120 Milionë Refugjatë. – OKB: U detyruan nga lufta e konfliktet të braktisin shtëpitë
17 Qershor 2024
Nga Anila Zyberaj.
Luftërat kanë detyruar më shumë se 120 milionë njerëz të braktisin shtëpitë, sipas një raporti të OKB. Të dhënat tregojnë trefishim të të zhvendosurve në harkun e 12 viteve!
Një rekord prej 120 milionë njerëzish, u detyruan të braktisin shtëpitë e tyre për shkak të vatrave të luftës, dhunës dhe persekutimit, bëri me dije agjencia e OKB-së për refugjatët në raportin e fundit vjetor.
Shefi i i agjencisë së refugjatëve të OKB-së, Filippo Grandi, e cilësoi si një të vërtetë të tmerrshme për gjendjen e botës, ndërsa sipas tij konfliktet e reja në Sudan dhe Gaza kontribuan në rritje.
Në Gaza, lufta midis Izraelit dhe Hamasit ka zhvendosur rreth 75% të popullsisë – 1.7 milion njerëz – që nga tetori. Kriza më e madhe e shpërnguljeve në botë mbetet në Siri po ashtu, ku konflikti që filloi në vitin 2011 mban rreth 14 milionë njerëz larg nga shtëpitë e tyre.
Në Sudan, lufta që filloi midis gjeneralëve rivalë në prill 2023, dëboi më shumë se nëntë milionë njerëz nga shtëpitë e tyre.
Miliona njerëz të tjerë u dëbuan në Republikën Demokratike të Kongos dhe Mianmar për shkak të luftimeve vitin e kaluar.
Popullsia globale e zhvendosur tani, është e barabartë me atë të Japonisë, tha Grandi ku lëvizjet më të mëdha ishin shënuar ne Prill të këtij viti.
Shefi për refugjatët në OKB, iu bëri thirrje qeverive që të trajtojnë shkaqet rrënjësore të problemit, në vend që të politizojnë refugjatët dhe të kthehen në zgjidhje të shpejta si mbyllja e kufijve, ndonëse ai u shpreh se kjo nuk do ta mbyllte përgjithmonë problemin.
Agjencia e OKB-së për refugjatët tha se ishte e pavërtetë që të gjithë refugjatët dhe emigrantët e tjerë shkuan në vendet e pasura, duke theksuar se shumica dërrmuese e refugjatëve ishin në vendet fqinje dhe me të ardhura të ulëta dhe të mesme.
Sipas OKB-së numri i njerëzve të zhvendosur globalisht është trefishuar që nga viti 2012 dhe ka të ngjarë të rritet.