“Të fshehtat e bizhuterive popullore” në konferencën shqiptaro-polake. –

 

“Bizhuteritë popullore në Shqipëri janë të shumëllojshme, të punuar në mënyrë të rafinuar, gjë që tregonte për kamjen e personave që i mbanin ato. Por ajo ndryn në vete edhe shumë të panjohura”.

Kështu u shpreh sot lektorja polake, dr. Joanna Minksztym nga Muzeu Historik i Poznanit Poloni gjatë konferencës “Të fshehtat e bizhuterive popullore”, të organizuar nga Bashkia e Beratit në bashkëpunim me Shoqatën e Miqësisë Shqipëri – Poloni dhe Muzeun Historik të Poznanit në prag të 29 shtatorit, Ditës së Trashëgimisë Kulturore Kombëtare.

 

Ligjërata dhe prezantimi shoqërues i lektores polake, dr. Joanna Minksztym nga Muzeu Historik i Poznanit Poloni ishin një sprovë për të treguar historinë dhe simbolikën e dy stolive të mistershme dhe të rralla të bizhuterisë shqiptare – antike në formën e byzylykëve dhe të rripave me kuarc, nga koleksioni i Muzeut Etnografik, Dega e Muzeut Kombëtar në Poznan (Poloni).

Qëllimi i këtij aktiviteti ishte njohja dhe prezantimi nga lektorë polakë të simbolikës së objekteve me vlerë të konsiderueshme të historisë sonë kombëtare, të cilat ndodhen në Muzeun Historik të Poznanit.

Fjalët e përshëndetjes u mbajtën nga drejtuesja e Shoqatës së Miqësisë Shqipëri – Poloni, Dorota Horodyska, Nënkryetarja e Bashkise, Afize Skëndo dhe lektorë nga Muzeu Historik Poznan.

Në fund të takimit, drejtuesja e Shoqatës së Miqësisë Shqipëri – Poloni, Dorota Horodyska, u dhuroi Nënkryetares Skëndo dhe Prefektit Dafa nga një bluzë kuqezi me simbolin e shoqatës.