“S’të kam quajtur ‘tinëzak’”, Rama i përgjigjet ‘flakë për flakë’ Isa Mustafës dhe nxjerr prapaskenat e takimit mes tyre: Ta bëjmë dhe pikë!

3 MARS 2020

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas statusit të kreut të LDK, Isa Mustafa.

Rama ka thënë se asnjëherë nuk e ka quajtur Mustafën si ‘tinëzak’, por kreu i LDK ka rënë pre e titujve të deformuar.

Mbrëmjen e djeshme, ish kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, në një reagim në rrjetet sociale akuzonte Ramën se e kishte quajtur tinëzar dhe se kishte deklaruar që Mustafa ishte pro ‘Minishengenit Ballkani’.

Mustafa e mohoi të kishte biseduar ndonjëherë për ‘minishengenin’ me Ramën, por kishte folur vetëm për Unionin doganor të Vendeve të Ballkanit perëndimor.

Këtë e ka konfirmuar edhe Rama, që ka thënë se me Mustafën nuk është biseduar asnjëherë për ‘Minishengenin Ballkanik’.

“IsaMustafaKS, ja kështu është kur njeriu bie pre e titujve të deformuar, sepse unë s’e kam thënë e as kam menduar të të quaj “tinëzak”! Ashtu sikundër nuk kam thënë që është folur për “miniShengenin” në tryezat e procesit të Berlinit, përkundrazi e kam shpjeguar qartë edhe këtë”, shkruan Rama në Twitter.

“Je i saktë, je pajtuar për “hapësirën e përbashkët ekonomike të vendeve të Ballkanit Perëndimor”! Fiks këtë thashë edhe unë dhe Shengeni Rajonal është fiks kjo, hapësira e përbashkët ekonomike plus lëvizja e lirë e njerëzve, kështu që jemi krejt dakord prandaj ta bëjmë dhe pikë”, shton Rama në statusin e tij.

Gazeta Sot