12 kisha në rrezik nga dëmtimet, Europa Nostra grup inspektimi në Voskopojë dhe Vithkuq. –
12 kisha në rrezik nga dëmtimet, Europa Nostra grup inspektimi në Voskopojë dhe Vithkuq. –
Ekspertë nga “Europa Nostra”, organizata kryesore e trashëgimisë në Europë dhe Instituti i Bankës Europiane të Investimeve me mision në Shqipëri për gjendjen, që kanë kishat pas-bizantine në Voskopojë dhe Vithkuq. Janë një grup prej 12 kishash objekte të trashëgimisë sonë kulturore, që kanë një gjendje me probleme. Kishat rrezikojnë jo pak, dhe sipas arkitektes dhe restauratores Lida Miraj ky inspektim që u krye në këto objekte me ekspertët e huaj ka shumë rëndësi. Monumentet e kulturës dëmtohen edhe nga ndërhyrjet pa kriter, kështu shprehet arkitektja dhe restauratorja Lida Miraj. Në fjalën e saj, arkitekte restauratore Lida Miraj njëkohësisht dhe anëtare e këshillit të “Europa Nostra” bën me dije se inspektimi me ekspertët u krye në të gjitha 12 kishat. “Në i kemi parë të gjitha kishat me radhë jo vetëm në Voskopojë, por dhe në Vikthkuq. Patëm takime dhe me drejtues të institucioneve. Ne do të jemi të fokusuar se çfarë do të bëhet më tej. Ky mision ka rëndësi, sepse vijnë dhe ekspertët ndërkombëtar”, u shpreh në fjalën e saj arkitektja Miraj. Po ashtu arkitektja dhe restauratorja Lida Miraj pohoi se kjo vizitë ka rëndësi për veprat të veçanta të trashëgimisë. “Ndihem shumë e lumtur që në Shqipëri kanë ardhur ekspertë për të vënë në rëndësinë e duhur veprat e veçanta të trashëgimisë sonë kulturore, në këtë rast janë kishat e Voskopojës dhe Vithkuqit. Ne kjo na gëzon, sepse kemi ekspertë ndërkombëtarë që do vijnë. Sepse siç jemi, të jemi koshientë që monumentet dëmtohen dhe nga ndërhyrjet pa kriter, dhe kësaj i duhet dhënë fund. Linja e ekspertëve ndërkombëtarë bën që të kemi më shumë mundësi për ruajtjen, konservimin dhe restaurimin e monumentit”, tha Miraj. Por në lidhje me institucionet specialistja tha se janë bërë disa investime, por duhet pasur kujdes te ndërhyrjet e kishave. “Janë bërë disa investime në Voskopojë dhe Vithkuq, me një vizitë të shkurtër nuk mund të gjykoj, por nuk mund ti pranohet çatia nëse ka çarje në mure, duhen duhet bërë studime gjeologjike të zonës për të parë si janë themel, muret, natyrisht që çatia duhet të mbulohet se lagen afresket, por që duhet të jetë ekipi përbërës i profesionistëve që të marrin vendime bëjnë ndërhyrje në monument.
Nuk mund të bëhet ndërhyrje vetëm thjesht nga punonjësit, që nuk janë ekspertë”, pohoi mes të tjerave Lida Miraj. Po dje misioni i ekspertëve të “Europa Nostra”-s, përfaqësuar nga anëtari i bordit, z. Paolo Vitti dhe Peter Bond dhe Lourdes Llorens Abando, ekspertë teknikë nga Banka Europiane e Investimit së bashku me specialistët shqiptarë pas vizitës në terren, në kishat e Voskopojës dhe Vithkuqit zhvilloi dhe një takim me ministren e Kulturës Mirela Kumbaro. Në fjalën e tij sipas publikimit të ministrisë, Vitti u shpreh i mrekulluar për vlerat arkitektonike dhe artistike që përcjellin këto monumente të kulturës, frymëzuar nga trashëgimia e kultit bizantin, duke i cilësuar “ thesare unike” në rajon e më gjerë. “Misioni u shpreh entuziast dhe sugjeroi përgatitjen e dosjes që këto kisha të vlerësohen me statusin e mbrojtjes si trashëgimi botërore nga UNESCO”, thuhet në faqen e ministrisë.
Grupi me 12 kisha, kryevepra të stilit pas-bizantin
Ky grup prej 12 kishash të ndërtuara në Voskopojë dhe Vithkuq në Shqipërinë juglindore gjatë shekujve XVII dhe XVIII, sipas specialistëve të trashëgimisë janë dëshmia më autentike e zhvillimit të jashtëzakonshëm ekonomik të këtyre dy qendrave të krishtera gjatë sundimit otoman në Ballkan. Disa nga këto kisha, me përmasa të mëdha, përfaqësojnë një formë të re arkitekturore dhe unike të bazilikave të kupola. Ato janë monumentet më përfaqësuese të artit kishtar të shekullit XVII-XVIII në Ballkan dhe janë kryevepra të stilit pas-bizantin. “Pavarësisht nga vlera e tyre historike, monumentet ndodhen në një gjendje të avancuar degradimi. Dëmtimet nga uji dhe lagështia paraqesin kërcënime serioze për pikturat e brendshme murale. Vjedhja e objekteve është një problem i qëndrueshëm pasi asnjë nga kishat nuk sigurohet me kamera apo alarm”, bëhet me dije nga fondacioni “E shkuara për të ardhmen” drejtuar nga arkitekti dhe restauratori Kliti Kallamata.
Ekspertët e trashëgimisë dhe ata financiarë nga “Europa Nostra” dhe Instituti i Bankës Evropiane të Investimeve ndërmarrin misione së bashku me propozuesit, ekipet multidisiplinore vlerësojnë vendet dhe ndihmojnë në formulimin e një plani veprimi të mundshëm për secilin prej tyre, në bashkëpunim të ngushtë me palët publike dhe private të vendit. Rezultatet dhe rekomandimet e këtyre misioneve përmblidhen në raportet teknike dhe financiare. Partnerët e programit ndihmojnë në zbatimin e këtyre raporteve./
Nga: Julia Vrapi.