10 Mars 2014

Më 23 shkurt 1913, anija ushtarake greke “Trifilia” e kishte një mision të veçantë: pasi ishte ankoruar në portin e Durrësit, ushtarët serbë që kishin arritur aty vetëm disa javë më parë, një natë më herët i kishin ngarkuar në të 23 arka me 27 artefakte dhe ato fillimisht u transportuan drejt portit të Selanikut, e më pastaj me tren nëpërmjet Gjevgjelisë, më 6 prill arritën në Beograd, duke u shndërruar deri më tani pronë e Muzeut Popullor të Beogradit
Ushtria serbe u prit në Durrës me fenerë nga peshkopi ortodoks“Kryetari i Këshillit të Ministrave të Serbisë urdhëronte të gjithë konsujt që në vendet përkatëse duhet t’u bëjnë me dije qeverive se Serbia për asnjë çmim nuk do të heqë dorë nga kërkesa apo qëllimi i daljes në Detin Adriatik” – thuhet në një raport të datës 6 nëntor të vitit 1912, që ruhet në Arkivin e Serbisë në Beograd. Kryesuesi i Këshillit të Ministrave të Serbisë, Nikolla Pashiq, këtë porosi ua kishte dhënë konsujve, sepse siç shkruante ai “kemi marrë informacion prej një vendi mik se Austro -Hungaria kurrë nuk do të lejojë që Serbia të ketë dalje në Detin Adriatik! Unë jam përgjigjur se Serbia nuk do të heqë dorë kurrë prej daljes në Detin Adriatik, pavarësisht viktimave që kërkohen për ta arritur këtë qëllim. Ju lutem ua bëni me dije qeverive përkatëse qëndrimin tim dhe më informoni për çfarëdo qoftë që mësoni prej tyre”. Ishte porosia e tij në fillim të Luftës së Parë Balkanike. Këmbëngulësia e kryetarit të Këshillit të Ministrave, padyshim se ishte një hap drejt finalizimit të marrëveshjes së arritur paraprakisht me shtetin e Bullgarisë në kuadër të projektit të Aleancës Ballkanike që u kurorëzua “pas pesë muajve bisedime më 13 mars të vitit 1912, projekt ky të cilit më vonë iu bashkëngjitën Mali i Zi dhe Greqia”. Aleatët ballkanikë u inkurajuan aq më tepër kur në verën e vitit 1912 një informacion i besueshëm arriti në Sofje prej vetë qeveritarëve turq, madje në zyrën e kryeministrit bullgar, Geshov, i cili kishte qenë në krye të delegacionit bullgar në bisedimet e zhvilluara me palën serbe!

“I ngarkuari me punë i qeverisë turke në Sofje, Refik Beu, dje i ka deklaruar kryeministrit Geshov se e ka pranuar telegramin prej ministrit të tij me porosinë se duhet thënë atij se qeveria turke nuk do t´ia japë autonominë Shqipërisë”, thuhet në njërin prej raporteve të shumta diplomatike në Ballkanin e trazuar të asaj kohe.

Por, përkundër tërheqjes së vërejtjes nga ana e Austro-Hungarisë, ushtarë serbë me të arritur në Prizren e Gjakovë e morën urdhrin që sa më shpejt që është e mundur të siguronin veshjet kombëtare shqiptare dhe t’ia mbathnin drejt bregdetit shqiptar, pasi qeveritarët dhe kreu ushtarak i Serbisë ishin të bindur se nëse fundi i Luftës së Parë Ballkanike i gjente ushtarët serbë në bregdetin shqiptar atëherë edhe sovraniteti shtetëror do të shtrihej deri atje! Ata në fakt edhe vepruan ashtu dhe vetëm pak ditë më pas atje arritën edhe njësitet e tjera ushtarake, ndërsa “dalja në Detin Adriatik” e shtetit të Serbisë u përcoll me ikonografinë e zakonshme të hyrjes së një ushtrie “triumfale”. Arritja e ushtrisë serbe në Durrës është paraqitur edhe në shtypin e kohës. Në një shkrim të huazuar nga shtypi ndërkombëtar dhe të publikuar në të përditshmen beogradase “Politika” të datës 24 nëntor 1912 thuhet se “porti i Durrësit u fut nën kontroll nga ana e ushtrisë serbe pasditen e së enjtes (raporti është i ditës së diel). Unë nuk pata mundësi të lajmëroja më herët”, e ka tërhequr vërejtjen raportuesi, pasi në çastet e arritjes së ushtrisë serbe prej portit të Durrësit u largua anija austriake “Grof Vurmbrat” që ishte i pajisur me telegraf dhe që nga largimi i saj, Durrësi ishte i shkëputur nga lidhjet telegrafike me botën. Pra, prej tani serbët janë zotërues të Durrësit thuhet në raport në të cilin përshkruhen edhe momente të atmosferës që mbretëroi në ditët e para të okupimit të këtij qyteti.

Image
Pritja e ushtrisë serbe në Durrës

“Që serbët të bëheshin zotër të Durrësit nuk patën nevojë ta shkrepnin asnjë fishek dhe vetë hyrja e ushtrisë së mbretit Petër në Durrës, nuk ishte dramatike. Veprimin e parë që një oficer serb e ndërmori ishte heqja e flamurit shqiptar nga kazerma e qytetit! Pak pa rënë muzgu i mbrëmjes kur kishte filluar vendosja e ushtarëve serbë në kazermë dhe nëpër shkollat e Durrësit, peshkopi ortodoks me fenerin e ndezun, i vënë në ballë të afro njëqind banorëve vendas të besimit ortodoks iu uruan i mirëseardhje ushtrisë serbe! Me këtë rast në errësirën e thellë u organizua një mbledhje dhe feneri i peshkopit herë pas here i shndriste fytyrat e folësve. Ndërsa në fjalën e tij vetë peshkopi e lartësoi kolonelin serbë që i priu hyrjes së ushtrisë serbe në Durrës. Në fund të gjithë pjesëmarrësit e tubimit të përcjellë nga ana e ushtarëve me këngë e përcollën peshkopin në shtëpinë e tij, duke bërtitur “Rroftë Serbia”.

Image
Ballina e gazetës “Politika” të datës 9 nëntor të vitit 1912, me kryetitullin “Deti serb”

Dhuratë nga “bregdeti serb” për lirinë që ushtria e Serbisë e solli në Durrës

Më 29 nëntor të vitit 1912, Mbretëria e Serbisë e zyrtarizoi themelimin e Qarkut “serb” të Durrësit dhe bashkimin e tij me Serbinë. Shpallja e bashkimit të Qarkut të Durrësit në kuadër të shtetit serb, e gjeti kryeshefin e ardhshëm të këtij qarku, Ivan Ivaniqin (1867–1935) rrugës për në Durrës dhe vetëm pak ditë më pas ai e mori funksionin e besuar. Ivaniq është i njohur për udhëpërshkrimin “Në Kosovë – prej Sharri nëpër Kosovë e deri në Zveçan” të botuar në vitin 1903, ndërsa bashkëshortja e tij Delfa, fillimisht u angazhua në organizmin e “spitalit popullor të Durrësit”. Edhe pse aventura serbe në Durrës zgjati vetëm nga fillimi i dhjetorit të vitit 1912 e deri në prill të vitit 1913, okupimi i përkohshëm serb i portit shqiptar la pasoja afatgjate në planin e trashëgimisë kulturore.

Ivan Ivaniq nuk kishte kurrfarë lidhje me arkeologjinë, por i prirë nga mentaliteti kolonialist, ai menjëherë iu përvesh aktiviteteve të zhbërjes së gjurmëve kulturore të viseve shqiptare. Kështu ai arriti ta formojë “Këshillin për hulumtimin e lashtësisë së Durrësit”. Nën direktivat e këshillit të lartpërmendur, akoma pa filluar pranvera e vitit 1913, ushtarët serbë i nisën gërmimet në rrethinat e qytetit, por fatkeqësisht në materialet e ruajtura arkivore nuk janë të evidentura lokacionet e sakta se ku u zhvilluan ato, ndonëse në letërkëmbimin e kohës që është zhvilluar midis administratës okupuese dhe përgjegjësve të Muzeut Popullor në Beograd jepen mjaft të dhëna për këto aktivitete.

Në raportin e radhës më 26 shkurt 1913, Ivan Ivaniq dhe “kryetari” i Komunës së Durrësit, Petar Gjurashkoviq, ua kanë bërë me dije zyrtarëve të Muzeut Kombëtar në Beograd se në “në marrëveshje me këshilltarët komunalë dhe udhëheqësinë e Qarkut të Durrësit, është sjellë vendimi që në Beograd të dërgohet një numër i konsiderueshëm i gjetjeve arkeologjike që janë gërmuar në muret rrethuese të qytetit të vjetër të Durrësit. Prandaj, “Këshilli për hulumtimin e lashtësisë së Durrësit” lutet që artefaktet e dërguara të pranohen si dhuratë prej vetë qytetit të Durrësit por edhe të “bregdetit serb” dedikuar atdheut të Serbisë në shenjë të lirisë që ushtria fitimtare e saj e solli këtu! Këshilli njëherësh kërkon që artefaktet të ekspozohen në një hapësirë të veçantë të muzeumit”. Në po të njëjtin raport të kryeshefit të Qarkut të Durrësit bëhet e njohur se në pritje është edhe arritja e “ekspertëve” serbë nga Beogradi me qëllim të fillimit të gërmimeve në Porto Romano.

Kështu më 23 shkurt të 1913-s, ushtarët serbë i ngarkuan në anijen ushtarake greke “Trifilia” 23 arka me 27 artefakte dhe ato fillimisht u transportuan drejt portit të Selanikut, e më pastaj me tren nëpërmes Gjevgjelisë më 6 prill, ngarkesa arriti në Beograd, duke u shndërruar në pronë të Muzeut Popullor të Beogradit. Për arritjen në Beograd, dëshmon raporti i përgjegjësit të të hyrave të Muzeut Popullor të Beogradit drejtuar komandës së Divizionit të Vardarit – Kosovës me seli në Shkup, me ç’rast është precizuar se “prej Durrësi në Muzeumin Popullor kanë arritur 23 arka me 27 artefakte”.

Edhe pse në këtë raport është potencuar se “dërgesa ka arritur e sigurt në cak” megjithatë më vonë vetë përgjegjësit e këtij institucioni kanë shprehur keqardhje se “prej dhuratës nga ‘bregdeti serb i Durrësit’ kanë ngelur vetëm një e treta e artefakteve dhe për “zhdukjen” e tyre tërthorazi faji prapë është hedhur mbi Austro-Hungarinë, pasi forcat e saja e bombarduan kryeqendrën e Beogradit gjatë Luftës së Parë Botërore!

Image

Çfarë arriti dhe u evidentua në Muzeun Popullor të Beogradit në javën e parë të prillit të vitit 1913?

Se në çdo fatkeqësi mund të gjendet edhe një fije fati, në rastin konkret dëshmi është evidenca e ruajtur lidhur me dërgesën e arritur nga Durrësi në Beograd, që edhe sot e kësaj dite ruhet në arkivin e Muzeut Popullor të Beogradit.

Dokumenti i kësaj dërgese është evidentuar në emrin “Lista e lashtësive durrsake” ku konstatohet se dërgesa është përbërë prej 27 artefakteve të paketuara në 23 arka, ndërsa më tej precizohet se Muzeu Popullor prej Durrësi ka pranuar ”një gur varri (stelë) me mbishkrim, dy gurë njëri prej tyre gëlqeror me acanthus (bimë) dhe tjetri gjithashtu me acanthus dhe palmeta (zbukurim në relief me gjethe palme), dy gurë të të njëjtit lloj me paraqitje të gladiatorëve romakë, dy amfora romake, tre gurë gëlqerorë me koka plastike, një pllakë mermeri e copëtuar me dy nimfa në relief, dy globe mermeri, një gur varri mermeri me paraqitje të një portreti dhe me mbishkrim, dy gurë (stela) varri me mbishkrim, një kapitel (pjesa e sipërme e shtyllës) i madh mermeri, më vonë i shpuar dhe përdorur për një pus, dy kapitelë më të vegjël mermeri, një pllakë mermeri e thyer me mbishkrim greqisht dhe një fragment i një pllake gëlqerore po ashtu me mbishkrim”. Lista e ruajtur dhe fotografitë padyshim se e lehtësojnë identifikimin e artefakteve të mbijetuara, ndonëse shtrohet nevoja e një hulumtimi më të gjerë sidomos të katalogëve ndërkombëtarë, ku ekziston mundësia që botuesit por edhe koleksionistët e huaj kanë botuar fotografi të trashëgimisë kulturore durrsake tashmë të plaçkitur.

Dëshmia e filologut serb dhe rikthimi eventual i trashëgimisë kulturore pa Kosovën në mes

Edhe pse si themelues zyrtar i ““Këshillit për hulumtimin e lashtësisë së Durrësit” ishte kryeshefi i qarkut Ivan Ivaniq, në raportin e sipërpërmendur të përgjegjësit të të hyrave të Muzeut Popullor të Beogradit, megjithatë precizohet se kryetar i këshillit ishte profesori universitar dhe filologu serb, Dragutin Anastasijeviq, i cili po ashtu me shkrim ka konfirmuar se në rrethinat e Shijakut janë gjetur edhe një sasi e armëve dhe ato kanë qenë në pronësi të Esad Pashë Toptanit. “Ishin gjithsej 15 pushkë, 3 jataganë dhe 3 revole, prej të cilave disa ishin të stolisura me ar dhe argjend”. Fatkeqësisht fati i tyre nuk dihet, sepse mungojnë shënime plotësuese. Por, shtrohet pyetja se çfarë mund të ndërmerret për gjetjet që tashmë janë në pronësi të Muzeut Popullor të Beogradit dhe aq më tepër kur dihet qartë origjina e tyre?

Kohëve të fundit jemi dëshmitarë se një pjesë e shteteve në botë kanë ndërmarrë veprime të kthimit të trashëgimisë kulturore të plaçkitur në kohët e mëhershme qoftë kur këto shtete në vendet gjegjëse kanë qenë si kolonizatore apo qoftë që ajo trashëgimi kulturore është plaçkitur në rastin e organizmit të gërmimeve nga “ekipe të specializuara të arkeologëve të huaj”. Megjithatë, duhet bërë të qartë se aventura e Serbisë në vitin 1912 nuk mund të krahasohet me përmasat kolonizuese të shteteve të caktuara, megjithatë, jemi të mendimit se do të ishte e rrugës që Qeveria e Shqipërisë tashmë si përkrahëse e “Ballkanit të Hapur” në kuadër të bashkëpunimit kulturor me Qeverinë e Serbisë “pa Kosovën në mes” do të mund të kërkonte të zgjidhej fati i artefakteve të plaçkitura të Durrësit. Bile, ndihmë në realizmin e këtij projekti do të ofronte ndihmë Qeveria e Maqedonisë së Veriut, pasi me kërkesë të Beogradit në verën e vitit 2021 dhe me vetë angazhimin e ministrit të punëve të jashtme të Republikës së Maqedonisë së Veriut, z. Bujar Osmani nga Ohri në Beograd u kthye një pjesë e mburojës së Kuvendit të Serbisë apo të Kuvendit të dikurshëm Federativ, që në vitet 1936 – 1956 e kishte rrethuar këtë ndërtesë për t’u çmontuar dhe për t’u vendosur më pas si mburojë e vilës “Biljana” në Ohër që ishte vënë në disponim së kryetarit të dikurshëm jugosllav Josip Broz Titos (1892 – 1980). Për ironi, shteti i Serbisë luftoi me këmbëngulje në kthimin e mburojës, ndonëse në anën tjetër, ai u tregua i pamëshirshëm ndaj Jovanka Brozit, ish-bashkëshortes së prijësit jugosllav, pasi nuk i ofroi asaj kurrfarë mbështetje pas vdekjes së bashkëshortit!

Nga Gazeta Koha, Prishtinë.