190 objekte Trashëgimi Kulturore, në rrezik nga shkaqe natyrore. –
Trashëgimia kulturore, Arta Dollani:190 objekte në rrezik nga shkaqe natyrore.
– Drejtoresha e Institutit të Monumenteve të Kulturës bën me dije se janë 190 monumente kulture, që rezultojnë të rrezikuara për shkaqe natyrore. Në këtë listë sipas saj përfshihen objekte antiko-mesjetare si ura, kisha, xhami dhe banesa. “Objektet që përbëjnë tipologjinë antikomesjetare, janë rreth 70 të tilla të rrezikuara, të cilat janë të dëmtuara dhe kërkojnë ndërhyrje emergjente, 120 shtëpi banimi janë të rrezikuar në gjithë territorin e Shqipërisë”, pohon drejtoresha e IMK. Gjatë këtyre ditëve u shembën dy ura monument kulture, ajo e Hoshtevës në zonën e Zagorisë, si dhe ajo e Orgockës në Kolonjë. Por në daljen e saj në media drejtoresha e IMK deklaron se urat do të rindërtohen sipas projekteve të IMK. “Një nga projektet e gatshme ishte dhe ai i urës së Hoshtevës që ne fatkeqësisht për shkak të rrjedhës së lumit të rrëmbyeshëm, shkëputjes masive të dherave arritëm të humbnim disa pjesë të saj, që do të rikuperohen dhe rindërtohen. Sigurisht që nuk është zhdukur dhe gjurmët janë aty, dhe materialet e ndërtimit janë po aty, sepse është shembur një pjesë e madhe e harkut të sipërm të urës dhe këmbët janë aty. Kjo do të bëhet në rastin më të parë kur niveli i ujërave të ulet”, thotë Dollani, ku sipas saj dhe ura e Orgockës gjithashtu do të rikuperohet me anë të projektit të IMK. “Teknikisht quhet rindërtim i pjesës së dëmtuar, dhe mblidhen materialet që ishte e përbërë objekti dhe ndërtohet skeleti i urës dhe materialet rivendosen aty ku kanë qenë, nëse nuk kemi materiale që kanë qenë dhe nuk i rikuperojmë dot më do ti zëvendësojmë me të njëjtin material pra gurë, dhe këto elementë të reja që do të vendosen do të dallohen nga struktura e vjetër”, tregon Arta Dollani. Por gjatë kësaj kohe Ministria e Kulturës dhe IMK janë akuzuar nga zëra të shumtë specialistësh për mosmarrjen e masave dhe përgjegjëse për zhdukjen e dy monumenteve të kulturës. Tani që u shembën flitet dhe për rindërtim nga drejtoresha e IMK.
Ne foto: Arta Dollani.
Në reagimin e saj në lidhje me monumentet me probleme, ajo pohon se pranvera do të jetë stina ku do të ketë ndërhyrje më shumë. “Nuk është dimri për të ndërhyrë koha e duhur. Është pranvera, vera deri në vjeshtë, por jo dimri. Ne kemi përzgjedhur listën më të rrezikuar dhe kemi dedikuar për këtë program rreth 500 mijë euro. Pavarësisht investimit gjatë këtyre 4 viteve të fundit për trashëgiminë kulturore që është dedikuar rreth 1 miliardë lekë të reja, por asnjëherë nuk është mjaftueshëm për objektet e trashëgimisë. Janë shumë pak në krahasim me atë që kanë nevojë e objektet e trashëgimisë kulturore për restaurim”, përfundon drejtoresha e IMK.
11/02/2018
/Agjensia e Lajmeve Sot News/