22 Nentor 2022

Emergjenca për të plotësuar nevojat e tregut të punës me punonjës të huaj po rritet me shpejtësi muaj pas muaji, për shkak të emigracionit të lartë të fuqisë punëtore vendase dhe nga ana tjetër nga rritja e kërkesës për të prodhuar në Shqipëri pas pandemisë Covid-19 dhe luftës në Ukrainë.

Sipas të dhënave nga Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive (AKPA) gjatë 9 -mujorit 2022 kanë marrë leje pune 5,233 shtetas të huaj. Ky numër ishte 4% më i lartë se gjithë kontratat e punës që u dhanë për të huajt për vitin 2021.

Deri në fund të vitit pritet të lëshohen edhe një sasi e madh lejesh qëndrimi për punë ndaj të huajve nisur nga kërkesat e larta që bizneset në sektorë të ndryshëm të ekonomisë kanë bërë tek agjencitë e punësimit.

Të dhëna më të detajuara nga AKPA tregojnë se punonjësit e huaj më së shumti vijnë të punësohen në industrinë përpunuese, në sektorin e ndërtimit, në bujqësi dhe peshkim, etj.

Vitin e kaluar 16 për qind të lejeve të punës u lëshuan për shtetas turq, egjiptian, filipines dhe indian. Punonjës nga këto vende u punësuan kryesisht për industrinë fason Tik dhe ndërtim.

Vitet e fundit sidomos pas pandemisë Covid-19, bizneset në të gjithë sektorët kanë shpallur emergjencën për punonjës. Kjo u theksua sidomos këtë vit, pasi një valë e madhe emigracioni u theksua në moshat të reja. Sakaq është në rritje trendi i largimit me kontrata pune.

Të dhënat zyrtare nga Britania e Madhe, tregojnë se nga fillimi i vitit deri në fillim të nëntorit rreth 12 mijë shqiptare janë futur me gomone, shumica të rinj. Gjithashtu Eurostat raportoi se mbi 10 mijë shtetas shqiptare kanë kërkuar azil në 6 mujorin e parë.

Mijëra tjera largohen me llotarinë amerikane me viza studenti dhe për bashkim familjar. Largimet nga vendi janë aq të mëdha sa shumë sektorë raportuan rënie të konsumit për këtë fakt.

Tentativat për të zëvendësuar fuqinë punëtore me të huaj duket se, janë mjeti i vetëm për disa sektorë.

Gjovalin Shtjefni i cili prej 10 vitesh drejton fabrikën e prodhimit të veshjeve “Rubin” në qytetin e Shkodrës tha se, nëse nuk arrin të importojë punonjës të huaj do të detyrohet të mbyllë aktivitetin në dy vitet në vijim.

Bizneset ankohen se kostot për importin e punonjësve të huaj janë të larta, gjithashtu ka shumë borukraci. Kompanitë shqiptare janë përgjithësisht të vogla dhe kërkojnë një sasi të limituar punonjësish.

Erald Pashaj, administrator i EP & Partners Consultancy shpk (EPPC), një kompani që ka në fokus burimet njerëzore tha se kostot aktuale që një firmë duhet të paguaje për një punonjës nga Nepali janë 1200 euro dhe më pas një rrogë neto 550 euro në muaj.

Nëse një kompania paguan për 10 punonjës nga Nepali, 50 për qind e tyre mund të jenë totalisht joproduktivë, ndërkohë marrja e tyre me rroga shumë të larta largon punonjësit shqiptarë që paguhen më pak./Monitor

a.m/dita