2 Dhjetor 2024

Në dy vite Blendian Dalipi, Drejtori i OSSH-së është denoncuar vazhdimisht në media, për tendera pa garë apo për prokurime me kosto të fryra.

Blendian Dalipi arriti kulmin e karrierës së tij si njeriu i besuar i Belinda Ballukut, kur kjo e fundit në datën 28 tetor 2022 firmosi emërimin e Dalipit si Administrator të Përgjithshëm të Shoqërisë Operatori i Sistemit të Shpërndarjes. Pas këtij momenti, Dalipi do të shfaqej në publik jo për sukseset e OSSH nën drejtimin e tij, por për abuzime pa fund me tenderat dhe fondet publike. Në emisionin investigativ “Plug” u treguan disa nga dhjetëra në mos qindra artikujt e mediave në vend, që denoncojnë abuzimet e drejtorit të OSSH Blendian Dalipi me paratë e shqiptarëve.

Investigimi i plotë i “Plug”

Një nga tenderat e denoncuar si abuziv, i kryer nga OSSH nën drejtimin e tij është ai për marrjen me qira të 170 automjeteve për nevojat e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike. Në datën 31 tetor të vitit 2023, Dalipi hap garën për një tender të majm me vlerë rreth 6.7 milionë euro pa TVSH. Për të fshehur gjurmët, tenderin nuk e prokururoi Drejtoria e Përgjithshme e OSSH e drejtuar nga Dalipi, por Drejtoria Rajonale e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë në Tiranë,drejtori në varësi të tij, dhe me delegim nga ai. Sipas objektit të tenderit, Makinat me qira do të merreshin për nevojat e shoqërisë OSSH dhe FSHU, që drejtohen pikërisht nga krau i djathtë i Belinda Ballukut.

Në këtë tender morën pjesë dy kompania, Tirana Auto SHPK dhe Albanian Car Rentals shpk. Kjo e fundit u skualifikua nga gara me arsyen banale se nuk kishte deklaruar ndërrimin e gomave të automjeteve për 40 mijë kilometra rrugë. Tenderi u fitua nga kompania Tirana Auto Shpk, me vlerën e fondit limit, pra 6.7 miliona euro pa TVSH ose plotë 8 milionë euro me TVSH. Kompania që u skualifikua nga gara, kishte dhe ofertë më të leverdishme ekonomike, pasi do t`i kursente OSSH më shumë se 30 mijë euro. Por kreu i OSSH zgjodhi të shpenzojë plotë 8 milionë euro nga paratë e taksapaguesve shqiptarë, për të marrë 170 automjete me qera. Ky tender, siç shihet në ekran u klasifikua me flamur të kuq nga Open Data Albania, për shkak të skualifikimit të të gjithë operatorëve konkurrues përveç fituesit. Në vlerë nominale, qytetarët shqiptarë do të paguajnë nga taksat e tyre 37 mijë euro për një automjet të marrë me qira për tre vjet, shumë kjo më e madhe nëse këto mjete do të ishin blerë me zero kilometra.

Firmat

E me që jemi tek automjetet, vetëm dy muaj përpara se të merrte plotë 170 automjete me qira duke shpenzuar 8 milionë euro nga xhepat e qytetarëve, Blendian Dalipi i OSSH, kishte firmosur një tjetër kontratë të majme po për automjete. Në datën 11 gusht 2023, Dalipi hapi garën për kontraktimin e një servisi me qëllim mirëmbajtjen e automjeteve motorike në pronësi të OSSH. Vlera e këtij tenderi ishte 1.7 milionë euro pa TVSH. Këto janë vetëm dy nga tenderat e luksit të kryer nga OSSH gjatë kohës së drejtuar nga Blendian Dalipit, i cili gjen gati 10 milionë euro nga taksat e shqiptarëve për automjete me qera, ndërsa në shumë zona të vendit qytetarët ankohen për shtyllat elektrike të cilat rrezikojnë jetën e tyre pasi janë krejtësisht të amortizuara për mungesë investimesh. Abuzimet nuk mbarojnë me kaq. Në datën 25 tetor të këtij viti, emisioni investigative Piranjat në Syri Televizion, denocoi gjithashtu një tjetër abuzim të Blendian Dalipit.

Më 11 qershor 2024, Drejtoria e tensionit të lartë të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes hapi garën për të ndërtuar një nënstacion të ri me kapacitet 110 kilovolt me vlerë 4.2 milion euro, me afat përfundimi pas 14 muajsh. Në dokumentet e tenderit propozohet që në shërbim të koncesionarit derisa të përfundojë nënstacioni të vihet në dispozicion njësia e lëvizshme që shërben për emergjenca. Po a është normale kjo, për një vepër e cila është e gjitha në duart e kompanive private? Pse shteti duhet të financojë për nënstacion elektrik për furnizimin me energji, një detyrë që duhet ta marrë përsipër privati, me fondet dhe kapacitetet e tij? Dhe jo vetëm një herë, sepse një vit më parë, në tetor 2023 u hap tenderi për “Furnizimin e Aeroportit të Vlorës” dhe ndërtimi i linjës kabllore 35 kilovolt nga Nënstacioni i Mifolit në Aeroport.” Vlera e kontratës ishte 630 mijë euro, por punimet shkuan dëm sepse nënstacioni i Mifolit nuk e përballon kërkesën për të furnizuar me energji elektrike aeroportin. Ndaj u desh ky tender i dytë, këtë herë me vlerë 4.2 milion euro.

Lekët nga buxheti i shtetit

Këto tendera për furnizimin me energji të aeroportit janë hapur nga OSSh, që do të thotë se veprat do të financohen nga buxheti i kompanisë publike. Ndërsa në kontratën që është lidhur mes Ministrisë se Infrastrukturës dhe Energjisë me koncesionarin e aeroportit, përgjegjësia për punimet e infrastrukturës për furnizimin me energji elektrike i ngarkohet koncesionarit. Pra kompanive private që kanë marrë përsipër të menaxhojnë aeroportin për 35 vitet e ardhshme, por në projektin e detajuar teknik, ky detaj për ndërtimin e një nënstacioni është harruar dhe për të mbuluar shpenzimin e 4.8 milion eurove, OSSH e ka quajtur projektin e aeroportit të Vlorës strategjik. Lidhur me këto pyetje, drejtori i OSSH-së, Blendian Dalipi u shpreh, se nuk i intereson kontrata që lidh koncensionari me ministrinë dhe se është detyrë e institucionit të tij për të furnizuar me energji aeroportin.

Por kjo nuk do të thotë, që kjo drejtori duhet të hapë tendera për të ndërtuar nënstacione elektrike. Që prej emërimit të tij, kanë nisur dhe tenderat problematik në OSSH. 90 përqind e tenderave të firmosur nga Blendian Dalipi dyshohet se janë dhënë në mënyrë abuzive apo në shkelje të ligjit. Nga një vëzhgim i PLUG në faqen e Open Data Albania, rezulton se Blendian Dalipi ka dhënë vetëm gjatë 12 muajve të fundit rreth 20 tendera vlera e të cilëve kap shumën e rreth 64 milion euro në total. Të paktën 11 nga 20 tenderat e firmosur nga Blendian Dalipi janë dhënë pa garë. Siç shihet në faqen e Open Data Albania, këta tendera janë shënuar me flamur të kuq për mungesë konkurrence apo skualifikim të të gjithë operatorëve të tjerë ekonomik përveç fituesit. Në total, nga 64 milionë euro të prokuruar nga Blendian Dalipi si kreu i OSSH, rreth 44 milionë euro tendera me para të taksapaguesve shqiptarë janë dhënë pa garë, në kundërshtim të plotë me ligjin e prokurimeve publike.

Tenderat me flamuj të kuq

1. Ndërtimi i N/Stacionit të ri Piqeras 110/20/10 kV 386 516 166,00

2. Zhvillimi i linjës me dy qarqe 35 kV N/Stacionit Kafaraj Fier – Hoxharë 468 405 198,00

3. Ndërtimi i N/Stacionit të ri Akërni 110/35/20 kV dhe zhvillimi i linjës 35 kV Akërni-Aeroporti i Vlorës 411 149 292,00

4. Riparimi te transformatorve TL/TM 179760000 e tvsh

5. Rikonstruksion dhe fuqizimi i N/Stacionit Kuçovë 110/35/20/10/6 kV 756581339

6. Blerje paisje për nyjet komutuese të Linjave dhe N/Stac 145 903 605

7. Fuqizimi i N/Stacionit 110/20kV Zogu i Zi (2×40) MVA 752976598

8. Ndertim N/Stacionit të ri Fier 2 110/ kV 712778340

9. Rikonstruksion dhe fuqizimi i N.Stacionit Çorovodë e Re 110/35/10 kV 76395335

10. Rikonstruksion i N.Stacionit Pogradec 110/35/10 kV 416187879

11. Fuqizimi i N.Stacionit 110/20 kV Golem-Durrës 243860112

Skema tashmë është e qartë, disa kompani zinxhir për të fshehur gjurmët e përfituesit fundor. Nëse në Bashkinë e Tiranës, ishin 5 drejtorë të angazhuar për thithjen e çdo fondi publik në Tiranë, në këtë rast kemi vetëm një drejtor i cili me po të njëjtën skemë arriti të përfitonte 30 milionë euro projekte.