14 Prill 2025

I ftuar në intervistën e ditës, Marash Logu, jurist i Partisë Demokratike në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ka hedhur dritë mbi përgatitjet intensive që po kryhen për procesin zgjedhor të votimit nga diaspora.

Në një kohë kur besimi në integritetin e zgjedhjeve është thelbësor, Logu theksoi rëndësinë e transparencës dhe monitorimit të çdo etape të këtij procesi nga përgatitja e dokumentacionit e deri tek dërgimi i fletëve të votimit në adresat përkatëse jashtë vendit.

Ai ndau shqetësime të ngritura mbi gabime teknike, përpjekjet për verifikim të tyre, si dhe denoncimet për presione apo ndërhyrje nga struktura shtetërore.

Në thelb të mesazhit të tij qëndron bindja se diaspora shqiptare ka më shumë se kurrë arsye për të votuar  për të ndëshkuar keqqeverisjen dhe për të sjellë ndryshimin që vendi ka nevojë.

Marash Logu:

Ka filluar përgatitja e dokumentacionit zgjedhor që do t’u dërgohet qytetarëve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit. Ky dokumentacion përfshin fletët e votimit dhe zarfet përkatëse, të cilat, pasi përpunohen nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), i dorëzohen operatorit postar DHL. Kjo kompani realizon shpërndarjen, fillimisht drejt aeroportit të Rinasit, më pas në qendrën më të madhe të shpërndarjes në Evropë, në Gjermani, dhe prej andej drejt adresave individuale të votuesve të regjistruar në diasporë.

Gjatë këtij procesi, kemi monitoruar me kujdes çdo hap të përgatitjes së dokumentacionit zgjedhor për të garantuar një transparencë të plotë. Për shkak të standardeve të vendosura, kemi kërkuar disa verifikime shtesë, pasi gjatë përgatitjes janë konstatuar disa gabime të natyrës teknike. Megjithatë, pas verifikimeve të kryera, është konfirmuar se këto gabime nuk ndikojnë në asnjë aspekt thelbësor të procesit zgjedhor.

Ky proces ka filluar rreth 3–4 ditë më parë dhe parashikohet të përfundojë brenda ditës së nesërme. Sigurisht, për shkak të volumit të madh të punës, ekziston mundësia e gabimeve të tjera teknike, të cilat do të duhet të identifikohen, të verifikohen dhe të merren masat përkatëse që të mos përsëriten në mënyrë që votimi i diasporës të mos cenohet.

Në lidhje me regjistrimin e votuesve, ka pasur shqetësime për ndikime të mundshme nga faktorë të jashtëm. Kujtojmë këtu denoncimet e emisionit investigativ “Piranajt”, ku janë evidentuar raste kur individë të caktuar, përfshirë struktura shtetërore, deputetë, ministra madje edhe Kryetaren e Parlamentit, kanë ushtruar presion apo kanë ndërmarrë iniciativa për të nxitur qytetarë që të regjistrohen për votim, ndonjëherë edhe në mënyrë të detyruar. Kjo, megjithatë, nuk do të thotë se ata do të votojnë patjetër, pasi në fund të ditës votimi është një akt i lirë dhe personal.

Shpresojmë që ata qytetarë që kanë marrë mundimin të regjistrohen dhe kanë shprehur vullnetin për të qenë pjesë e këtij procesi, të marrin pjesë aktive në votim. Besojmë se shqiptarët e diasporës kanë një arsye të fortë për të marrë pjesë në këto zgjedhje. Pas 12 vitesh keqqeverisje, me raste të njohura korrupsioni dhe përfshirje të krimit të organizuar, diaspora shqiptare ka një mundësi reale për të sjellë ndryshimin. Siç është shprehur edhe z. Berisha, ky është “viti i diasporës”, dhe ajo ka fuqinë të bëjë diferencën në këto zgjedhje.