Tiranë: – 7 organizata i kërkojnë qeverisë të tërheqë 2 projektligjet mbi mediat online si jodemokratike
18 janar 2019.
Një grup prej 7 organizatash për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, lirisë së fjalës dhe organizata të gazetarëve i kërkuan sot kryeministrit Edi Rama të tërheqë dy projektligjet për rregullimin e medias në internet.
Sipas tyre, dy projektligjet rrezikojnë ta kthejnë Shqipërinë në një vend jodemokratik, cënojnë rëndë lirinë e shprehjes dhe nuk zgjidhin asnjë nga problematikat ekzistuese të medias, përfshirë gjuhën e urrejtjes, shpifjen, propagandën apo dizinformimin.
Këto organizata janë BIRN Albania, Shoqata e Gazetarëve Profesionistë, Lidhja e Gazetarëve, AIS/Open Data Albania, Civil Rights Defenders, Këshilli Shqiptar i Medias, Qendra Shqiptare MediaLook.
Një nga pjesëtarët e tyre, Gjergj Erebara, tha për “Zërin e Amerikës” se ky është kufiri midis lirisë së shtypit dhe dhunimit të tij.
Të dy projektligjet krijojnë një regjistër për çdo faqe internet, dhe krijojnë “Këshillin e Ankesave”, i cili gjobit mediat ose urdhëron mbylljen e mediave. Projektligjet u japin të drejtë AMA-s ose tatimeve, të gjobisin dhe mbyllin median online, pa një procedurë të mirëfilltë ligjore, duke rritur rrezikshëm nivelin e censurës e vetëcensurës ekzistuese në median shqiptare.
7 organizatat thanë sot që nëse shumica socialiste do të miratojë këto dy projektligje, demokracia shqiptare do të rrëshqasë drejt një regjimi autoritar.
OSBE e ka ndjekur në vazhdim këtë debat dhe është përpjekur të japë ndihmën e saj për hartimin e ligjeve sa më të mira.
Përfaqësuesi i OSBE për lirinë e medias, Harlem Désir, shprehu në tetor shqetësimin për mbylljen e mundshme të portaleve shqiptare për shkak të sistemit të ri të regjistrimit.
Ai i shkroi një letër kryeministrit Rama ku ofroi ndihmën e vet ligjore, m qëllimin e përbashkët për mbrojtjen e lirisë së medias dhe të shprehjes.
Në fund të nëntorit zoti Désir u takua në Vienë me kryeministrin Rama për të vendosur një bashkëpunim mbi rregullimet e ardhshme të medias online në Shqipëria.
Zoti Rama e quajti atë një bisedë e frytshme mbi përpjekjet për rend ligjor në mediat online, dhe se mirëpriste sugjerime për një media të çliruar nga shpifjet.
Ndërsa zoti Desir tha se “rregullat e reja mbi mediat online është me rëndësi të mos pengojnë lirinë e medias dhe të shprehjes dhe as hyrjen në internet”.
Ai e quajti këtë një nga çështjet më të ndjeshme dhe më komplekse të kohës dixhitale, ku bashkëpunimi është pozitiv edhe për Shqipërinë.
Organizatat besojnë se vetërregullimi i medias dhe edukimi i publikut janë mjetet e duhura për të luftuar problemet në komunikimin online dhe jashtë rrjetit.
Ata mendojnë se të dy projektligjet e propozuara përbëjnë hap prapa në procesin e integrimit në Bashkimin Europian.