16 zv/ministra, gjyqtarë e prokurorë kallëzohen në SPAK, fshehën pasurinë, bënë deklarime të rreme dhe u përfshinë në korrupsionin e pastrim parash.
17 Maji 2024
Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave (ILDKPKI) gjatë vitit 2023 ka kallëzuar në Prokurorinë e Posaçme (SPAK) dhe organet e tjera ligjzbatuese, 16 zv/ministra, gjyqtarë e prokurorë, të cilët dyshohet se fshehën pasurinë, bënë deklarim të rremë dhe u përfshinë në korrupsionin.
]Kjo është bërë e ditur nga Inspektorja e Përgjithshme e Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave (ILDKPKI), Evgjeni Bashari, e cila raportoi dje në Komisionin për Çështjet Ligjore raportin e punës së institucionit që ajo drejton për vitin 2023, teksa zbuloi se ILDKPKI ka pasur në fokus drejtues të enteve publike, zëvendësministra, nëpunës të nivelit të lartë, gjyqtarë dhe prokurorë. Ajo deklaroi se gjatë vitit të shkuar i ka dërguar SPAK për 23 raste, të gjithë informacionin e nevojshëm të administruar pranë Inspektoratit të Lartë për këta subjekte me interes për prokurorinë speciale. Pas kontrollit të subjekteve deklaruese për shkelje dhe konflikt interesi gjatë vitit 2023, ky Inspektoriati për 16 raste bëri referime penale dhe referime të tjera.
Zonja Bashari nuk i bëri publik emrat e këtyre 16 zyrtarëve të çuar për ndjekje penale. Sipas Basharit, në vitin 2023 ILDKPKI ka bashkëpunuar me SPAK, por edhe me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, në kuadër të vetingut në Policinë e Shtetit. Ndërkohë zonja Bashari është shprehur se kallëzimet penale kanë qenë më shumë se 500 dhe vlera e aseteve të sekuestruara për korrupsion arrin mbi 80 milionë euro që janë adresuar në organet ligj zbatuese. Duke patur këto deklarime të zyrtarëve, shprehet ajo, janë zbuluar raste të fshehjes së pasurive, pastrim parash apo vepra të tjera që lidhen me korrupsionin. Më poshtë po pasqyrojmë një pjesë të fjalës së zonjës Bashari.
Ja një pjesë e fjalës së zonjës Bashari
Trajtimi i kërkesave
Gjatë periudhës raportuese janë trajtuar 52 kërkesa për dhënien e informacionit dhe dokumentacionit brenda afateve të përcaktuara nga organet e rivlerësimit. Një kërkesë nga ONM dhe janë verifikuar në një kohë shumë të shkurtër 187 kandidatë, kryesisht kandidatë për gjyqtarë në GJKKO të Apelit, gjykatat e apelit, drejtues të SPAK, apo drejtues të prokurorive të përgjithshme, si dhe magjistratë të shkollës së magjistraturës,” tha Bashari. Aktet e kontrollit të plotë janë dërguar për vendimmarrje të mëtejshme pranë KLGJ, KLP, si dhe organeve të tjera të emërtesës.
Gjithashtu, gjatë periudhës raportuese, me rishikimin e kuadrit ligjor për vetingun e Policisë së Shtetit dhe Gardës, i cili ndryshoi tërësisht procedurat mbi të cilat do të vijonte procesi për këta subjekte, ILDKPKI-së iu shtua dhe organi ndihmës për verifikimin e pasurisë. ILDKPKI dhe AMP nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi që synon angazhimin e përbashkët për koordinimin e proceseve të hetimit administrativ, me qëllim rritjen e efikasitetit të bashkëpunimit ndërinstitucional. Është kryer kontrolli i plotë për 35 subjekte të shortuara nga AMP, duke dërguar pranë këtij institucioni raportet e kontrollit të plotë, së bashku me dokumentacionin e administruar gjatë këtij procesi. ILDKPKI, duke synuar forcimin e regjimit të deklarimit të interesave private dhe parandalimin e konfliktit të interesave, duke nisur nga 2021 është angazhuar për të garantuar qëndrueshmërinë e sistemit elektronik të interesave private. Janë zhvilluar aktivitete trajnuese, ku janë trajnuar 329 përfaqësues të autoriteteve përgjegjëse.
Hetimet
ILDKPKI ka pasur në fokus drejtues të enteve publike, zëvendësministra, nëpunës të nivelit të lartë, gjyqtarë dhe prokurorë. Janë referuar 16 raste pranë organeve ligjzbatuese dhe janë aplikuar 113 masa administrative me gjobë. Lidhur me sinjalizuesit nga të dhënat rezulton se janë ngritur dhe funksionojnë 191 njësi pranë sektorit publik dhe 590 në sektorin privat. Në zbatim të parashikimeve të kuadrit ligjor brenda 15 janarit 2024 janë pritur e administruar raportet vjetore nga njësitë përgjegjëse si në sektorin publik, ashtu edhe nga organizatat private. ILDKPKI ka marrë dhe administruar 173 raporte vjetore nga njësitë përgjegjëse pranë autoriteteve publike. 134 prej tyre kanë paraqitur raportet brenda afateve ligjore. Nga analizimi i tyre, vetëm 4 njësi pranë institucioneve publike kanë pasur raste sinjalizimi. Njësitë përgjegjëse pranë sektorit privat kanë paraqitur 283 raporte sinjalizimi, 233 njësi i kanë paraqitur këto raporte brenda afateve. Nga analizimi i të dhënave të sektorit privat, vetëm 2 njësi kanë pasur dhe janë hetuar raste sinjalizimi. Gjatë vitit 2023 ka pasur dhe një kërkesë për mbrojtje nga hakmarrja.
Objekt sinjalizimi kryesisht kanë qenë shkelje në procedurat e fondeve publike, shkelje e procedurave të rekrutimit, apo konflikti i interesit. Gjithashtu, në vijim të mbështetjes së strukturave të SPAK mbi hetimet e nisura për zyrtarë, të cilët janë subjekte të deklarimit të interesave private, ka vendosur në dispozicion, për 23 raste, të gjithë informacionin e nevojshëm të administruar pranë Inspektoratit të Lartë për këta subjekte.
Korrupsioni
Nga një politikë agresive është ndjekur vitet e fundit, ku është fakt nga të gjitha statistike në që kemi paraqitur raporte që kallëzimet penale kanë qenë më shumë se 500 dhe vlera e aseteve të sekuestruara për korrupsion arrin mbi 80 milionë euro që janë adresuar në organet ligj zbatuese. Krahas kësaj, krahas referimeve, masat administrative nuk kanë pësuar rënie, por kanë qenë në rritje dhe kanë qenë në trend konstant. Krahas politikës agresive, është ndjekur dhe një politike ndërgjegjësuese dhe trajnuese. Viteve e fundit, kemi patur shumë aktivitete për të ndërgjegjësuar autoritetet përgjegjëse pranë institucioneve për mënyrën sesi duhet të trajtohen rastet e konfliktit të interesave dhe deklarimit të interesave private ashtu dhe vetë zyrtarët që kanë kërkuar asistencë këshillimore për deklaratat e interesave private.
Ky kombinim i politikave agresive me ato ndërgjegjësuese ndër vite jep këtë rezultat, sepse qëllimi i këtij institucioni është të parandalojë korrupsionin e zyrtarëve të përfshirë në skemën e korrupsionit. Megjithatë, vlen për t’u theksuar se deklaratat e interesave private që janë administruar ndër vite kanë qenë një burim shumë i mirë dhe i vlefshëm për organet ligj zbatuese (Prokuroria, Policia) sepse duke patur këto deklarata dhe duke krahasuar atë çfarë kanë deklaruar zyrtarët ndër me atë çfarë efektivisht është në fakt, kanë arritur të zbulojnë fshehje pasurie, pastrim parash, apo vepra të tjera që lidhen me korrupsionin.
Gazeta Sot