300 mln lekë tender për pemë e lule para zgjedhjeve. – Tender nga Kryebashkiakja e Durrësit, Emirjana Sako.
30 Mars 2023
Teksa na ndajnë pak javë nga zgjedhjet lokale të 14 majit, pushteti qendror e vendor, me në krye Edi Ramën, është lëshuar si lukuni për të kryer vjedhjet e fundit, duke shpërfillur e shkelur me të dyja këmbët ligjin dhe Kodin Zgjedhor.
Ndonëse Kodi Zgjedhor e përcakton se katër muaj para zgjedhjeve nuk lejohet asnjë veprim, nga i cili përfitojnë kategori të caktuara të popullsisë, Rama dhe “ushtria” e tij e hajdutërisë, që në këto 10 vite kanë shtrirë tentakulat në të gjitha pushtetet, vijojnë pa iu dridhur qerpiku të mbushin xhepat në kurriz të shqiptarëve.
I tillë është edhe rasti i kryebashkiakes së Durrësit, Emirjana Sako, e cila më 21 mars, më pak se dy muaj para zgjedhjeve, ka shpallur një tender me vlerë afro 300 milionë lekësh pa TVSH për “gjelbërimin e qytetit”.
Sipas regjistrit të Prokurimeve Publike, rezulton se ky lloj tenderi me të njëjtin fond, është zhvilluar edhe në muajin janar të këtij viti si dhe 3 herë gjatë muajve mars-tetor të vitit 2022. Tenderi do të zhvillohet më 5 prill dhe kohëzgjatja për zbatimin e tij është 30 ditë, pra shumë pranë zgjedhjeve.
Ashtu siç ka ndodhur në këto 10 vite qeverisjeje të Ramës, ku pushteti është kujdesur në çdo rast të pasurojë veten, duke rënduar gjithnjë e më shumë gjendjen e shqiptarëve, të cilët nga të gjitha raportet ndërkombëtare rezultojnë në kufijtë e varfërisë, duket se edhe kryebashkiakja Sako po i shfrytëzon këtë periudhë të fundit parazgjedhore për interesat e saj. Emirjana Sako shpall tenderin rreth 300 milionë lekë për mbjellje pemësh e lulesh në qendër të qytetit të Durrësit, në një kohë kur durrsakët, ashtu si të gjithë shqiptarët, kanë nevojë për shërbime shumë më jetike, si shëndetësi, arsim, punësim, etj.
Ajo që ngre dyshime është nëse kryebashkiakja Sako do të shpenzojë 290 milionë lekët e këtij tenderi për pemë dhe lule, apo do t’i përdorë ato për blerje votash dhe “qoka elektorale”, me qëllim sigurimin e një mandati tjetër në krye të Bashkisë së Durrësit.
Por, le t’i kujtojmë kryebashkiakes Emirjana Sako dhe gjithë lukunisë së pushtetit se çfarë thotë Kodi Zgjedhor, i cili e ndalon rreptësisht një veprim të tillë hajdut.
“Katër muaj para datës së zgjedhjeve deri në formimin e qeverisë së re pas zgjedhjeve ndalohet propozimi, miratimi ose nxjerrja e akteve ligjore ose nënligjore, të cilat parashikojnë dhënien e përfitimeve për kategori të caktuara të popullsisë, të tilla si rritje pagash, pensionesh, mbështetje ekonomike apo sociale, ulje ose heqje taksash etj”.
Por, shkelja e ligjit dhe Kodit Zgjedhor nis me të parin e pushtetit, kryeministrin Edi Rama, i cili njoftoi dhënien e një bonusi prej 5 mijë lekësh për pensionistët dhe rritje pagash për administratën, si joshje për ta, rreth 1 muaj para zgjedhjeve.