20 hektarë toka me ullinj shekullorë u dogjën në Elbasan
8 Gusht 2022
Rreth 20 hektarë me ullinj shekullorë rreth 500 vjeçarë të djegur është bilanci paraprak i dëmit të zjarrit të rënë një ditë më parë në kurorën e Elbasanit. Ekipet e zjarrfikëses iu desh të paktën 12 orë luftë për të vënë flakët nën kontroll, në ndihmë të të cilëve u ofruan edhe banorë të Elbasanit.
Gjithashtu në fikjen e zjarrit u angazhuan rreth 30 zjarrfikës nga Cërriku, Belshi dhe Peqini ndërsa janë vënë në dispozicion 7 makina.
Edhe pse vatra kryesore e zjarrit është vënë nën kontroll ditën e sotme në ndihmë kanë ardhur dhe efektivë ushtrie në mbështetje të zjarrëfikses Elbasan për të fikur vatrat e vogla që kanë mbetur në brendësi të kodër ullishtes.
Riaktivizimi i tyre do ta agravonte sërish situatën. Ndërkohë të shumta kanë qënë reagimet një ditë më parë të zërave opozitarë të cilët fajësuan pushtetin lokal dhe qendror për mungesën e angazhimit.
Gazeta Shqiptare