Ahmet Kondo, beratasi me kontributenë fushën e studimeve histiorike. –
Ahmet Kondo, beratasi me kontributenë fushën e studimeve histiorike
Nga: A. Mehqemeja.
Lindi në vitin 1920 në Berat, në një familje të njohur dhe të nderuar në lagjen “Murat Çelepi”. Vitet e fëmijërisë dhe të rinisë së parë shkollore i kaloi në Berat, midis shokësh, në mjediset e njohura të lagjes, nga bostanet, nga rema, nga çikrikët, nga lulishtja “Dëshmorët e Kombit”, në oborrin e shkollës qytetëse nxënës i së cilës ishte. Ruajti miqësi të veçantë me moshatarin e tij Vexhi Buharaja. Këtë miqësi e kishte mbartur edhe nga fqinjësia dhe hyrje-daljet familjare.
Edhe pse nga vitet ’40, të shekullit të kaluar, u detyrua të largohej nga Berati dhe të vendosej në Tiranë, i ruajti lidhjet dhe nuk i shkëputi asnjëherë me qytetin e tij. Në vendbanimin e ri, siç tregonte, i gjeti këto lidhje edhe me beratas të tjerë që u vendosën në kryeqytet mbas lufte. Shprehte konsiderata të veçante për poetin, bashkëshokun e tij dhe të Vexhi Buharasë, Namik Mehqemenë, të cilat i ka shprehur edhe në shkrimet e botuara. Ai dha ndihmesë edhe në zbulimin e krijimtarisë së botuar të Namikut, kur mësoi që po punohej për grumbullimin dhe studimin e saj.
Thotë shumë për këto lidhje edhe një letër që Vexhiu i dërgon më 3 janar 1963 Ahmetit. Midis të tjerash në këtë letër shkruhet:
“Nuk e merr me mend gëzimin që ndjeva kur munda tashmë, pas 20 e ca vjet përpjekje të kota, të hedh në dorë Firdeusinë dhe këtë nëpërmjet teje. Është e kotë të hyj në arsyetime të thella dhe aq më tepër në komplimenta që s’kanë pasur kurrë vend midis meje e teje. Vetëm nuk mund të rri pa theksuar se në qoftë se Firdeusi do të njihet në një të ardhme të afërme, në vendin tonë, një meritë e madhe në mos kryesorja, ju përket juve, ty dhe Dritëroit. Dhe unë pres që këtë meritë tuajën ta shfaq publikisht. Është e para herë që Firdeusiu hyn në Shqipëri dhe hyri duke u pasur si urëkalimi ju të dy.”
I tillë ka qenë Ahmet Kondo. Nuk e harroi Beratin dhe shokët e vjetër dhe të njohur të rinj, që i shtoheshin çdo ditë. Prandaj ishte i kudondodhur në veprimtaritë shkencore dhe kulturore që zhvilloheshin në qytetin e tij, duke dhënë, si i papërtuar që ishte, kurdoherë ndihmesë me kumtimet dhe studimet e përgatitura për këto raste. Mund të përmendim kumtimet për botimin e librit “Hapësira të kulturës islame”, rreth botimit të “Shahnamesë”, intervitat për Vexhi Buharanë, etj.
Si përfundoi studimet universitare për histori, punoi si punonjës shkencor në Institutin e Historisë deri ditën që doli në pension. Por edhe në këto vite të paspunës nuk u shkëput nga krijimtaria botuese. Ka bashkëpunuar edhe me revistën “Perla”.
Ahmet Kondo është autor i disa monografive dhe e një sërë kumtimesh e artikujsh studimor. Midis tyre përmendim, monografitë “Dora d”Istria për çështjen kombëtare në letërkëmbimin e saj me Jeronim De Radën”, “Çështja kombëtare në faqet e shtypit të Rilindjes”, “Aspekte të lëvizjes kombëtare në letërkëmbimin e Rilindjes”, “Vexhi Buharaja, njeriu, poeti, dijetari”… Është marrë me Jeronim De Radën në fushën e publicistikës, midis tyre përmendim botimin “Fiamuri i arbërit (Çështja kombëtare)”, artikujt “Një gazetë e vitit 1848”, “Çështja kombëtare në shtypin e Jeronim De Radës”, “Jeronim De Rada në opinionin publik evropian”, “Disa të dhëna rreth gazetës së De Radës “Shqiptari i Italisë”, “Merita patriotike e Jeronim De Radës pasqyruar në revistën “Fiamuri i arbërit” , si dhe për publicistikën e botuar në revistën “Drita – Ditutria, 1884-1885”…
Ahmet Kondo do të mbetet në kujtesën e qytetarëve beratas si një studiues i përkushtuar, si njeri që ndiente dashuri të veçantë për vendlindjen, si njeri i dashur dhe i thjeshtë, karakteristikë e ruajtur nga tradita familjare beratase.
Vdes më 2 prill 2006.