17 Prill 2025

Një valë e re hetimesh po shkund themelet e klasës politike dhe administratës së lartë shtetërore. Emrat e 30 zyrtarëve të nivelit të lartë ndodhen aktualisht në skanerin e Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), në një operacion që synon të zbardhë fshehjen e pasurive, abuzimet me detyrën dhe lidhjet e dyshimta financiare me familjarët. Hetimi është i thelluar dhe i ndërlidhur, ku struktura ligjzbatuese po gërmon jo vetëm në pasuritë e vetë zyrtarëve, por edhe në llogaritë bankare, pronat dhe transaksionet e njerëzve të afërt të tyre bashkëshortë, fëmijë, vëllezër, motra, ortakë të heshtur.

Raporti i fundit i Inspektoratit të Lartë të Deklarimit të Pasurive (ILDKPKI) zbulon një panoramë shqetësuese: pasaktësi masive në deklarata, qindra masa administrative, dhe dhjetëra referime penale që po zmadhojnë rrethin e zyrtarëve të përfshirë. Me një bashkëpunim të intensifikuar me SPAK-un, janë dorëzuar të dhëna të detajuara për këta 30 zyrtarë, të cilët dyshohet se kanë përdorur pozitat publike për përfitime të paligjshme dhe pasurim të fshehtë.

Detajet nga raporti i ILDKPI

Problematikat në deklarimin e pasurive mbeten një ndër problemet më të theksuara të administratës dhe politikës shqiptare, ndërsa strukturat e posaçme të ngritura për të luftuar korrupsionin dhe abuzimet me detyrën po intensifikojnë hetimet ndaj zyrtarëve të nivelit të lartë. Në fokus të këtyre hetimeve janë jo vetëm funksionarët, por edhe familjarët dhe personat e lidhur me ta, të cilët dyshohet se janë përdorur për të fshehur pasuritë apo për të shmangur përgjegjësitë ligjore. Sipas raportit vjetor të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit (ILDKPKI), gjatë vitit që lamë pas janë miratuar dhe kaluar në kontroll të plotë 817 subjekte deklaruese. Këto përfshijnë zyrtarë të nivelit të lartë, të mesëm dhe drejtues të institucioneve shtetërore, të cilët janë përzgjedhur për verifikim si për shkak të funksionit të tyre, ashtu edhe mbi bazën e informacioneve të mbërritura nga burime të ligjshme.

Në fokus të kontrollit të plotë kanë qenë deklaratat e interesave privatë të deputetëve, kryetarëve të bashkive, gjyqtarëve, prokurorëve, titullarëve të institucioneve publike, këshilltarëve ligjorë, anëtarëve të bordeve, si dhe nëpunësve civilë me pozicione të rëndësishme drejtuese në administratën publike. Këto deklarata janë analizuar për saktësinë dhe vërtetësinë e të dhënave të pasurive, të ardhurave dhe detyrimeve të deklaruara, me qëllim zbulimin e pasaktësive dhe shkeljeve të mundshme të ligjit. Vetëm gjatë vitit të fundit, ILDKPKI ka vendosur 101 masa administrative në formën e “gjobës”, si pasojë e mospërputhjeve dhe pasaktësive të konstatuara në deklaratat e bëra nga subjektet e verifikimit. Në një panoramë më të gjerë, për periudhën 2014 – 2024 janë vendosur gjithsej 2,231 masa administrative, shumica e të cilave janë zbatuar në mënyrë vullnetare ose janë lënë në fuqi nga Gjykata Administrative.

Referimet

Ndërkohë, nga ana e ILDKPKI-së janë bërë edhe referime të shumta pranë organeve të ndjekjes penale dhe atyre tatimore. Për periudhën 2014 – 2024, janë referuar 594 subjekte pranë Prokurorisë së Përgjithshme, Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe Hetimit Tatimor, Agjencisë së Inteligjencës Financiare dhe Policisë së Shtetit. Në këtë listë përfshihen emra të rëndësishëm të skenës politike dhe institucionale, përfshirë deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, kryetarë bashkie, drejtues të institucioneve, gjyqtarë e prokurorë. Vetëm për vitin e kaluar, janë regjistruar 23 raste të referimeve penale dhe të tjera, prej të cilave një është referuar pranë Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Ky institucion ka marrë një rol gjithnjë e më qendror në hetimin dhe ndjekjen penale të zyrtarëve të lartë për korrupsion dhe fshehje pasurie.