Ndahet na jeta Bilbili i Kenges Qytetare Shkodrane Bik Ndoja. –

27 dhjetor 2015

Pas një sëmundje të rëndë ndahet nga jeta në moshën 90-vjeçare bilbili i këngës qytetare Shkodrane Bik Ndoja. Ludovik Ndoj Gjergji i njohur si Bik Ndoja lindi në Shkodër me 13 gusht të vitit 1925 dhe është një nga këngëtarët më të shquar të muzikës popullore shkodrane të gjysmës së dytë të shek. XX. Bik Ndoja gjimnazin e kreu në shkollën e vjetër “Jordan Misja”.

Lidhur me muzikën popullore, ai e filloi këngën që në moshë të vogël, por njihet nga të gjithë se për herë të parë ai këndoi në një dasmë familjare, shoqëruar nga një prej formacioneve popullore me vegla të qytetit të Shkodrës, ku drejtonte dhe interpretonte në fizarmonikë Karlo Radoja.

Gradualisht, aktiviteti i tij u zgjerua dhe më shumë nëpërmjet koncerteve që Bik dha në të gjithë Shqipërinë, si dhe në ato jashtë shtetit. Ai ka kënduar një numër të madh këngësh ndër të cilat përmendim: “S’ma din hallin qi kam”, “Elbarojen ta pata fal”, “Si dukat i vogel je”, “Jare të due”, Kënga e Ded Gjo’Lulit etj.

Bik Ndoja

Në vitin 1969 iu akordua titulli “Artist i merituar”, ndërsa në vitin 1999 Bashkia e qytetit të Shkodrës i akordoj titullin “Krenaria e qytetit”, në vitin 2007 Qendra Kombëtare e veprimtarive folklorike i jep titullin “Interpretues i shquar i jares shkodrane”, ndërsa që në vitin 2011 pranë institucionit të Presidentit qëndron dosja për akordimin e titullit “Mjeshtër i madh”, por që asnjëherë nuk ju dha.

Për herë të fundit Bik Ndoja mori pjesë në një aktivitet artistik në vitin 2014, atë të “Ahengut Shkodran”. Homazhet në nderim të bilbilit të këngës qytetare Shkodrane Bik Ndoja do zhvillohen në Teatrin “Migjeni”nga ora 11-13 ditën e hënë.

Bik doja