27 vjet më parë ka nisur bombardimi dhe agresioni i sulmeve çetnike serbo-malazez në qytetin e Dubrovnikut. –
27 vjet më parë ka nisur bombardimi dhe agresioni i sulmeve çetnike serbo-malazez në qytetin e Dubrovnikut. –
Nga: Jahja Dancolli. –
Në Ditën e sotme, më 1 tetor 1991, saktësisht 27 vjet më parë ka nisur bombardimi dhe agresioni i sulmeve çetnike serbo-malazez në qytetin e Dubrovnikut. Rrethimi dhe bombardimet kanë vazhduar deri më 7 korrik 1992. Gjatë kësaj periudhe ka pësuar rëndë ekonomia dhe turizmi i qytetit. Goditje të rënda kishte marrë edhe pallati Sponza ku ruhet dhe thesari arkivor i njohur në botë ç’prej vitit 1022. Është e njohur se qendra e Dubrovnikut ç’prej vitit 1979, është e vendosur në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s!
Burimet historike të ruajtura deri me sot dëshmojnë se historia jonë ndërlidhet ngushtësisht me historinë e këtij qyteti prej fillimeve të saja deri në ditët e sotme. Për kontinuitetin e jetës në arealin e sotëm të komunës së Dubrovnikut dëshmojnë gjurmët e zbuluara nga parahistoria, periudha ilire, romake dhe mesjetare. Emri i qytetit Ragusium – Rush, Rushë rrjedhë nga gjuha e folësve iliro-arbër. Me gjuhën ilire-arbërore lidhen disa toponime në rajonin e ngushtë të Raguzës. Lumin Ombla (sot Dubrovačka Rijeka) ndonjë studiues, si, A. Mayer, E. Çabej, H. Krahe, N. Jokli, etj. e nxjerrin nga gjuha shqipe. Ndërsa, kodrën Tmor, më e larta në trevën e Dubrovnikut, një toponim dhe oronim me këtë emër (Tomor, Tomarus, Tmor) e ndeshim gjatë antikitetit dhe gjatë mesjetës në treva iliro-arbërore.
Sipas njoftimeve kartografike dhe burimeve historike qyteti nisi të zhvillohet nga fundi i antikitetit dhe në fillimet e mesjetës (IV-VI) në gadishullin shkëmbor Laus, Lave, që më vonë nisi të quhet castellum. Me emrin Epitarium id est Ragusium përmendet për herë të parë te Cosmographia e Ravennatis Anonymi (shek. VII-VIII), i cili theksonte prerazi se Raguza ishte trashëgimtare e Epidaurit të lashtë. Megjithaatë Raguza është përmendur edhe më parë, lajmet e para të besueshme për këtë qendër, i kemi nga gjysma parë e shek. X, të regjistruara te K. Porfirogjeneti. Nga kjo kohë, burimet relevanate e përmendin dendur, sidomos gjatë shek. X-XI, respektivisht në vitin 1022 kur ishte shpallur në rangun e agjipeshkvisë me seli mitropolite, e cila udhëhiqte ipeshkvitë sufragane të Kotorrit, Tivarit dhe Ulqinit. Komuna autonome dhe më pastaj Republika e Raguzës përmendet për herë të parë më 1181 (Comunitas Ragusina); zotëronte Statutin (1272), arkivin dhe bibliotekën publike; arkiva dhe biblioteka kishtare, pa lëndën e të cilave sot nuk mund të imagjinohet historia mesjetare e Kosovës. Duke zotëruar të gjitha atributet shtetërore (territerin, stemën, flamurin, si dhe sistemin monetar), nga gjysma e dytë shek. XIV, nisi të quhet Republika e Raguzës (Respublica Ragusina). Si e tillë, ajo i bëri ball sulmeve osmane, për të rënë më vonë nën francezët e Napoleonit (1808).
Burimet arkivore raguzane të ruajtura deri në ditët e sotme njoftojnë edhe për shtetin e Arbërit në krye më Progonin (1190-1198). Në një akt të marrëveshjes tregtare të nënshkruar prej tij më 1210. Në këtë marrëveshje, e njohur si marrëveshje e parë ndërkombëtare e shtetit të Arbërit, Dhimitri e quan veten “Panhipersebast” dhe “Arkont i Madh” (“Demetrius Die gratia panypersebastos et magnus archon”). Akti i marrëveshjës është realizuar në kancelarinë shtetërore të Principatës së Arbërit (“de la chancellarie d’Arbanon”), dhe është nënshkruar nga Dhimitri e nga vasalet e tij: Jonema, Markeni, Serneli, Peltus, Len, e ndonjë tjetër, që mbanin emra kalendarik dhe bizantinë. Titulli i parë ka në rrënjë fjalën sevast, titull ky i përhapur në kohën e dinastisë së Komnenëve. Në Arbëri atë titull e zotëronte edhe sevasti i Skurjes, sevasti i Misjes, sevasti i Kurbinit, e ndonjë tjetër. Titullin në fjalë zakonisht e mbanin funksionarët që kishin lidhje farefisnie me familjen perandorake bizantine. Këtu fshifën edhe gjurmët e para të gjuhës shqipe, të cilat datonë nga viti 1284.
Në Republikën e Raguzës kanë bërë emër edhe shumë burra të shquar nga treva të Kosovës dhe Shqipërisë së sotme. Nga vargu tyre duhet përmendur, Gjon Durrësaku (1392-1397), profesor në Universitetin e Padovës; Ndre Durrësaku (1387-1393), arqipeshkëv i Raguzës; Miho Tivarasi, arkitekt dhe ndërtues i Manastirit të Deçanit (1327-1335). Vëmendjen e studiusve kanë tërhequr sidomos veprimtaria e dy krijuesve novobërdas në arte figurative: Gjon Injaci dhe magjistër Gjon Progoni. Për jetën dhe krijimtarinë e tyre ruhën shumë dokumente që dalin nga kançelaria, noteria dhe aktet e këshillave raguzane; Progoni ka tërhequr vëmendjen e Farlatit dhe të Coleti-t. Injaci ishte ndër piktorët dhe pjesëmarrësit më të njohur të shkollës së pikturës novobërdase të realizuar në Raguzë gjatë shek. XV. Meritat e tij artistike janë po aq të mëdha, kur merret parasysh edhe fakti, që dy fëmijtë e tij, Pjetri dhe Pali, si dhe nipi tij Gjoni, ishin piktorë të shquar humanistë; Injaci qe angazhuar edhe për meremetimin e Pallatit të Dukës së Raguzës. Rreziku i luftës, shpien që ai të merrët edhe më punë si mjeshtër i armëve të zjarrit dhe arkave metalike; ishte shumë i zellshëm në punë dhe këtë veçori e ruajti deri në vdekje (rreth 1478-1482).
Rol kyç në diplomacinë skënderbejane kanë luajtur vëllezërit Gazulli (Gjini e Pali), të cilët kishin specializuar për çështje të marrëdhënieve të Skënderbeut me Republikën e Raguzës, Shtetin e Papës dhe Mbretërinë e Hungarisë, që gjatë viteve 1443-1444, si dhe 1448-1456, Skënderbeu e kishte bërë shok Janosh Huniadin për të luftuar në Fushë Kosovë më 17-19 1448. Po ashtu në fushën e diplomacisë është shquar edhe Gjergj Pelini i Novobërdës (? – 1463). Sipas lëndës arkivore, aktiviteti diplomatik i Pelinit mund të ndiqet së paku nga viti 1438; më 1441, e shoqëronte Gjin Gazullin në një mision diplomatik në Itali; në cilësi të diplomatit kishte vizituar shpesh Republikën e Venedikun (1448-1463). Një tjetër diplomat i madh ishte dhe Valeri Novobërdasi, teolog e filozof i shquar, i cili përveç aktivitetit të tij edukativ në disa universitete të njohura të kohës, pjesën më të madhe të jetës e kaloi në shërbim të papatit; ruhet një korrespondencë e tij me papën Inoçenti VIII (28 janar 1487). Në forma të veçanta të veprimtarisë së krijuesve novobërdas inkuadrohet edhe veprimtaria e gjerë e filozofit-teolog, Gjon Vaji, i cili së pari nga gjenerali i urdhrit dominikan dhe pastaj nga papa Nikolla V (më 1450) kërkoi dhe mori leje, që së bashku me disa bashkëvendas të vepronte lirisht në Kosovë.
Veprimtari të ngjeshur arsimore e shkencore në Raguzë, përveç Gjin Gazullit është shquar edhe Marin Beçikemi, i cili pasi që kishte mbaruar shkollimin në Breshia, në vitin 1492, Senati i Republikës së Raguzës, e zgjodhi rektor të shkollave raguzane. Këtu Marin Beçikemi bëri emër si pedagog, dijetar dhe mendimtar humanist (1492-1496). Në vitet 1501-1503 ligjeronte në Breshia, në katedrën e studimeve të gjuhëve klasike dhe të retorikës. Këtu kishte botuar pjesën dërmuese të veprave. Si njohës i mirë i letërsisë greke e latine, i historisë së antikitetit dhe të kohës, të trashëgimisë filozofike dhe të kulturës mjekësore, botoi këto vepra: “Castigationes et observationes in Virgilium, Ovidium, Ciceronem, Servium et Priscianum” (Ragusa, 1495).