Tirana përshëndet votimin e gjuhës shqipe në Parlamentin maqedonas

Miratimi nga Parlamenti maqedonas i ligjit për gjuhën shqipe është përshëndetur nga politika në Tiranë.

Presidenti Ilir Meta shkruan në rrjetet sociale se lajmin e ka marrë sapo ka mbërritur në Aeroportin e Ljubljanës.

“Mora lajmin e gëzueshëm se Parlamenti i Maqedonisë ka miratuar ligjin për përdorimin e gjuhës shqipe. një akt i rëndësishëm jo vetëm për shqiptarët por edhe për të ardhmen evropiane të Maqedonisë”, thotë Meta.

Edhe Lulzim Basha ka zgjedhur rrjetet sociale për të përshëndetur këtë votim në Parlamentin e Maqedonisë.

Basha thotë se Partia Demokratike nxit klimën e unitetit mes faktorit politik shqiptar dhe bashkëpunimit me atë politik maqedonas, si një garanci për një Maqedoni të orientuar drejt standardeve dhe vlerave euroatlantike dhe europiane.

Edhe ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, por përmes rrjeteve sociale ka përshëndetur këtë votim.

“Miratimi i ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe në Maqedoni është një arritje e rëndësishme për shqiptarët dhe hap përpara për demokratizimin e Maqedonisë. Miratimi i ligjit garanton një akses më të mirë e më të drejtë në shërbime dhe një përfshirje të shqiptarëve në mirëqeverisje. Ky akt është një gur themeli për një të ardhme më të mirë e më të sigurtë euroatlantike të fqinjit tonë, për çka shqiptarët në Maqedoni kanë qenë dhe janë mbështetës të palëkundur”, shkruan kreu i diplomacisë shqiptare.

Monika Kryemadhi e cilëson një tjetër hap emancipues shtetëror për Maqedoninë pas shpalljes festë zyrtare të Ditës së Kongresit të Manastirit.

DIJALOGIN.COM