17 Shtator 2024

Kolegji Universitar “WISDOM” që vepron në Tiranës prej gati tre dekadash, është përfshirë në një skandal për lëshimin e diplomave false. Ka qenë një hetim i Prokurorisë italiane të qytetit të Tranit, në vendin fqinj, i cili ka zbuluar mashtrimin me diploma e certifikata false. Tre vjet më parë ky kolegj që vepronte në Shqipëri si institucion i arsimit të lartë dhe ishte akredituar, i është shitur kompanisë FORMAMENTIS (ish CS Uniforma), me ortak të vetëm Savino Cianci dhe administrator Leonardo Catalano.

Kolegji Universitar “WISDOM” është provuar se shpërndante diploma false për qytetarë italianë që synonin të futeshin në administratë, ose ata që largoheshin nga puna dhe një certifikatë e lëshuar nga një universitet jashtë vendit mund t’ju garantonte të ardhmen në administratën italiane. Këta shtetas, paguanin nga 8.000 euro. Dy nga të dyshuarit i kanë dhënë ryshfet një zyrtari të qeverisë shqiptare për të “garantuar aktivizimin dhe përfundimin e favorshëm të procedurës së akreditimit të institucionit”. Ky është një tjetër aspekt që doli nga hetimi i koordinuar nga Prokuroria e Tranit.

Kolegji Universitar “WISDOM” në Tiranë ka qenë në pronësi 100% shqiptare, por më vonë i ka kaluar shtetasit italian Savino Cianci, i cili ka emëruar si administrator shtetasin Leonardo Catalano. Ky institucion arsimor vepron prej tre dekadash në Shqipëri dhe vetëm tre vitet e fundit ka kaluar në duart e italianëve. Nëse nga hetimet rezulton e vërtetë se “WISDOM” është blerë në vitin 2021 me qëllimin e vetëm për lëshimin e diplomave false kundrejt parave, ky do të jetë një skandal i madh që përfshin Italinë dhe Shqipërinë.

“Grupi ka shfrytëzuar më tej kompani dhe shoqata kulturore dhe gjithashtu ka marrë aksionet e një universiteti privat shqiptar nëpërmjet të cilit do të garantonte arritjen e kualifikimeve që nuk kanë gjithmonë vlerë ligjore në Itali. Në këtë kontekst, dy nga të dyshuarit dyshohet se kanë dhënë ryshfet një zyrtari të qeverisë shqiptare”, shkruajnë mediat italiane, pas operacionit të Guardia di Financzas dhe Prokurorisë publike të Tranit në Itali.

Pra, italianët e arrestuar sot e kanë blerë Kolegjin Universitar “WISDOM” në Tiranë vetëm për shpërndarë diploma e certifikata false. Në këto kushte, edhe autoritetet në Shqipëri duhet të hetojnë të gjitha diplomat e lëshuara në Tiranë, pasi në këtë IAL studiojnë dhe studentë shqiptarë.

Si u shit Kolegji Universitar “WISDOM” te italianët

Referuar të dhënave të deklaruara në Qendrën Kombëtare të Biznesit dhe të pasqyruara dhe në platformën “Open Data Albania”, ortaku themelues i këtij institucioni arsimor ka qenë shtetasi Ilir Kapxhiu, në vitin 1996. Që atëherë, pronësia e “WISDOM” është ndarë mes disa personave, kryesisht me lidhje familjare e shoqërore. 25 vite nga themelimi dhe veprimtaria e Kolegjit, në vitin 2021 ortakja e vetme Katerina Paskali ka vendosur që të realizojë kalimin e 100% të kuotave të kapitalit në favor të shoqërisë “FORMAMENTIS”(ish CS Uniforma). Prej datës 27.04.2021, shtetësja Ketrina Paskali largohet nga Kolegji dhe “FORMAMENTIS” bëhet zotëruese e vetme. Kapitali i Kolegjit Universitar “WISDOM” është deklaruar 500.000 euro dhe në vitin 2022 është konvertuar sipas kursit zyrtar të këmbimit në lekë.