”30 qershori ose braktisja masive e votimeve, si e ndëshkuan shqiptarët pa dhunë elitën politike të korruptuar”

Jul 1, 2019

JONILA GODOLE/ 

Njëra palë u fut në zgjedhje e vetme, me kredon zyrtare për t’i dhënë fund spirales së krizës politike pas largimit të opozitës nga Parlamenti, por de facto për të marrë nën zaptim pushtetin lokal, pa konkurrencë dhe zgjedhje mes kandidatëve. Asnjë reflektim për përqindjen e ulët në votime, asnjë marrje përgjegjësie nga partia në pushtet për akuzat e bëra brenda dhe jashtë vendit, por duartrokitje në kor për “udhëheqësin” e PS (jo kryetari e partisë?!), siç dëgjova ta quante veten sot Kryeministri Rama. Kaq shumë pushtet i grumbulluar në një dorë, në një parti, duhet të trembte edhe vetë socialistët që e njohin mirë dëmin që pushteti i baballarëve të tyre ideologjikë të PPSH i shkaktoi Shqipërisë.

Pala tjetër humbi gjithçka, mandatet si dhe atë pak pushtet lokal që kishte nën zotërim. A është ajo fituesja e këtyre votimeve, apo shqiptarët thjesht dënuan përmes bojkotit të gjitha palët, sistemin e korruptuar dhe të pashpresë që ato kanë ngritur në “kazanin” e përbashkët? Këtë do ta tregojnë javët në vijim. Do kishte qenë e nevojshme që rezultati i 30 qershorit të lexohej saktë nga opozita, duke lënë mënjanë euforinë e një fitoreje si e Pirros. Nuk e dimë si do kishte qenë rezultati i pjesëmarrjes në zgjedhje këtë vit nëse opozita do të kishte marrë pjesë si zakonisht. Mbase do të qe votuar edhe ajo vetëm nga një grup i vogël militantësh dhe ndjekësish, si ata që votuan sot PS dhe aleatët e saj. Këtë siklet opozita e kaloi për bukuri kësaj here. Por çfarë do të ndodhë pas zgjedhjeve? Në çfarë forme do të jetë bashkëpunimi mes saj dhe qeverisë që ka pushtet absolut në rrafshin qendror dhe lokal? Cilat do të jenë kushtet e negocimit për t’u rikthyer në skenën legjitime politike? A do mbajë dikush përgjegjësi nga drejtuesit e partive kryesore të opozitës? Bojkoti dhe mungesa e dhunës sot në votime nuk janë fitore e opozitës, por pasojë e ndërgjegjësimit real të elektoratit shqiptar që nuk mbështet një proces zgjedhor monopartiak dhe nuk dëshiron të jetë më mish për top për interesa politike të ditës.

Elita politike ka humbur prej kohësh kontaktin me realitetin dhe sot, më 30 qershor, u detyrua ta fitonte këtë me zor kur u përball me braktisjen masive të votimeve. “Një politikë që shërben, që nuk përjashton, që bashkon…”, këto ishin disa nga mesazhet kyçe të Kryeministrit në fjalën e tij, pas mbylljes së procesit të votimeve, të cilat jo në këtë renditje, por me të njëjtën përmbajtje i ka shprehur edhe gjatë fjalimeve të tij në fitoret e zgjedhjeve qendrore më 2013 dhe 2017. Por realiteti ka qenë ndryshe! “Populli” dënoi votimet farsë, po anëtarët e PS, PD dhe LSI do të kërkojnë në strukturat e tyre mbajtje përgjegjësie nga drejtuesit e partisë pas kësaj humbjeje?! Për sa kohë kjo nuk ndodh, 30 qershori nuk na ka shërbyer për asgjë.

Organizatat ndërkombëtare nga ana tjetër, me zgjedhjet e sotme “ruajtën fytyrën” dhe i shkuan procesit me kokëfortësi deri në fund, për t’i dhënë një mësim opozitës “rebele” shqiptare, por dhe politikës rajonale në përgjithësi. Mbështetja nga ana e tyre e një procesi zgjedhor monopartiak, edhe pas akuzave të drejta të opozitës për blerje votash nga eksponentë të PS, do të mbetet një njollë e errët në kontributin e tyre për demokracinë në rajon. Natyrisht që skandalet nga të dyja krahët në këto 27 vjet i kanë bërë ata më cinikë dhe të pandjeshëm, nuk diferencojnë shumë mes PS apo PD, edhe kur njëra palë qëllon të ketë të drejtë. Paqja dhe stabiliteti rajonal janë më të rëndësishme se krizat e përsëritura brenda vendeve të Ballkanit Perëndimor. Përgjegjësia, sidoqoftë, është vetëm e jona.

Dhe ndërsa palët duken të lehtësuara, fituesi dhe humbësi i madh mbeten shqiptarët, që sot dënuan me bojkotin e tyre sistemin e kalbur politik, por nesër nuk kanë garanci përballë një pushteti të mundshëm hakmarrës që edhe pse u godit rëndë, nuk ka gjasë të bjerë aq shpejt!

Gazeta Panorama