190 persona të zhdukur në 10 muajt e 2019, dy janë gjetur të vrarë. –
190 persona të zhdukur në 10 muajt e 2019, dy janë gjetur të vrarë
16 Nëntor 2019
Gjatë 10 muajve të vitit 2019, Policia ka raportuar për një numër të madh të qytetarëve, të cilët janë zhdukur nga rajone të ndryshme të Kosovës. Disa prej tyre janë larguar vetëm përkohësisht, mirëpo ka pasur edhe raste kur personat e zhdukur janë gjetur pa shenja jete. Dy rastet e fundit janë ato nga Vushtrria dhe Lipjani.
Musli Krasniqi nga Vushtrria i cili rezultonte i zhdukur nga data 28 nëntor është gjetur i vdekur në një pus në afërsi të fshatit Begaj më datën 4 nëntor. Trupin e tij të pajetë e kanë gjetur Forcat e Sigurisë së Kosovës.
Rasti tjetër është ai i të riut nga Lipjani, Shqipdon Aliut. Për zhdukjen e tij ishte raportuar në Polici më 14 tetor, ndërsa trupi i tij i pajetë është gjetur më 21 tetor. Trupi i tij është gjetur në një gropë në fshatin Gadime e Ulët të Lipjanit.
Por, këto nuk janë rastet e vetme. Nga Policia e Kosovës kanë thënë për Telegrafin se këtë vit janë raportuar rreth 190 persona të zhdukur.
“Në shumicën dërmuese të rasteve personat e zhdukur janë gjetur, pasi shpesh kanë qenë largime të përkohshme nga shtëpia, apo largime pa leje (pa njohurinë e familjarëve) për shkaqe të ndryshme. Në mesin e këtyre personave ka pasur edhe persona që kanë pasur probleme shëndetësore”, kanë thënë nga Policia e Kosovës.
Përveç Policisë së Kosovës edhe qytetarët kontribuojnë në gjetjen e personave të zhdukur, duke shpërndarë fotografi në rrjete të ndryshme sociale. Vlen të përmendet rasti i fundit i Remzije Mustafës, gruas nga Prishtina e cila kishte humbur që nga data 6 tetor. Falë bashkëpunimit të mediave, Policisë së Kosovës dhe qytetarëve, ajo është gjetur shëndoshë e mirë në një shtëpi të pabanuar në Prishtinë.
©Copyright Gazeta SHQIP