Gazeta gjermane komenton ekspozitën e Ramës dhe situatën në Shqipëri: Po protestojnë dyfish…
Gazeta gjermane komenton ekspozitën e Ramës dhe situatën në Shqipëri: Po protestojnë dyfish…
2 mars2019
Gazeta gjermane, “tagesspiege” i ka kushtuar një artikull hapjes së ekspozitës me piktura të Kryeministrit Rama.
Artikulli i plotë:
Edi Rama ka probleme të tjera veç artit. Shqipëria, kryeministër i së cilës ai është që prej vitit 2013, po proteston dyfish, me studentët e pakënaqur dhe me një opozitë të irrituar.
Nga jashtë, është e vështirë të vlerësosh kriticizmin, dhe natyrisht të kënaqesh me një politikan i cili – kur ishte ende kryetar bashkie – trishtimin e kryeqytetit shqiptar, Tiranës, e luftoi në mënyrë të suksesshme me anë të ngjyrave duke fituar simpatinë e të gjithëve. Madje, është edhe surprizuese, që në gjithë këtë destabilitet politik, Rama hap ekspozitën e tij, i përqëndruar plotësisht në ekzistencën e tij të dytë si artist; fillimisht në Rostock, ku ‘’Kunsthalle’’ i kushtoi atij një shfaqje solo, nëntorin e kaluar. Dhe pastaj në galerinë berlineze ‘’Carlier Gebauer’’, që ka marrë shumë nga Rostock-u, por që ka shtuar punë të reja të Ramës në ambientet e saj. Nga jashtë, 54-vjeçari duket i relaksuar.
Por, ajo çka ndodh brenda tij mund të lexohet në muret e galerisë: Rama është i famshëm dhe mirëfilli obsesiv. Në takime, në negociata, në telefon. Madje edhe kur vizaton papushim mbi letra të shkruara, fletë kalendari apo fletë blloku. Nga gjestet e tij në dukje të pavetëdijshme dalin rrathë dhe linja plot ngjyra.
Disa duken si inde të brishta, ndërsa disa të tjera shumohen mbi letër si një kopsht fantastik psichedelik. Elementet e bimëve apo kafshëve – si këmba e një gjeli apo trupi i një elefanti – bashkohen të gjitha derisa e gjithë fleta ku po vizaton mbushet me ngjyra. Në vizatime të tjera ka shtëpi dhe kulla në blu që faniten në peizazhe të vogla .
Vizatimet gjatë telefonatave quhen thjesht subjekte, ku shqisat veprojnë në të gjitha drejtimet. Mendja është fiksuar në diçka, ndërsa duart nuk mund të rrinë kot dhe janë në kërkim të diçkaje dhe rezultati janë disa veprime të pavullnetshme. Rama, nga ana tjetër, ka studiuar në Akademinë e Arteve në Tiranë në vitet ’80.
Më pas ai ka qenë pedagog dhe një ndër studentët e tij ishte edhe artisti i mirënjohur Anri Sala, me të cilin vazhdon të jenë miq të ngushtë edhe sot e kësaj dite. Pra Rama e ka zakon të vizatojë dhe motivet e tij i kapërcejnë kufijtë e formave të vogla.
Megjithatë, ai nuk pranon t’i konsiderojë si vepra të mirëfillta. Çdo pyetje pas kësaj ka një përgjigje të atypëratyshme: vepra e tij si politikan dhe krijimi i vizatimeve estetike janë një proces bashkëjetues. Njëra nuk ekziston pa tjetrën. Rama ka nevojë për çlodhjen që i fal vizatimi në mënyrë që të jetë në gjendje të përqendrohet në politikë.
Kjo nuk përkon jo vetëm me titullin e ekspozitës. Ekspozita e titulluar “Puna” është konceptuar si një letër e pikturuar muri. Koleksioni i pikturave të Ramës mbulon muret e sallës së ekspozitës. Çdo gjë është identike, thuajse në çdo element: Në njërën prej letrave të murit këtë herë ekspozohen vizatime dhe piktura origjinale me bojëra akrilike, përballë së cilës ndodhet një skulpturë qeramike, që Rama e ka realizuar së fundmi. Një punim i ashpërm, i shpejtë i realizuar me disa lëvizje energjike të duarve. Edi Rama e di çfarë bën.
Kështu nuk do të kishte vlerë nëse do ta pyesnim nëse pikturat e tij janë edhe pasqyrim i gjendjeve shpirtërore; nëse ato e gjejnë veten në çfarë ai ka bërë si politikan gjatë viteve të fundit. Artisti pastaj lë mënjanë lapustilin, mbështetet në karrike dhe flet aq ngadalë dhe aq qartë sikur dikush më në fund duhet të kuptojë këtë: Lidhja mes politikës dhe pikturës, nuk është aq e lehtë.
Gazeta Panorama