës.

“Godina mund të nisë në shek. 1 dhe deri në shek. 5-6. Edhe lart në kala kanë dalë mozaikë, qyteti ka ekzistuar. Ky është qyteti i poshtëm, ku ka pasur edhe ndërtime. Kjo është më interes. Ajo zonë është e mbushur me ndërtime. Është fragment dyshemeje, nuk e di nëse mund të ketë qenë bazilikë”.