30 qershori, një ditë nul për demokracinë shqiptare.-
30 qershori, një ditë nul për demokracinë shqiptare.-
01/07/19
Nga: Ervis Iljazaj
Dita e djeshme, ishte ndoshta dita më e turpshme e tranzicionit pothuajse 30-vjeçar të Shqipërisë. Ishte ndoshta, dita që e çoi demokracinë shqiptare vite pas, në vend që ta avanconte atë, ashtu sikurse është qëllimi i zgjedhjeve në përgjithësi, si një mundësi dhe një moment që zgjidh probleme, që zhvillon vizione, apo që ndihmon prosperitetin e një vendi. Asnjë nga këto misione që kanë zgjedhjet në një demokraci nuk realizoi 30 qershori. Përkundrazi, i thelloi problemet e Shqipërisë edhe më shumë.
Në këtë kuptim, edhe pse u insistua kaq shumë për t’i zhvilluar zgjedhjet lokale në këto kushte, ato mund të konsiderohen pa frikë një ditë nul për demokracinë shqiptare, për disa arsye.
E para, zgjedhjet e 30 qershorit ishin zgjedhje jo të organizuara nga shteti shqiptar, por nga një forcë politike në mënyrë arbitrare. Zgjedhjet në një regjim demokratik organizohen nga shteti dhe jo nga partia, sepse janë një instrument i demokracisë direkte i të gjithë shoqërisë. Jo më kot, Kushtetuta e Shqipërisë, por edhe kushtetuta e vendeve të tjera nuk ua ka lënë në dorë organizimin e tyre forcave politike, por institucioneve shtetërore si gjykatat, presidentit apo institucioneve të tjera. Ndërsa, zgjedhjet e 30 qershorit u zhvilluan në një konflikt të plotë midis institucioneve, kryesisht midis presidencës dhe organeve të pushtetit ekzekutiv. Dhe në këtë konflikt, nuk pati asnjë arbitër neutral që të vendoste, por organizimi i zgjedhjeve u çua përpara nga fuqia dhe instrumentet që ka një qeveri në dorë. Në këtë kuptim, zgjedhjet lokale nuk ishin aspak zgjedhje shtetërore, por zgjedhje partiake.
E dyta, dhe arsyeja kryesore, këto ishin ndoshta zgjedhjet e para, jo vetëm në Shqipëri, por edhe përtej saj pa garë demokratike, duke qenë se kishte vetëm një forcë politike që merrte pjesë në to. Por, edhe nëse konsiderojmë garë politike aty ku kishte formalisht më shumë se një kandidat, në pothuajse gjysmën e bashkive shqiptare kishte vetëm një tillë. Një nga aspektet që treguan këta muaj të politikës shqiptare, është fakti se nuk u prodhua një alternativë tjetër me gjithë përpjekjet e shumta në këtë drejtim. Madje, Partia Demokratike dhe ajo e LSI-së, konsoliduan idenë me këto zgjedhje që përfaqësojnë ende gjysmën e shqiptarëve.
E treta, pjesëmarrja në këto zgjedhje ishte tmerrësisht e vogël. Nuk ka rëndësi nëse shifrat zyrtare apo ato të opozitës janë të vërteta. Fakti mbetet se, pushteti lokal i ri nuk gëzon legjitimitetin e nevojshëm të qytetarëve për t’u konsideruar një pushtet demokratik. E në këtë kuptim, ky pushtet do të ushtrohet jo në emër të tyre, por në emër të partisë.
E katërta, zgjedhjet e 30 qershorit nuk do ta zgjidhë aspak krizën politike të Shqipërisë, por do ta thellojë më shumë atë. Pas krizës politike qendrore, tashmë kemi dhe një krizë të pushtetit lokal, të kontestuar dhe të panjohur nga gjysma e shqiptarëve. Me një vend ku nuk ekziston Gjykata Kushtetuese, ku parlamenti nuk ka numrin e përcaktuar në Kushtetutë, tani ka dhe një pushtet lokal të kontrolluar nga një forcë politike, duke e bërë fatkeqësisht krizën shqiptare të plotë.
E pesta, Shqipëria vazhdon të përjetojë një krizë ekonomike, e cila është e shoqëruar me mungesën e shpresës dhe kërkesën gjithmonë e në rritje të të rinjve për t’u larguar nga ky vend. Qeveria Rama dy, që nga 2017-a e këtej krijon përshtypjen sikur ende nuk ka shkuar në zyrë. Praktikisht nuk kemi qeverisje të vendit, por vetëm një inerci të vazhdimësisë pa kuptim të një pushteti që nuk po zgjidh asnjë nga problemet e qytetarëve të saj. Zgjedhjet e së djeshmes, jo vetëm që nuk zgjidhin problemet ekonomike dhe sociale të Shqipërisë, por me të gjitha gjasat do t’i thellojnë më shumë ato.
Për të gjitha këto arsye, zgjedhjet e 30 qershorit duhet të shënohen me të zezë në kalendarin politik shqiptar, si e vetmja ditë zgjedhjesh që nuk shënoi asnjë avancim në demokracinë e saj. Prandaj, ato nuk u shërbyen shqiptarëve për asgjë. Përkundrazi, ua shtuan më shumë problemet e tyre. E vetmja rrugë që Shqipëria ka për të ndjekur dhe e vetmja zgjidhje që do e nxjerrë nga ky ngërç, është vetëm ristartimi i demokracisë me një garë dhe kushte të barabarta për të gjithë. /Gazeta Liberale