1978; – Floriri i zbuluar në Tuç, telegramet rreth tij

29 tetor 2020

Nga Kastriot Dervishi.

Në verën e vitit 1978 u zbulua flori në minierën e Tuçit në Pukë. Kjo del nga telegramet e shkëmbyera midis udhëheqësve të kohës.

***

11.8.1978, shokut Enver, Pogradec

Në Tuç ramë në një bllok mineral bakri të rëndësishëm, me përmbajtje të lartë floriri që shkon 5-60 gram flori për ton mineral. Kur miniera ka mbi 3 gram flori për ton mineral, quhet minierë floriri. Sot ne nxjerrim floririn nga minerali i bakrit me 1-1.5 gram flori për ton mineral. Ndaluam hë për hë shfrytëzimin e minierës së Tuçit si minierë bakri dhe mineralin e nxjerrë e shikojmë për të studiuar më tej shfrytëzimin e kësaj miniere. Këtej gjithë jemi mirë, Hysniu, Hakiu, Babë Myslimi, etj. Adili më 22 niset për Parti për të përfunduar kurën.

Durrës, 11.8.1978

Ju përqafoj me mall, Mehmeti

Shënim: Vapori ynë që ishte në Shangai shkoi në Kore, mori ngarkesën dhe sot niset për kthim në Durrës.

***

11.8.1978, shokut Mehmet, Durrës

I dashur shoku Mehmet. Telegramin me sihariqe shumë të mirë, më gëzoi pa masë. Për asnjë moment nuk dyshonim se pasurira të mira fshiheshin dhe fshihen akoma në nëntokën bujare të atdheut tonë. Rruga e drejtë e partisë tonë, po i nxjerr dhe i vë në shërbim të popullit në ndërtim të socializmit. Perspektivat e 5-vjeçarit të ardhshëm janë shumë të mira, për gëzimin e popullit tonë, të miqve tanë të shumtë, opinionin dhe për inat të armiqve nga po i demaskojmë pa mëshirë. Çështja e zbulimit të arit në Tuç, veçanërisht duhet vënë nën kontroll dhe duhet mbajtur sekret. Të gjitha zbulimet minerare, mendoj se po ashtu duhen mbajtur sekret, sasinë, cilësinë. Shokëve ju bëj shumë të fala, të të përqafoj me mall dhe ju uroj të gjithëve.

Enver Hoxha, Pogradec.

Huazuar nga FB: Kastriot Dervishi.