30 Janar 2025

Rigels Seliman

Ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj ka publikuar një seri denoncimesh që synojnë të godasin qeverinë e kryeministrit Edi Rama në zemër të saj. Një ditë më parë gazeta “SOT” zbuloi disa episode nga intervista shpërthyese e ish-zv/kryeministrit Ahmetaj, e cila ishte e mbushur me akuza të rënda në “Syri TV”, ndërkohë që sot po pasqyrojmë me detaje disa nga denoncimet e forta të bërë prej tij. Duke i përshkruar me detaje të dhimbshme skandalet që kanë ndodhur gjatë qeverisjes Rama, Ahmetaj ka shpallur një luftë të hapur kundër kryeministrit, duke e akuzuar atë për korrupsion galopant, keqmenaxhim dhe lidhje të dyshimta me krimin e organizuar.

Ahmetaj, tashmë në rolin e një “pentito” politik, ka sjellë një listë të gjatë denoncimesh, që variojnë nga shpenzimet ekstravagante të çiftit kryeministror, deri tek skemat miliarda euro të korrupsionit në projekte publike. Ai akuzoi Edi Ramën për luks të papërballueshëm, duke përmendur se kryeministri dhe bashkëshortja e tij kanë shpenzuar 10 mijë euro për seanca detoksifikimi dhe 30 mijë euro për një shishe verë. Ahmetaj përmendi gjithashtu raste të tjera të shpenzimeve luksoze, përfshirë bileta sportive me vlerë 28 mijë euro dhe udhëtime private me çartera, të cilat, sipas tij, janë financuar nga paratë publike.

Roli i Ballukut

Por një ndër denoncimet më tronditëse të Ahmetajt ishte skema e kanabizimit të vendit, për të cilën ai akuzoi drejtpërdrejt kryeministrin si ideator dhe organizator kryesor. Sipas tij, kanabizimi ishte një projekt i mirëplanifikuar, që u diskutua dhe u kundërshtua nga pesë ministra, por që Rama e shtyu përpara duke mbyllur Lazaratin për të përhapur kanabisin në të gjithë Shqipërinë. Ahmetaj nuk kurseu as ministrat aktualë, duke akuzuar Belinda Ballukun për shpërdorim fondesh publike në projektet infrastrukturore, ku përmendi shifra marramendëse si 50 milionë euro për tunelin e Llogarasë dhe 2.2 miliardë euro për keqmenaxhimin e projekteve. Ai përmendi gjithashtu se Balluku ka kërcënuar kompani të huaja, si ato gjermane dhe turke, për të përfituar kontrata të dyshimta. Ndërkohë një tjetër pikë kyçe ishte roli i mediave kombëtare, që sipas Ahmetajt, janë përfshirë në skema korrupsioni në këmbim të heshtjes ose përkrahjes së qeverisë. Ai akuzoi drejtpërdrejt “Top Channel” dhe media të tjera lokale për përfitime nga afera e inceneratorëve dhe lejet e ndërtimit.

Lidhjet me krimin

Nga ana tjetër, Ahmetaj gjithashtu ngriti pyetje për lidhjet e Ramës me individë me precedentë kriminalë, duke kërkuar që kamerat e Kryeministrisë të publikojnë hyrje-daljet e personave të dyshimtë. Sipas tij, zyra e luleve në Kryeministri është shndërruar në një pikë takimi për banda kriminale, që bëjnë pazare në tavolinat e shtetit. Mirëpo nga borxhi publik prej 1 miliard euro, i cili sipas Ahmetajt, është përpjekur t’u dorëzohet në mënyrë të dyshimtë individëve të huaj, deri tek skandali i portit të Durrësit me një vlerë mbi 2 miliardë euro, lista e tij e denoncimeve është një kambanë alarmi për të gjithë qeverinë. Duke përfunduar, Ahmetaj deklaroi se është i gatshëm të dëshmojë para drejtësisë dhe ka sfiduar SPAK-un për të hetuar këto skandale. “Ky sistem duhet të shembet dhe e vërteta duhet të dalë në dritë”, përfundoi ai, duke lënë të kuptohet se ky është vetëm fillimi i rrëfimeve të tij për abuzimet dhe korrupsionin që ka pllakosur qeverinë e Ramës. Kështu që përpara kësaj situate, shqiptarët tani presin me ankth nëse drejtësia do të ndërhyjë për të zbardhur këto akuza të rënda apo nëse “pazaret e mëdha” do të vazhdojnë të mbeten të mbuluara nga një hije e rëndë mosndëshkueshmërie.

Akuzat ndaj çiftit Rama

Ish-zv/kryeministri Arben Ahmetaj se një biznesmen ka paguar që Edi Rama dhe Linda Rama të shkojnë në një hotel që shërben si qendër detoksifikimi. Ahmetaj tregoi edhe emrin e hotelit dhe tha se çdo seancë aty kushton 10 mijë euro. “Te një telefon SPAK-u ka gati 12 fluturime. Njëri i ka thënë, ore ça merreni me robin, robi s’ka lidhje fare. Pastaj ore një sekondë, aty ke 12 fluturime me çarter të kryeministrit, ‘o vëlla po ç’punë kemi ne me ato, se ne s’do merremi me kryeministrin, ne kemi punë me tjetër njeri’. Po mirë, gazetarët investigativë, verifikoni ku ka qenë kreu i organizatës (Rama) në Palaco Hotel në Bolzano, qendër detoksifikimi. Ka qenë më shumë se dy herë. Ka qenë me zonjën e tij, personi kushton 10 mijë euro në javë. I ka paguar një biznesmen që është afër familjes dhe personi ka marrë në vazhdimësi leje ndërtimi. Le ta verifikojnë, Palace Di Merino, është një vend shumë i shtrenjtë, kanë qenë familjarisht, pa fëmijët dhe ka paguar biznesmeni që ka marrë leje ndërtimi”, deklaroi Ahmetaj. Po ashtu, ai akuzoi Ramën për luks, sikundër ishte prezenca e kryeministrit në një ndeshje basketbolli në SHBA.

“A u kap me foto te ndeshja e NBA. Është 22 deri 28 mijë dollarë një biletë. Nuk e tregon kush ia ka paguar, e ka detyrim, po nuk e tregon. Po mirë, e di ti që katër bileta janë trefish e gjysmë e akuzës time për hotelet. Që le të qëndrojnë, nuk qëndrojnë, po le të qëndrojnë. Çfarë ka bërë SPAK-u? Ku i gjen ky këto para? Ky është i pandëshkueshëm, dhe për ata që do ky, ka mbaruar pandëshkueshmëria??? Edhe merret ky me Ben Ahmetajn, Ilir Beqajn, Ilir Metën, me Bardh Spahiajn, Ervin Salianjin…”, u shpreh ai. Po ashtu, Arben Ahmetaj ka denoncuar se Edi Rama pi verë me koordinatorin e krimit, që sipas tij, kushton 33 mijë euro. Gjatë intervistës, Ahmetaj e nxori llojin e verës me fotografi, teksa tha se Rama dhe koordinatori i krimit e konsumojnë këtë lloj vere në atë që ai e quajti “Dhoma e Luleve”. Ai bëri një krahasim mes luksit të Ramës dhe vuajtjeve të qytetarëve tek spitali Onkologjik.

Falimentimi i “Air Albania”

Sakaq ish-numri 2 i qeverisë së Edi Ramës, Arben Ahmetaj, ka denoncuar me fakte se si kryeministri Edi Rama ka falimentuar Air Albania, duke shkaktuar një dëm prej 20 milionë euro. Gjatë intervistës së tretë në Çim Peka Live në SYRI TV, Ahmetaj theksoi se shqiptarët vetëm për një devijim të udhëtimit të Ramës nga Tirana për në Romë, kanë paguar 14 mijë euro. “Vijmë të projekti Air Albania. Do ju sjell një gjë shumë interesante. Ky Air Albanian e ka falimentuar. Kreu i organizatës e ka falimentuar. Më vjen keq për pronarët, në respekt të qytetarëve, kam këtu bilancin e Turkish. Që nga 31 dhjetori, bëhet fjalë për 1 janar 2024 dhe është edhe viti 2023. Që nga 31 dhjetori i 2019, humbja e Air Albania, e cila tejkalon gjithë totalin e aksionit të grupit, pra grupit ku ishte krijuar Air Albania, nuk e fusin në këtë bilanc të konsoliduar është 20-milionë euro. Dhe vuri figura e kombit si imazh.

Shqiptarët kanë paguar nga xhepat e tyre për çarterin e tij. Aty jemi duke folur për devijim, nga Tirana për në Romë, një fluturim është 14 mijë euro. Sipas këtyre dokumentave ky kapital është shkrirë. Le ta investigojnë dhe unë kërkoj të falur nëse nuk është kështu. Ose le të më çojnë në gjyq për këtë. Meqë deshën dokumenta këta analistët që merr ti atje. Për projektin e agregateve në Vlorë nuk dua të ndaloj. Është një skandal korruptiv ku gjakderdhja financiare ende vazhdon. Le të mos e investigojë Altin Dumani, le të merret me pllakat e banjos së Erjolës, le t’i shkatërrojë jetën fëmijëve të mi. Le të na përndjekin nga mbrapa. Lë të përndjekë gjithë miqtë e mi”, nënvizoi Ahmetaj.

Lista e disa çmimeve dhe abuzimeve të denoncuara nga Arben Ahmetaj

1. 10 000 euro detoksinimi

2. 33.000 mijë euro një shishe verë

3. 28 mijë euro një biletë basketbolli

4. 20 mijë euro udhëtim nga Shtutgart

5. 14 mijë euro udhëtim në Itali

6. 15 milionë euro Eco Park familja

7. 50 milionë euro Tuneli

8. 43 milionë euro AKSHI familja

9. 1 miliard euro inceneratori

10. 1.2 miliard euro koncensioni Thumanë Kashar aksioner

11. 2.2 miliard euro shpërdorimet “Balluku”

12. Porti Durrësit mbi 2 miliardë euro

13. Toka e ambasadës në USA për dhuratë një të huaji

14. 1 miliard euro borxhi publik përpjekje për t’ia dorëzuar një shtetasi izraelit

15. Çunat e Dubait me investime miliona eurosh

16. Ergys Agasi koordinator i krimit pjesë ekipi qeveritar.

17. Shikoni kamerat e KM për hyrje daljet e personave me rekorde kriminale?!!

18. Drejtësia, Prokuroria e Posaçme e kontrolluar refuzuese hetimit të 12 udhëtimeve me çarter nga KM

19. Inceneratori me aksionerë Rama dhe Veliaj

20. Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha i shkarkuar për korrupsion nga Rama dhe emëruar nga bandat në detyrë

21. Firma dhe nga Gjiknuri e Peleshi

22. Pesë ministra zgjedhje të Ballukut

23. Kanosje gjermanëve nga Balluku për Portin e Durrësit

24. Turqit dy kompani marrëveshje në tavolinë për tunelin

25. Koncensioni pa tender segmentit rrugor Kashar-Thumanë i Ballukut, pas vendimit të Gjykatës

26. Medie kombëtare ‘Top Channel’ e përfshirë në përfitime nga inceneratorët (djegësi)

27. Medie të tjera kombëtare dhe lokale në tendera e leje investimesh në këmbim shërbimi

28. Pesë ministra kundër kanabizimit të Shqipërisë

29. Gjykata Kushtetuese e kërcënuar për vendime të kërkuara

30. Kanosje në tekstin do të reagojmë dhe do të fluturosh në erë

31. Zyra e luleve në Kryeministri zyrë mbledhjesh të banditëve.